Më shumë se 34 milionë qytetarë të Bashkimit Europian jetojnë në familje që shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave të disponueshme për strehimin. Rritja e çmimeve të banesave, qirave dhe energjisë po e kthen përballimin e kostove të jetesës në një sfidë gjithnjë e më të madhe. Greqia kryeson renditjen europiane për barrën e lartë të strehimit, ndërsa Shqipëria rezulton ndër vendet me përqindjen më të ulët të familjeve të varfra që përballen me këtë tregues. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shifrat duhen interpretuar me kujdes, pasi kushtet ekonomike dhe sistemet e strehimit ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin.
Çmimet e banesave në Bashkimin Europian janë rritur mesatarisht me 69% nga viti 2015 deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, sipas të dhënave të Eurostat. Në disa shtete anëtare, ato janë më shumë se dyfishuar.
Paralelisht, rritja e qirave dhe e kostove të energjisë ka shtuar presionin mbi buxhetet familjare. Këshilli Europian e ka përshkruar situatën si një krizë të nxitur nga shtrenjtimi i banesave dhe rritja e vazhdueshme e shpenzimeve të strehimit.
Një analizë e publikuar nga Euronews Business tregon se barra e strehimit ndryshon ndjeshëm mes vendeve europiane, por prek veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.
Çfarë do të thotë të shpenzosh mbi 40% të të ardhurave për strehimin?
Eurostat përdor treguesin e quajtur housing cost overburden rate, i cili mat përqindjen e popullsisë që jeton në familje ku kostot e strehimit tejkalojnë 40% të të ardhurave të disponueshme.
Në këto kosto përfshihen jo vetëm qiraja apo interesat e kredisë hipotekare, por edhe faturat e energjisë elektrike, ujit, gazit, ngrohjes, sigurimet, mirëmbajtja, riparimet dhe taksat e lidhura me banesën. Të ardhurat e disponueshme janë ato që i mbeten një familjeje pas pagimit të taksave dhe kontributeve shoqërore, duke përfshirë edhe përfitime sociale, si pensionet.
Në vitin 2025, mesatarisht 7.7% e popullsisë së Bashkimit Europian jetonte në familje ku shpenzimet e strehimit e kalonin këtë prag. Kjo nuk do të thotë se europianët shpenzojnë mesatarisht 7.7% të të ardhurave për banesën. Shifra tregon përqindjen e njerëzve që përballen me një barrë strehimi mbi 40%.
Greqia kryeson Europën, mbi një në katër banorë përballet me kosto të larta
Greqia rezulton vendi më i prekur nga barra e lartë e strehimit, mes shteteve për të cilat disponohen të dhëna. Në vitin 2025, plot 26.4% e popullsisë greke jetonte në familje që shpenzonin mbi 40% të të ardhurave të disponueshme për strehimin. Kjo përqindje është më shumë se trefishi i mesatares së Bashkimit Europian.
Pas Greqisë, ndër vendet e BE-së renditet Danimarka me 14.7%, ndërsa Gjermania dhe Suedia regjistrojnë përkatësisht 11.2% dhe 10.8%. Edhe Estonia, Çekia dhe Luksemburgu rezultojnë mbi mesataren europiane.
Jashtë Bashkimit Europian, nivele të larta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, si edhe në disa vende kandidate për anëtarësim, përfshirë Turqinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Vendet ku barra e strehimit është më e lartë
| Vendi | Popullsia që shpenzon mbi 40% të të ardhurave për strehimin |
| Greqia | 26.4% |
| Zvicra | 15.3% |
| Danimarka | 14.7% |
| Norvegjia | 13.5% |
| Gjermania | 11.2% |
| Suedia | 10.8% |
| Turqia | 10.0% |
| Estonia | 8.8% |
| Mali i Zi | 8.7% |
| Çekia | 8.2% |
| Luksemburgu | 8.1% |
| Serbia | 7.9% |
| Mesatarja e BE-së | 7.7% |
Të dhënat i përkasin vitit 2025 dhe tregojnë përqindjen e popullsisë që jeton në familje me barrë të lartë të kostove të strehimit.
Në skajin tjetër të renditjes qëndron Qiproja, ku vetëm 2.4% e popullsisë përballet me këtë nivel shpenzimesh. Norma të ulëta regjistrohen edhe në Kroaci, me 3.2%, si dhe në Slloveni e Sllovaki, me nga 3.5%. Ndër ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian, Spanja ka një normë prej 7.2%, Franca 6.4% dhe Italia 5%, të gjitha nën mesataren e BE-së.
Gjermania ka numrin më të madh të qytetarëve të prekur
Megjithëse Greqia kryeson për nga përqindja e popullsisë, Gjermania ka numrin më të madh të personave që përballen me kosto strehimi mbi pragun 40%. Sipas të dhënave të analizuara nga Euronews, rreth 9.4 milionë njerëz në Gjermani jetojnë në familje me barrë të lartë strehimi.
