Për 30 minuta torturuese televizive, një nga viktimat kryesore të xhirimeve pornografike të Adi Hilës rrëfeu të vërtetën e saj. Blerina Matraku iu “dorëzua” publikut televiziv me dëshirë në emisionin “Goca dhe Gra”. Me emocione të zhytura në dhimbje, këngëtarja arriti të tregojë versionin e saj të historisë. Atë që publiku nuk e njeh, sepse pa vetëm krevatin…
Historia e saj nis shumë larg asaj dhome, në vitin 2007, kur një vajzë e re me ëndrra për skenën trokiste me muaj te dera e kompozitorit. “E kam kërkuar me muaj me radhë për të bashkëpunuar, në sajë të profesionalizmit dhe seriozitetit që ai kishte”, kujton ajo.
Për një album pagoi 10 mijë euro, të mbledhura me djersë: “I kam kursyer me eventet, dasmat dhe punë si stjuardesë… më kanë ndihmuar edhe miq të mi, sepse ishin shumë lekë për mua.”
Nga bashkëpunimi lindi një lidhje që ajo vetë e pranon me zor. “E kam të vështirë të flas për jetën personale me të”, thotë, ndërsa zëri i dridhet. Dhe pastaj vjen rrëfimi i një gruaje që e ka parë veten pa maskë: “Unë për 20 vite e kam mbivlerësuar atë person dhe zbuloj që ai jo vetëm që nuk ka dashur një njeri, por ka përdorur edhe miq të tij.”
Dyshimi kishte qenë gjithmonë aty, i fshehur diku në fund të shpirtit. “Gjithmonë jam ndjerë që ka diçka që nuk shkon. Nuk të gaboka kurrë zemra”, rrëfen Matraku, e cila sot i bashkon pjesët si një enigmë të dhimbshme: “Më ktheheshin sekuenca, më lidheshin puzzle.”
Faji që mban mbi supe nuk është ai që i ngarkon publiku, por një tjetër, më i heshtur. “Ndihem me faj që nuk mbrojta dot veten, ky është faji im i vetëm”, thotë ajo, duke e përshkruar veten si një grua “që ka pasur edhe dhunë emocionale me vete, që nuk thotë dot jo në disa momente”. Pendesën nuk e fsheh: “Jam penduar për marrëdhënien që kam krijuar me këtë njeri.”
Në mes të lotëve, mendimi i shkon te familja e tij. I ka kërkuar falje bashkëshortes, Klaudias, dhe vajzave të tyre, “nga zemra”, por pa ia falur vetes të drejtën për dinjitet: “Nuk është e drejtë të cenohet dinjiteti im, privatësia ime.”
Pyetja që e rëndon më shumë është ajo e besimit të tradhtuar: “Si mundet një baba, një bashkëshort, një mik, një shok, një kompozitor, të vërë kamera sigurie dhe të mos vërë në dijeni ata njerëz që i besojnë?” Në një moment, sikur kërkon një shpjegim për të pashpjegueshmen, thotë: mbase edhe atij ia kanë bërë…
E ndjen veten të zhveshur para gjithë vendit, “një person të vdekur që po frymon, e kryqëzuar”, por zgjedh të mos dorëzohet: “Unë do të vazhdoj të jetoj, të bëj vepra të mira, do t’i kushtohem njerëzve në nevojë.”
Fjalën e fundit ia lë drejtësisë: “Besoj te ligji, te e vërteta dhe e drejta. Do t’ia lë në dorë drejtësisë se kush i ka krijuar dhe shpërndarë ato pamje.”
Rrëfimi i Blerina Matrakut hedh dritë mbi një klishe të marrëdhënies burrë-grua në shoqërinë ballkanike, veçanërisht atë shqiptare, ku femra dashurinë e shndërron në skllavëri të ndërgjegjshme të emocioneve dhe jetës së saj, ndërsa mashkulli merr frenat e tutorit të shpirtit dhe trupit.
Rasti “Matraku” nuk mund të jetë vetëm çështje individuale e saj, e ringritjes apo rrënimit përfundimtar, por është një këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë tonë, ku vajza “stërvitet” për të qenë viktimë e djalit dhe gruaja rritet për t’u kthyer në skllave të burrit.
Videot porno të regjisorit Hila duhet të shqyejnë ndërgjegjen e shoqërisë më shumë sesa sytë e etur për seks të saj.
Burimi: Top Channel






