Fotografia e SPAK
1 nëntori filloi me një lajm të bujshëm, pas “lodhjes” së Protestës dhe natës së maskuar të Halloweenit: Një arkëz plot me euro e kapur nga SPAK.
Në fakt ishte vetëm një fotografi e arkëzës me ngjyrë të kuqe me 50-çe eurosh, që qarkulloi në rrjet, më shpejt se videot e Ad Hilës me shoqet e tij. Ishin të Belinda Ballukut, te vila F6 në plazh…
Të gjithë filluan ekspertizën e 50-çeve. Dikush numëroi 20 topa. Një tjetër tha “janë më pak”. Pati debate dhe nëse “janë 5 mijëshe apo 10 mijëshe”.
Dilema, ishin 100 apo 200 mijë euro vazhdon të diskutohet, por fotografia e arriti qëllimin: Bela noton në para, jo vetëm në Dhërmi!
Këtë e zbuloi SPAK.
Arka me hetime dhe pastrueset
Bashkë me Belinda Ballukun, SPAK, javёn e kaluar, mё 28 Tetor, dërgoi me akuza për në gjyq 26 persona, ku përfshiheshin zyrtarë, biznesmenë të njohur, kompani dhe futbollisti i famshëm, Igli Tare.
Pretenca e SPAK iu shpërnda 26 të “pandehurve” dhe avokatëve të tyre.
Nuk kërkohet shumë imagjinatë, për të kuptuar se, njëri prej tyre mund ta ketë shpërndarë foton me euro në rrjet, bashkë me pasazhe komunikimesh të “shërbëtorëve” të Belës.
Sepse jo të gjithë biznesmenët e dosjes “Balluku” janë miq të mirë me Belindën, por të gjithë kishin një mikeshë të përbashkët: Euron.
Por ka edhe një mundësi tjetër: me përfundimin dhe njoftimin e hetimeve, kur dosja çkonfidencializohet, SPAK mund të gjejë arsye ta rrjedhë dhe mbrohet me justifikimin “Ishin ata”.
Përse duhet të dilte “arkëza” me euro në Pazar? Për të theksuar korrupsionin e kapur?
E vërteta është se bëhet fjalë vetëm për një fotografi. Asnjë euro të kapur. Asnjë arkë me para. Këtë e di fort mirë edhe juristi Gazmend Bardhi i Partisë Demokratike që ulëriste dje “arrestojeni”, bashkë me hetuesit e SPAK që shkruajnë:
“Lavdrim Smone dërgon një fotografi, në të cilën shfaqet një kuti e kuqe, në të cilën ndodhen tufa kartëmonedhash 50 euroshe, të lidhura me llastik (në dukje si në ambientet e vilës F6, në kompleksin “White Rocks”)”.
Natyrisht që, e pandehura Balluku e ka pasur një arkë ose më shumë me euro në shtëpitë e saj, si të gjithë pushtetarët e çdo kohe. Por SPAK në një dekadë pune me “metoda speciale” ka kapur deri sot vetëm fotografi, fotografët e të cilave, me shumë gjasë humbasin “memorien artistike” në sallën e gjyqit.
Zyrtarja e lartë Alda Klosi, u dënua 1 vit e 8 muaj burgim pasi Prokuroria e Tiranës e akuzoi për “refuzim të deklarimit, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurive”, me provë reale, rreth 500 mijë euro kesh, që u kapën në tubin e sobës së shtëpisë së pastrueses sё saj. Pastruesja në rastin e Klosit, nuk i fotografoi, por i vodhi topat me euro. Për këtë ajo u dënua, së bashku me djalin e saj bashkëpunëtor.
A mund të dënohet “fotografi” i Belinda Ballukut, për dëshirën për t’i pasur paratë e saj të paktën në telefon? Sigurisht që jo, as ai dhe as vetë Belinda Balluku nuk mund të dënohen për topat me euro që pështjelluan “pa të drejtë” opinionin publik.
Madje, me këto prova fotografike diskutohet edhe vetë Belinda Balluku.
Veprat penale për të cilat ajo është akuzuar se janë kryer në vitin e largët 2014, ndoshta janë në afat “të fikura”, të parashkruara. Vila me stampën F6 duket si një provë e skaduar.
SPAK raportoi gjatë verës se “ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë”, pasi dyshon se Belinda Balluku në rolin e drejtoreshës së Albcontrol në vitin 2014, ka abuzuar duke marrë përfitim të parregullt vilën F6, për një procedurë prokurimi për rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol, në këmbim të favorizimit të bërë ndaj fituesit, shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., të biznesmenit Pandi Carapuli.
Për përfitimin dhe “pastrimin” e vilës F6, SPAK akuzon bashkëpunëtorët e Ballukut, Igli Taren dhe ish-vartësen e saj në Albcontrol, Viola Haxhiademi.
Akuzat ndaj tyre edhe pse në publik duken sfiduese, bashkë me ecejaket e hyrje-daljeve nga godina e SPAK, efektet ligjore i kanë të “pambukta”.
