Nën dritat e skenës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Tirana në data 19 dhe 20 janar u rrëfye me tinguj, ngjyra dhe kujtime në koncertin artistik “Ku ka si Tirona”, një mbrëmje që solli në jetë frymën e qytetit mes muzikës dhe vallëzimit.
Si një mozaik emocionesh, shfaqja ndërthuri këngët qytetare me vallet tradicionale, duke pikturuar identitetin kulturor të kryeqytetit ndër breza. Çdo ritëm, çdo hap vallëzimi dhe çdo melodi u kthye në një kujtesë të gjallë të Tiranës elegante, plot shpirt dhe histori.
Ansambli Popullor interpretoi një repertor të zgjedhur, ku u risollën krijime të çmuara të figurave që kanë lënë gjurmë në muzikën qytetare, mes tyre edhe Muharrem Gura. Mbrëmja u pasurua nga prania e artistëve të ftuar si Irma Libohova, Armaldo Kllogjeri dhe Greta Zani, zëra që i shtuan ndjeshmëri dhe ngrohtësi kësaj feste artistike.

Energjia e skenës u përçua natyrshëm edhe në sallë, ku publiku jo vetëm duartrokiti, por këndoi e kërceu së bashku me artistët, duke u bërë pjesë e gjallë e shfaqjes dhe duke shkrirë kufirin mes skenës dhe sallës.
“Ku ka si Tirona” shënoi edhe çeljen e sezonit artistik, një homazh për traditën e kryeqytetit dhe për publikun që gjen veten në këto tinguj. Njëkohësisht, koncerti hapi ciklin e ri “Thesaret e Shpirtit”, një udhëtim kulturor që gjatë sezonit artistik 2026 do të vijojë të sjellë në skenë pasurinë shpirtërore shqiptare.
Tirana, e treguar përmes muzikës dhe vallëzimit, u shfaq si një qytet që këndon, vallëzon dhe kujton, sepse, siç thotë edhe kënga, “ku ka si Tirona”.







