Autoritetet finlandeze kanë urdhëruar ndalimin e punimeve në dy qendra të planifikuara të të dhënave të Google, pas shqetësimeve për prerjen e më shumë se 300 hektarëve pyje dhe respektimin e procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Projektet në Muhos dhe Kajaani janë pjesë e investimit rekord prej 13 miliardë eurosh që Google njoftoi më pak se një muaj më parë në Finlandë, investimi më i madh i vetëm i kompanisë deri më tani në Europë.
Autoriteti finlandez i Mbikëqyrjes, LVV, bëri të ditur se në njërën prej zonave punimet ishin kryer pa vlerësimin e detyrueshëm të ndikimit në mjedis dhe kërkoi që aktivitetet që mund të ndryshojnë ndjeshëm territorin të ndërpriten deri më 23 tetor.
Punimet përgatitore përfshinin prerjen e pemëve dhe heqjen e shtresës sipërfaqësore të tokës, ndërtimin e rrugëve të kantierit dhe zonave të magazinimit, si dhe ndërhyrje në kanalet kulluese. Kompanisë Tuike Finland, që qëndron pas projekteve të qendrave të të dhënave të Google, i është kërkuar të japë shpjegime dhe të paraqesë deri më 14 tetor mënyrën se si synon të vijojë. Në rast të mosrespektimit të kërkesës, autoritetet mund të nisin procedura detyruese.
Shoqata Finlandeze për Ruajtjen e Natyrës kishte kërkuar më herët pezullimin e punimeve, duke pretenduar se ishin prerë edhe zona natyrore që duhej të ruheshin.
Google pranoi se në këtë rast nuk kishte arritur standardet që i kishte vendosur vetes. Kompania tha se kishte vepruar në mirëbesim sipas ligjit finlandez për pyjet, kishte kryer studime të natyrës dhe kishte marrë masa për mbrojtjen e zonave me vlerë të lartë mjedisore. Google njoftoi gjithashtu se planet për biodiversitetin parashikojnë mbjelljen e pemëve në rreth 130 hektarë në Muhos.
Muajin e kaluar, Google njoftoi se do të investojë të paktën 13 miliardë euro gjatë viteve 2027-2028 në Finlandë. Plani përfshin qendra të reja të të dhënave në Kajaani, Muhos dhe Vaala, si dhe investime në qendrën ekzistuese në Hamina. Infrastruktura do të përdoret për të përballuar kërkesën në rritje për shërbimet e kompanisë, përfshirë Search, Maps dhe asistentin e inteligjencës artificiale Gemini.
Sipas Google, vetëm faza e ndërtimit gjatë viteve 2027 dhe 2028 pritet të mbështesë më shumë se 37 mijë vende pune dhe të kontribuojë mesatarisht me 3.6 miliardë euro në vit në ekonominë finlandeze.
Zgjerimi i kompanisë shoqërohet edhe me një marrëveshje 22-vjeçare për blerjen e energjisë nga kompania finlandeze Fortum, që mbulon deri në gjysmën e kapacitetit të centralit bërthamor Loviisa. Finlanda është kthyer në një destinacion tërheqës për qendrat e të dhënave për shkak të klimës së ftohtë dhe energjisë me emetime të ulëta, pasi temperaturat më të ulëta ndihmojnë edhe në reduktimin e energjisë së nevojshme për ftohjen e serverëve.
Burimi: BBC






