Ligji që fiku 15 bashki kaloi me 85 vota. Kushtetuta kërkonte 84, tre të pestat e 140 deputetëve. Pra reforma territoriale nuk kaloi me shumicë të gjerë, siç do të donte ta shiste propaganda e pushtetit, por vetëm me një votë më shumë se minimumi i domosdoshëm. Mjaftonte që dy deputetë të shumicës të mos shtypnin butonin dhe harta e re e Shqipërisë do të kishte mbetur në sirtar.
Në listën e votimit të Kuvendit, ora 01:03 e natës së së premtes, tre emra rrinë njëri pas tjetrit si të ngjitur me zamkë: 008 Edi Rama, 009 Erion Braçe, 010 Elisa Spiropali. Të tre Pro. Rastësi renditjeje apo simbolikë e pavullnetshme?
Për Erion Braçen deri në orët e fundit, në korridoret e Kuvendit flitej se nuk ishte bindur për votën “pro” shkrirjes së 15 bashkive, ku bënin pjesë edhe Poliçani me Divjakën. Elisa Spiropali “bindjen” thuhet se e tregon sa herë vesh kostumin e kuq.
Në fund, kur erdhi momenti, të dy “rebelët” u panë me buton “PRO” krah shefit. Pa këto tre vota, ligji do të kishte marrë 82 dhe do të kishte rënë. Rreshti nuk u prish. Madje, u rendit më i sistemuar se më parë:
- Edi Rama
- Erion Braçe
- Elisa Spiropali
Ndërkohë, nga 137 deputetë të pranishëm, 18 ishin në sallë por nuk votuan. As pro, as kundër. Një prej tyre Ana Dajko e Adriatik Lapajt. Një heshtje që përputhet çuditshëm mirë me një reformë që opozita e kundërshtoi me fjalë, por e shoqëroi gjatë gjithë rrugës me Luciano Boçin, i cili u shkëput me delikatesë, te dera e votimit.
E për ata që do të paguajnë faturën, dokumentet e vetë Kuvendit flasin qartë. Nga organet vendore që u shprehën, 46 ishin kundër dhe vetëm 35 pro, ndërsa 34 nga kundërshtimet erdhën pikërisht nga bashkitë që po fiken, po shuhen, po asimilohen.
Tetë nga 12 këshillat e qarqeve nuk dhanë fare mendim, pesë nga gjashtë institucionet e pavarura heshtën, shtatë bashki nuk dërguan asnjë rresht. Megjithatë, raporti i komisionit e quajti konsultimin “të përmbushur”.
Kështu, 61 bashkitë nga dje u bënë 46. Ato do jenë torta e zgjedhjeve vendore të 2027-s. Për qytetarët e Divjakës, Klosit, Poliçanit, Libohovës, Memaliajt dhe 10 të tjerëve, kjo do të thotë një arsye më shumë për të ikur. Për t’i shkretuar ato vende që u fshinë me 3 votat pas mesnate.
Njëra votë e Edi Ramës, arkitektit të krijimit të “kullës” vendore dhe dy të tjerat, vota me sy të mbyllura, të karpentierëve të punësuar në kantierin e shkatërrimit.


Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






