Seanca e sotme në Kuvend prodhoi një skenë të njohur në politikën shqiptare: palët u grindën për procedurën, u akuzuan për shkelje të Kushtetutës, por në fund ngritën të njëjtin karton.
Marrëveshja për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes u miratua me 110 vota pro, përfshirë edhe votat e Partisë Demokratike, e cila deri dje e cilësonte këtë nismë si të nxituar, personale dhe antikushtetuese.
Amendamentet për të hequr emrin e Ramës nga marrëveshja u rrëzuan. Teksti mbeti i pandryshuar. Rama u konfirmua përfaqësues i Shqipërisë në Bord.
Kryeministri mori pjesë në seancë, mbajti fjalimin, ironizoi opozitën dhe deklaroi se me votën e tyre do të ulet në Shtëpinë e Bardhë. Pastaj u largua nga salla dhe nuk mori pjesë në votim.
Pse Rama nuk votoi? A kishte punë më të rëndësishme se të ngrinte dorën për Bordin e Presidentit Trump? Apo ishte thjesht një mesazh: unë nuk kam nevojë të votoj për veten time, mjafton që ta bëni ju.
Në fund, rezultati ishte i qartë. Shqipëria futet në “listën” e Trump, në të ashtëquajturin “Bordi i Paqes”. Rama u votua si nga Belinda Balluku ashtu edhe nga Sali Berisha.
Në politikën e mjeruar shqiptare, kur “fishkëllima” vjen nga Uashingtoni edhe kur ajo s’dëgjohet mirë, të gjithë vihen në rresht për një, pa përjashtim. Edhe ata që i thërrasin kryeministrit “O derr” edhe ata që e quajnë “O pallosh” – sot u bënë bashkë për ta çuar në…Gaza!







