Një natë që duhej t’i përkiste futbollit europian u shndërrua në një spektakël dhune dhe huliganizmi. Tifozë të maskuar që sulmonin kundërshtarët, përleshje me policinë, karrige të shkulura nga tribunat, fishekzjarrë, përshëndetje naziste dhe tensione politike shoqëruan disa prej ndeshjeve të së enjtes në kuadër të Europa League. Nga Marseja në Batumi e deri në Sunderland, futbolli kaloi në plan të dytë.
Skenat më të rënda të dhunës u regjistruan në Francë, gjatë përballjes ndërmjet Olympique Marseille dhe skuadrës bullgare Levski Sofia, ku një grup prej 200 deri në 300 huliganësh francezë sulmuan sektorin e tifozëve kundërshtarë.

Sipas raportimeve, përplasjet kishin nisur pas provokimeve nga një pjesë e ultrasve bullgarë, disa prej të cilëve njihen për lidhjet me grupimet neonaziste. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një tifoz bullgar duke bërë përshëndetjen naziste në drejtim të tifozëve francezë.
Situata degjeneroi në përleshje masive, ku u përdorën shkopinj, tuba metalikë, shishe dhe fishekzjarrë. Sipas gazetës franceze L’Équipe, një prej huliganëve përdori edhe një fikëse zjarri për të goditur tifozët kundërshtarë.
Veçanërisht tronditëse ishin pamjet e sulmit ndaj një familjeje bullgare, ku një grua përpiqej të mbronte familjarët e saj nga goditjet e huliganëve.
Sipas autoriteteve, 11 persona mbetën të plagosur rëndë.
Ngjarja mori edhe dimension diplomatik. Presidenti francez Emmanuel Macron, i njohur si tifoz i Marsejës, dënoi dhunën gjatë një takimi me kryeministrin bullgar Rumen Radev, në kuadër të samitit europian në Bruksel.
“Ne dënojmë në termat më të fortë të mundshëm aktet e dhunës ndaj tifozëve bullgarë. Këto akte nuk do të mbeten të pandëshkuara”, deklaroi Macron.

Klubi i Marsejës dënoi gjithashtu incidentet, duke njoftuar se po bashkëpunonte me autoritetet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, në Batumi të Gjeorgjisë, përballja ndërmjet skuadrës turke Beşiktaş dhe asaj izraelite Hapoel Be’er Sheva u ndërpre për rreth 30 minuta për shkak të përleshjeve të dhunshme ndërmjet tifozëve turq dhe policisë gjeorgjiane.
Ironikisht, ndeshja ishte zhvendosur në një vend neutral pikërisht për arsye sigurie, pas konsultimeve ndërmjet UEFA-s dhe autoriteteve turke.
Përplasjet raportohet se nisën pasi tifozët e Beşiktaşit shpalosën një flamur palestinez në drejtim të tifozëve izraelitë dhe policia ndërhyri për ta larguar atë.
Situata degjeneroi në përleshje të ashpra. Forcat e sigurisë përdorën topa uji dhe spraj me piper, ndërsa tifozët shkulën karriget e stadiumit dhe i hodhën në drejtim të policisë.
Tensionet politike u reflektuan edhe në fushën e lojës, ku futbollistët e Beşiktaşit refuzuan t’u jepnin dorën kundërshtarëve izraelitë.
Pas ndërprerjes, ndeshja rifilloi dhe përfundoi me fitoren 2-1 të skuadrës turke.

Klubi i Beşiktaşit dënoi atë që e cilësoi si përdorim të forcës disproporcionale nga autoritetet e sigurisë ndaj tifozëve të tij. Edhe klubet rivale turke, Galatasaray, Fenerbahçe dhe Trabzonspor, shprehën solidaritet me Beşiktaşin.
Skena dhune u regjistruan edhe në Angli, në stadiumin “Stadium of Light”, gjatë përballjes ndërmjet Sunderlandit dhe skuadrës polake Jagiellonia Białystok.
Tifozëve të klubit polak u ishte ndaluar pjesëmarrja në ndeshje, si pasojë e një mase disiplinore të UEFA-s për incidente të mëparshme. Megjithatë, disa prej tyre kishin arritur të siguronin bileta në sektorët e rezervuar për tifozët vendas.
Sipas dëshmive të publikuara në rrjetet sociale, dhjetëra tifozë polakë u përfshinë në përleshje me mbështetësit e Sunderlandit, duke detyruar policinë të ndërhynte dhe të largonte një numër personash nga stadiumi.
Klubi anglez kishte paralajmëruar përpara ndeshjes se po monitoronte shitjen e biletave dhe se kishte anuluar ato të blera nga persona të identifikuar si mbështetës të skuadrës polake.

Tri stadiume, tri vende të ndryshme dhe tri episode që rikthejnë në vëmendje problemin e huliganizmit në futbollin europian, pavarësisht masave disiplinore, kufizimeve të tifozëve dhe protokolleve të sigurisë.
Nga ekstremizmi ideologjik te konfliktet gjeopolitike dhe rivalitetet mes tifozërive, stadiumet europiane po përballen me një problem që shkon përtej kufijve të sportit.



Burimi: The Sun