Turqia renditet pas saj me 8.6 milionë persona, ndërsa Franca ka 4.4 milionë, Spanja 3.5 milionë dhe Italia 2.9 milionë. Greqia, megjithëse ka një popullsi shumë më të vogël, numëron rreth 2.7 milionë persona të prekur.
Këto shifra tregojnë se problemi nuk kufizohet vetëm në vendet ku përqindja e familjeve të rënduara nga kostot është më e lartë, por prek miliona qytetarë edhe në ekonomitë më të mëdha të kontinentit.
Familjet e varfra, më të goditurat nga kriza
Situata bëhet shumë më shqetësuese kur analizohen vetëm personat në rrezik varfërie. Në Bashkimin Europian, 29.1% e kësaj kategorie jeton në familje që shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave për strehimin.
Sipas përkufizimit të Eurostat, në rrezik varfërie konsiderohen personat me të ardhura të disponueshme të ekuivalentuara nën 60% të medianës kombëtare. Në Greqi, plot 82.6% e personave në rrezik varfërie përballen me barrë të lartë të strehimit.
Kjo do të thotë se më shumë se katër në pesë persona të kësaj kategorie jetojnë në familje ku kostot e banesës tejkalojnë 40% të të ardhurave.
Edhe Danimarka regjistron një nivel shumë të lartë, prej 59.8%, e ndjekur nga Zvicra me 56.1%. Në Suedi kjo përqindje arrin në 46.8%, në Norvegji 43.8% dhe në Çeki 43.4%. Gjermania, me 35%, është mbi mesataren e BE-së, ndërsa Spanja, Franca dhe Italia rezultojnë poshtë saj.
Ku renditet Shqipëria?
Një nga të dhënat më interesante të raportimit lidhet me Shqipërinë. Sipas statistikave të Eurostat të cituara nga Euronews, Shqipëria ka një normë prej 8.2% të barrës së lartë të strehimit mes personave në rrezik varfërie. Kjo e vendos vendin ndër shtetet me treguesit më të ulët në këtë kategori.
Vetëm Qiproja regjistron një normë më të ulët, prej 7.6%, ndërsa Kroacia ka 14.9% dhe Sllovakia 15.4%.
Megjithatë, ky rezultat nuk do të thotë domosdoshmërisht se strehimi në Shqipëri është më i përballueshëm sesa në vendet e tjera europiane.
Treguesi mat raportin mes shpenzimeve të deklaruara të strehimit dhe të ardhurave të familjeve, jo çmimin e banesave në raport me pagat, mundësinë e blerjes së një apartamenti apo cilësinë e kushteve të banimit.
Gjithashtu, përqindja prej 8.2% i referohet vetëm personave në rrezik varfërie dhe nuk duhet ngatërruar me normën e përgjithshme të popullsisë shqiptare, e cila nuk ёshtё matur nё kёtё anketё.
Pse ndryshojnë kaq shumë shifrat mes vendeve?
Ekspertët shpjegojnë se barra e strehimit ndikohet nga disa faktorë, përfshirë nivelin e pagave, çmimet e pronave, tregun e qirave, politikat sociale dhe mënyrën e organizimit të sistemit të banimit.
Dr. Hannah Widmer nga ETH Zürich thotë se problemi kryesor qëndron te rritja e shpejtë e kostove të strehimit, ndërkohë që të ardhurat, veçanërisht ato të familjeve më të varfra, rriten më ngadalë. Sipas saj, familjet që marrin banesa me qira në tregun privat shpesh përballen me barrën më të madhe.
Rikke Skovgaard Nielsen, studiuese në Universitetin Aalborg, thekson se një përqindje e ngjashme e shpenzimeve për strehimin nuk ka domosdoshmërisht të njëjtin ndikim në vende të ndryshme. Për shembull, një familje në Zvicër mund të ketë shumë më tepër të ardhura të mbetura pas pagesës së qirasë sesa një familje në Greqi, edhe nëse të dyja shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave për banesën.
Ndikim kanë gjithashtu kostoja e përgjithshme e jetesës dhe mbështetja që ofrojnë sistemet sociale. Dr. Marietta Haffner nga Universiteti Teknik i Delft-it paralajmëron se rritja e çmimeve të energjisë mund të bëhet një nga faktorët kryesorë të shtimit të barrës së strehimit gjatë vitit të ardhshëm. Sipas saj, kur çmimet e banesave, qiratë, normat e interesit dhe faturat e energjisë rriten më shpejt se të ardhurat, gjithnjë e më shumë familje kalojnë pragun kritik të shpenzimeve prej 40%.
Kriza europiane e strehimit nuk lidhet, pra, vetëm me çmimin e blerjes së një shtëpie. Ajo përfshin të gjitha shpenzimet e nevojshme për të jetuar në një banesë dhe po ushtron presion të vazhdueshëm mbi buxhetet e miliona familjeve.
Burimi: Euronews Business






