Në përpjekjen e radhës për të nxitur lindshmërinë, qeveria finlandeze synon të ndërgjegjësojë të rinjtë për orën e tyre biologjike.
Përpjekja më e fundit e Finlandës për të rritur nivelin e lindshmërisë synon të inkurajojë studentët universitarë të ndërmarrin hapin drejt prindërimit, ose të paktën të mos e shtyjnë atë për një kohë tepër të gjatë.
Ministria e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë po investon 250 mijë euro në një projekt që synon të nxisë studentët të kenë fëmijë, duke i informuar mbi fertilitetin dhe ndikimin që kanë mbi të mosha, shëndeti dhe mënyra e jetesës. Projekti po zbatohet nga Federata e Familjeve të Finlandës dhe Shërbimi Shëndetësor i Studentëve Finlandezë (FSHS).
Sipas Teija Kulmala, drejtoreshë e shërbimeve shëndetësore dhe kryemjeke pranë FSHS-së, qëllimi kryesor është edukimi.
“Për shumë njerëz është një surprizë e madhe të mësojnë se fertiliteti i një gruaje arrin kulmin ndërmjet moshës 20 dhe 25 vjeç”, shprehet Kulmala.
Ndërkohë, studentët universitarë në Finlandë janë shpesh më të mëdhenj në moshë sesa bashkëmoshatarët e tyre në vende të tjera.
“Ata janë në një moshë kur duhet të dinë se si funksionon fertiliteti”, deklaron Reija Klemetti, drejtuese në njësinë për fëmijët dhe të rinjtë pranë ministrisë. “Shpresoj që më shumë njerëz të kuptojnë se çfarë bekimi janë fëmijët dhe sa shumë kuptim mund t’i japin jetës.”
Mesatarisht, studentët i afrohen moshës 30-vjeçare në momentin kur përfundojnë studimet universitare. Nëse njerëzit fillojnë të planifikojnë lindjen e fëmijëve vetëm në një moshë më të vonë, mundësitë për të realizuar këtë dëshirë mund të jenë më të vogla.
Studimet tregojnë se, për të pasur 90 për qind mundësi për të pasur dy fëmijë, përpjekjet për të mbetur shtatzënë duhet të fillojnë kur gruaja është 27 vjeçe. Kjo do të thotë se të paktën duhet të mendoni dhe të planifikoni se si dhe kur dëshironi të keni fëmijë.
Nga pikëpamja biologjike, as burrat nuk kanë kohë të pakufizuar. Ekziston një hendek i konsiderueshëm ndërmjet numrit të fëmijëve që njerëzit dëshirojnë të kenë dhe numrit të atyre që lindin realisht. Finlandezët dëshirojnë mesatarisht dy fëmijë, por statistikat sugjerojnë se do të kenë rreth 1,6. Me fjalë të tjera, një në çdo pesë fëmijë të dëshiruar nuk do të vijë kurrë në jetë.
Nevoja për të folur më shumë mbi fertilitetin
Trajtimet e fertilitetit janë një tjetër fushë në të cilën evidentohet nevoja për më shumë informim. Shumë njerëz e shtyjnë lindjen e fëmijëve, duke menduar se, nëse është e nevojshme, mund t’u drejtohen trajtimeve të fertilitetit. Por këto trajtime nuk mund të neutralizojnë ndikimin e moshës mbi fertilitetin.
Një nga objektivat e projektit është që fertiliteti të zërë një vend më të dukshëm në shërbimet e ofruara nga Shërbimi Shëndetësor i Studentëve Finlandezë. Për shembull, në aplikacionin e tij për telefonat celularë do të përfshihen materiale informuese dhe përmbajtje të tjera mbi fertilitetin.
Sipas Kulmala, personeli i klinikave shëndetësore për studentët mund ta trajtojë çështjen e fertilitetit edhe gjatë kontrolleve mjekësore.
“Një nga synimet e projektit është të shqyrtojë se si profesionistët e shëndetësisë mund t’i ngrenë dhe t’i diskutojnë këto çështje në një mënyrë të mbështetur në fakte dhe me respekt ndaj individit”, shprehet ajo.
Pasiguria ekonomike ndikon në vendimin e shumë njerëzve për të shtyrë krijimin e familjes.
“E kuptoj se mund të krijohet përshtypja sikur po ushtrohet presion ndaj jush për të pasur fëmijë ndërkohë që jeni ende duke studiuar, por ky nuk është mesazhi ynë. Megjithatë, është e rëndësishme të mendoni në kohën e duhur për këto çështje, që të mos zgjoheni një ditë, në moshën 36-vjeçare, duke kuptuar se dëshironi të keni shumë fëmijë, por ende nuk keni filluar as përpjekjet për të pasur të parin.”
Projekti do të vijojë deri në fund të vitit 2027.





