Kriza ekonomike në Kubë po merr përmasa gjithnjë e më dramatike. Në kryeqytetin Havanë, qindra qytetarë kalojnë natën në trotuare, në pritje të hapjes së kuzhinave të bamirësisë, ku mund të sigurojnë atë që për shumë prej tyre është vakti i vetëm i ditës.
Mes njerëzve që kërkojnë ndihmë nuk janë vetëm të pastrehët, por edhe pensionistë, ish-mjekë, mësues dhe qytetarë që kanë punuar gjithë jetën, por që sot nuk arrijnë të sigurojnë ushqimin e përditshëm.
Çdo natë, përpara qendrës së bamirësisë Asociación Quisicuaba, në zemër të Havanës, krijohen radhë të gjata njerëzish. Disa mbërrijnë që një ditë më parë dhe flenë në trotuar, vetëm për të qenë të sigurt se do të marrin një racion ushqimi.
Në orën 07:00 të mëngjesit, kur hapen dyert, njerëzit hyjnë duke mbajtur enë plastike të numëruara. Vullnetarët i lajnë enët, thërrasin numrat dhe shpërndajnë ushqimin sipas një organizimi të rreptë, për të përballuar numrin gjithnjë në rritje të personave në nevojë.
“Po kalojmë një periudhë jashtëzakonisht të vështirë. Duhet të vij shumë herët në mëngjes. Ndonjëherë më duhet të zë radhën që një ditë më parë”, tregon Fernando Fernández, një pensionist 71-vjeçar.
Dikur kuzhinier, roje sigurie dhe kujdestar, Fernández është sot një nga kubanët e shumtë që nuk arrijnë të sigurojnë ushqimin me të ardhurat e tyre.
Më parë ai vinte në qendrën e bamirësisë së bashku me bashkëshorten e tij 80-vjeçare, Josefa. Tani detyrohet të vijë vetëm, pasi ajo është e sëmurë.
Çifti jeton me pensionin mujor të Josefës, prej 3.200 pesos kubane, që vlen pak më shumë se 3 dollarë, si dhe me ushqimin që siguron nga qendra Quisicuaba.
Kriza e zgjatur ekonomike në Kubë është përkeqësuar nga kufizimet amerikane në sektorin energjetik, inflacioni dhe pakësimi i burimeve financiare të shtetit.
Ndërsa autoritetet po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi për të garantuar furnizimin me ushqime të subvencionuara, kuzhinat komunitare dhe qendrat e bamirësisë janë kthyer në një mbështetje jetike për mijëra qytetarë.
Të financuara dhe mbështetura nga organizata fetare, organizata ndërkombëtare humanitare dhe Kombet e Bashkuara, këto qendra ofrojnë një vakt të ngrohtë për njerëz që nuk kanë më mundësi të ushqehen rregullisht.
Qendra të ngjashme me Quisicuaba, shpesh të vendosura në ndërtesa fetare ose të lidhura me organizata besimi, janë shtuar në të gjithë ishullin gjatë viteve të fundit.
Mes njerëzve që presin në radhë është edhe Marelys Ponce, një nënë e vetme 34-vjeçare, e cila ka pesë fëmijë.
Një mëngjes, ajo mbërriti në qendër së bashku me dy prej tyre. Tre fëmijët e tjerë ndodheshin në shkollë, ku zakonisht marrin drekën.
“Kam pak më shumë se një muaj që vij këtu, sepse situata është shumë e keqe dhe nuk kam mundësi t’i ushqej”, tregon ajo, duke bërë me shenjë nga fëmijët. “Të paktën këtu marrin diçka për të ngrënë.”
Pamjet nga Havana tregojnë një realitet ku varfëria nuk prek më vetëm njerëzit pa strehë apo pa punë.
Shumica e atyre që presin në radhë kanë pasur një jetë të gjatë profesionale, ndërsa disa vazhdojnë ende të punojnë. Megjithatë, të ardhurat e tyre nuk mjaftojnë më për të përballuar nevojat më elementare.
Mes tyre gjenden edhe ish-punonjës të institucioneve shtetërore, mjekë dhe mësues në pension, të cilët dikur përfaqësonin shtyllat e shërbimeve publike kubane.
Në një vend ku shteti për dekada ka pasur rolin kryesor në garantimin e shërbimeve bazë, kuzhinat e bamirësisë po bëhen për gjithnjë e më shumë qytetarë mënyra e vetme për të siguruar një vakt të përditshëm.


Burimi: AP





