Nga kontrasT.al
Pas disa mizanskenash me pushim ndërmjet tyre, KLP-ja e përmbylli procesin e zgjedhjes së kreut të SPAK. Ai është Klodian Braho, një nga “kardinalët” e SPAK. Ata janë 20.
Spektakli u garantua nga xhirimi direkt i tij. Tre kamera televizive mbajtën në fokus tryezën me 11 anëtarë të KLP-së, të “zbukuruar” nga një dekor i plotë internacional. Media vendase ishte ulur gojëkyçuar pas tribunës V.I.P euro-amerikane, ku prinin përfaqësuesit e diplomacisë së SHBA, Italisë, Gjermanisë, Holandës etj.
Mbledhjen e drejtoi me një bezdi të dukshme kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, znj. Mirela Bogdani. Në tryezë mungonin stilolapsat për anëtarët votues, gotat e ujit dhe vetë shishet e ujit me logon “KLP”, e jo ato që ishin marrë me nxitim në marketin përbri Polit të Drejtësisë. Mungonte edhe etika e drejtueses që si në mimikë ashtu dhe sjellje, dukej sikur thoshte gjithë kohën: “Jepini shpejt se ngelëm këtu!”.
Në fakt ishte ngjarje epokale për amerikanët dhe gjermanët, po aq sa për italianët, anglezët dhe francezët. Edhe pse ata e kishin “fotografuar” anësinë e tyre, thuhej nëpër korridore mediash, edhe ndërhyrjen direkte për një emër, përsëri loja zhvillohej në atë tryezë. Dhe ajo duhet të dilte 7 me 3 për Dumanin e ri, e jo për Krajën e vjetër.
Adnan Xholi hapi siparin e spektaklit publik. Tregoi për karrierën e tij, për dënimet, promovimet, për të gjitha bandat që i kishte kyçur në anën tjetër, atë të burgut të përjetshëm. Një 50-vjeçar që e kishte kaluar më shumë se gjysmën e jetës duke hetuar dhe dënuar keqbërës shqiptarë, madje banditë nga ata të ’97-tës, tani kërkonte “shpërblim”. Të bëhej ai “Duman”. Retrospektiva e treguar e jetës së tij profesionale kaloi në disa faza euforie, derisa përfundoi në një ngashërim publik: “Unë dhe familja ime s’jemi më si më parë!” – tha Adnan Xholi në mbyllje. Kjo fjali e sinqertë preku. Merakosi disi edhe internacionalistët që dëgjonin në kufje “rivalin” e kardinalit të tyre të thoshte: “We are not the same!”. Mos “na lëvizin” votuesit?!
Por jo, kryetarja e KLP-së, znj. Bogdani, nuk u prek fare. Ajo e kishte votuar “Dumanin” e saj. Në fletën e votimit shënoi “Klodjan Braho”.
Doloreza Musabelliu përligji shprehjen “Nuk ka rëndësi të fitosh, por të marrësh pjesë”. Me të folurën e nxituar të studentit që mëson përmendësh, ajo nuk bindi asnjë nga tre zonjat e KLP-së t’i jepnin një votë. As mentoren e saj. Të treja votuan Klodjan Brahon. Të gjithë e dëgjuan parakalimin e sukseseve të “Prokurores së hekurt”, duke pasur në memorie dështimin e çështjes së parë të rëndësishme që regjistroi SPAK i sapokrijuar, çështjen “Thoma Gёllҫi”. Prokurorja Musabelliu e barazoi Thoma Gёllҫin me Laert Haxhiun dhe i futi të dy në burg. Gёllҫi triumfoi në Strasburg, Musabelliu humbi në KLP.
I vetmi anëtar i KLP-së, Erjon Fezullah, votoi për Elvin Gogaj, pretendentin e tretë në radhën e dëgjimit publik. Nëse Musabelliu të frikësonte me ftohtësinë e saj, kandidati Gogaj të kallte datën me përkushtimin e tij hyjnor për drejtësi. “Vetëm Ai lart” ndërmjetësonte për të si prokuror…
Fituesi i çmimit “Altin Dumani”, z. Klodjan Braho, tregoi me një qetësi që ta jep më shumë se natyra e personalitetit rezultati i paracaktuar në tavolinë, se si po krijohet “Republika e Prokurorëve”, republika që sipas Adnan Xholit është një trill mediatik.
Klodjan Braho në platformën për t’u zgjedhur kreu i SPAK njoftoi fillimin e një epoke të re me shtetin special që do ketë akuzën, policinë dhe shërbimet e tij inteligjente.
Jo pa shkak, z. Braho përmendi disa herë bashkëpunimin me kreun e BKH-sё. Joni Ketёn e zgjodhi vota dhe këmbëngulja e paraardhësit Altin Dumani.
“SPAK s’ka pasur kapacitete për vëzhgimin e personave dhe realizimin e përgjimeve në vende private. Veprimtaria e SPAK dhe BKH ka qenë e kufizuar nga institucione të tjera si Policia e Shtetit. Duhet të merren masa për krijimin e një njësie me mjete teknike të nevojshme, trajnimin e personave përkatës. Duhet të merren masa për krijimin e një njësie taktike që për çështje të caktuara BKH ta realizojë vetë ekzekutimin e masave të sigurimit”, theksoi Klodjan Braho.
Pra, SPAK dhe BKH do përgjojnë kudo dhe këdo, do hetojnë, do akuzojnë, do arrestojnë vetë, pa pasur nevojën e asnjë instance shtetërore. Policia, Prokuroria dhe Gjykata Speciale do jenë bashkë në një “shtet” të vogël në territorin e SPAK, si ai që mendohet të bëhet për Bektashinjtë. Nuk ka asnjë arsye që të mos kenë edhe ambientet e tyre të mbajtjes së të arrestuarve, “burgjet” e tyre speciale.
Të gjithë po qëndrojnë duarkryq dhe buzëqeshin me pahir, ndërsa shohin se si po krijohet “Republika e Prokurorëve”. Madje po votojnë dhe duartrokasin, ashtu si anëtarët e KLP-së sot.
Po qeveria? Edhe qeveria me kreun e saj po duartroket dhe po voton si “çeҫua” se çfarë i kërkon SPAK. Në mesin e “luftës” anti-GJKKO dhe anti-SPAK që bënte kryeministri Rama këtë vjeshtë, për mbrojtjen e njerëzve të tij nga rënia në çarkun e tyre, ai miratoi një vendim, vendimin nr. 576, që mban datën 8 tetor 2025.
Kryeministri mblodhi qeverinë e tij për të garantuar 3 vjet mbrojtje me nga dy mjete shoqëruese, me nga tre truprojë gardistë, për kreun e zgjedhur dhe atë të sapo ikur të SPAK. Vendimi i vitit 2019 e kishte lënë fakultative, në dorë të qeverisë, këtë “mbrojtje” të hekurt e të veçantë.
Kjo siguri “trupore” për krerët e SPAK dhe planet e tyre për hetimet, arrestimet dhe “burgjet” speciale duket sikur paralajmëron një erë të re anti-korrupsion në Shqipëri. Ndoshta po lajmëron krijimin e “Shtetit të Prokurorëve”.
Votimi i sotëm nxorri tym të bardhë në oxhakun e KLP-së. “Habemus Klodjanin” – që nga latinishtja është sikur të thuash “Zgjodhëm Dumanin”.

© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