Znj. Haxhiademi, një personazh “kyç” i akuzës, akuzohet vetëm për “Shpërdorim detyre” edhe pse është “pastruesja” në procedurën e vitit 2014; edhe pse si ish-Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë “pastronte” tenderat si ai i Tunelit të Llogarasë apo lotet e Unazës së Madhe të Tiranës; edhe pse është fqinje e shefes së saj, me një vilë tjetër, ngjitur me vilën F6.
Edhe pse është akuzuar rëndë dhe për më se dy herë i është “bastisur” telefoni me gjithë zyrë, Haxhiademi, është lejuar të vazhdojë punën e qetë, madje është ngritur në përgjegjësi, pasi emërohet drejtore e KESH më 25 dhjetor 2025.
Manteli i “prezumimit të pafajësisë” është prerë, ashtu si për shefen që duan ta shohin medoemos në “burg”, njësoj edhe për “pastruesen” e punëve të saj.
Prezumimi i fajësisë dhe qiraxhinjtë e pushtetit
Kori “Belinda burg, burg, burg” ka më se një vit që dëgjohet nga të gjitha anët. Belinda Balluku është bërë simbol i korrupsionit qeveritar. Narrativa politike, ka ushqyer atë publike, por nga ana tjetër SPAK ndjek një tjetër narracion. Në dukje është juridik.
Dosja “Balluku” ka filluar para një viti dhe mbaroi me dërgimin në gjyq brenda këtij harku kohor. Një punë e lavdërueshme hetimore, po të imagjinosh volumin e saj, sasinë e të hetuarve, të pandehurve dhe në fund të “arkës me euro”.
Përtej narrativës së burgut, ku askush nuk shkoi në burg dhe gjykimi do vazhdojë i qetë, dosja “Balluku” të krijon përshtypjen sikur duhet të mbarojë shpejt.
E pandehura kryesore për habi duket sikur është dakord me këtë “nxitim”. Ajo nuk flet, nuk kundërshton, nuk akuzon. Hyn dhe del në SPAK, ashtu si në Parlament dhe në godinën e qeverisë, me një qetësi dhe siguri të admirueshme.
Nga i buron gjithë kjo siguri? Nga akuzat e shumta?! Prezumimi i pafajësisë?
Të gjithë “kolegët” e akuzuar bashkë me Belinda Ballukun, si Arbër Abazi, Pandeli Carapuli, Paqsor Buzi, Artan Sako apo Ram Geci, bashkë me kompanitë e tyre vazhdojnë punën dhe biznesin të qetë. Asnjë problem.
Edhe në dosjet e tjera të SPAK, të gjithë biznesmenët e përfshirë me aferat e pushtetit, nuk preken. Në dosjen “Veliaj”, biznesmenët Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu vazhdojnë normalisht të korrin fitime në punën e tyre private.
Madje kompania Kontakt Sh.p.k. e CEO-s Fatmir Bektashi, i përfshirë edhe në dosjen “Berisha”, po korr suksese dhe fitime të paparashikuara, pikërisht në kohën kur akuzat e SPAK janë mbi shpinë të pronarit të saj. Fushata pozitive dhe agresive mediatike për këtë kompani, nuk përshtatet me akuzat dhe “fushatën” e SPAK.
E njëjta edhe për biznesmenin e njohur Samir Mane, të cilit SPAK i bastisi zyrat e kompanisë në qendrën “ABA Business Center” dhe e “shtrydhi” në zyrat e BKH fizikisht. Kompanitë e biznesmenit më të pasur në Shqipëri, vazhdojnë dhe operojnë me sukses të plotë, ashtu si edhe më parë.
Suksesi i të akuzuarve të SPAK, është i garantuar, për sa kohë fajësia e tyre nuk është provuar.
Atëherë, përse gjithë ky “yzhym” publik për burgosjen e të pafajshmëve?
Pas një dekade në hetim “special” struktura e posaçme që e bën atë, kuptoi se fotografia nuk është provë dhe pretenca nuk është dritare burgu. Por opinioni publik nuk e kupton, dhe dikush duhet t’ia shpjegojë.
Ai sheh Belinda Ballukun të vishet njëlloj si Ajola Xoxa apo Linda Rama, dhe nuk e kupton dallimin, apo hetimin. Sheh kollaret e Edi Ramës dhe kostumet e Ilir Metës dhe nuk di të shpjegojë ndryshimin: Përse “brekët” e njërës hetohen dhe të të tjerëve nuk gjykohen?
A nuk janë të gjithë të korruptuar?
A nuk prezumohen të gjithë të fajshëm?
Arkëza me euro rihapi një thirrje besnike të opinionit publik: Të gjithë në burg, pa përjashtim.
Fotografia që në fillim u nis për “tagji fundjave”, mund të kthehet në revolucion për vetë sistemin politik dhe juridik.
Qiraxhinjtë e pushtetit juridik, rrezikojnë të prezumohen ata vetë, të fajshëm, se përse fotografinë nuk e quajnë provë dhe pushtetin politik nuk e rrasin në burg me këtë lloj prove.
Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






