Instituti Norvegjez i Nobelit ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratës së udhëheqëses së opozitës venezueliane, María Corina Machado, e cila kishte shprehur dëshirën për ta ndarë Çmimin Nobel për Paqen me presidentin amerikan Donald Trump. Përgjigjja ishte e prerë: Çmimi Nobel nuk mund të revokohet, ndahet apo transferohet.
Kur Machado u shpall fituese e Çmimit Nobel për Paqen në tetor, vlerësimi u pa gjerësisht si një goditje simbolike ndaj regjimit të Nicolás Maduro. Por vetë Machado nxitoi t’ia dedikonte çmimin Trumpit, duke e quajtur atë “vendimtar për kauzën tonë” dhe për rrëzimin e diktaturës në Venezuelë.
Pas operacionit amerikan që çoi në kapjen e Nicolás Maduros, Machado deklaroi në Fox News se dëshironte “t’ia jepte çmimin Trumpit dhe ta ndante me të në emër të popullit venezuelian”. Trump, i njohur për ambicien e tij për të fituar Nobelin e Paqes, u shpreh se do ta konsideronte “një nder të madh” pranimin e një gjesti të tillë. Madje pritet që ai të takohet me Machadon në Uashington këtë javë.
Por ndërhyrja e Institutit Nobel ishte e menjëhershme. Në një deklaratë zyrtare, Komiteti Norvegjez i Nobelit dhe Instituti i Nobelit sqaruan:
“Pasi një Çmim Nobel shpallet, ai nuk mund të revokohet, ndahet apo transferohet te një person tjetër. Vendimi është përfundimtar dhe i vlefshëm përgjithmonë.”
Ata theksuan se as testamenti i Alfred Nobelit dhe as statutet e Fondacionit Nobel nuk parashikojnë ndonjë mundësi për të ndryshuar pronësinë e çmimit pas shpalljes. Statutet citojnë qartë:
“Nuk mund të ngrihet asnjë padi kundër vendimit të komitetit të dhënies së çmimit në Oslo.”
Instituti shtoi gjithashtu se, në parim, Komiteti i Nobelit nuk komenton deklaratat politike të laureatëve pasi çmimi është dhënë – por këtë herë u pa e nevojshme të sqarohej se rregullat nuk lënë asnjë hapësirë interpretimi.
Ndërkohë, Machado vazhdon të mbështesë hapur ndërhyrjen amerikane në Venezuelë dhe largimin përfundimtar të Maduros nga pushteti. Ajo u arratis nga vendi në dhjetor për të udhëtuar fshehurazi drejt Oslos, ku mori pjesë personalisht në ceremoninë e Nobelit.
Megjithatë, pavarësisht afrimit të saj me Trumpin, Uashingtoni deri tani ka zgjedhur të mbështesë presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez për menaxhimin e tranzicionit politik në Venezuelë, duke mos i dhënë Machado-s një rol zyrtar në drejtimin e vendit.
Kështu, ndërsa Machado mund t`ia dedikojë politikisht çmimin e saj kujt të dëshirojë, ligjërisht dhe institucionalisht Nobeli mbetet vetëm i saji — dhe dera për një “Nobel Trump” përmes transferimit simbolik është tashmë e mbyllur.
(Burimi: The Guardian)






