Drejtoria rajonale e Kadastrës së Vlorës, me urdhër administrativ, zhvendoset nga qyteti i Vlorës në Tiranë. Ky urdhër detyron administratën ekzistuese të Kadastrës vendore që brenda datës 31.01.2026 të sistemohet në zyrat e përcaktuara nga urdhri i Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë, Lorena Goxhobellit.
Edhe pse në urdhër përcaktohet se ky vendim lidhet me rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e cilësisë së organizimit, e vërteta është se institucioni i Kadastrës së Vlorës, që mbulon një territor administrativ nga më të vlerësuarit për pasurinë dhe asetet e pasurive të paluajtshme, ka qenë i tronditur nga dorëheqjet e njëpasnjëshme të drejtuesve të saj. Skandale të shumta të ndryshimit të certifikatave dhe hartave pronësore, kryesisht në vijën bregdetare, kanë tronditur opinionin publik dhe kanë hapur procese të shumta kalvarike gjyqësore mes pronarëve dhe trashëgimtarëve dhe falsifikatorëve të shumtë.
Largimi, mbase i përkohshëm, i Kadastrës së qarkut të Vlorës nga qyteti bregdetar, pason zhvendosje të tjera të institucioneve administrative dhe shtetërore si: Gjykata e Apelit e zhvendosur në Tiranë, Gjykata Administrative e zhvendosur në Lushnjë, Drejtoria e Arsimit e zhvendosur në Fier, Drejtoria e Bujqësisë e zhvendosur në Lushnjë.
Ndërkohë që Porti i Vlorës aktualisht pothuajse është i bllokuar për shkak të një projekti investues.
Reagimet qytetare ndaj këtij shkretimi institucional të Vlorës janë të shumta dhe në shtim.
Vendimi për zhvendosjen është firmosur më 23 janar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, dhe parashikon që strukturat e mbetura të Drejtorisë Vendore të Vlorës të transferohen në godinën qendrore të ASHK-së në Tiranë, në rrugën “Jordan Misja”. Afati i ekzekutimit të urdhrit është fundi i këtij muaji.
Në realitet, procesi i largimit ka nisur prej muajsh. Drejtori dhe 25 punonjës janë transferuar që vitin e kaluar dhe aktualisht në Vlorë kanë mbetur vetëm 55 punonjës, të cilët tani duhet të zhvendosen drejt kryeqytetit. Ky vendim vjen paradoksalisht vetëm një vit pasi Kadastra e Vlorës ishte zhvendosur në një godinë të re pranë ish-Shtëpisë së Oficerëve, investim që tashmë mbetet pa funksion.
Punonjësit kanë reaguar menjëherë. Ata kanë firmosur një peticion ku kërkojnë rishikimin dhe shfuqizimin e urdhrit, duke argumentuar se transferimi është i pakonsultuar, cenon kontratat e punës dhe bie ndesh me parimin e ofrimit të shërbimeve pranë qytetarëve. Në peticion theksohet se shumica e punonjësve janë kryefamiljarë dhe se distanca 155 kilometra mes Vlorës dhe Tiranës e bën praktikisht të pamundur udhëtimin e përditshëm, duke i detyruar shumë prej tyre të braktisin vendin e punës.
Edhe politika lokale ka reaguar. Opozita e cilëson mbylljen e Kadastrës në Vlorë si vendim antikushtetues që largon shërbimet nga qytetarët dhe krijon terren për vonesa, burokraci dhe korrupsion. Nga ana tjetër, përfaqësues të mazhorancës kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar më herët për vendimin.
Ky nuk është rasti i vetëm. Shërbimet kadastrale për disa qytete të tjera, si Durrësi, Shkodra, Kavaja dhe Kruja, tashmë ofrohen nga Tirana, me argumentin se shumica e aplikimeve kryhen online. Por për qytetarët e Vlorës, largimi fizik i institucionit shihet si një tjetër goditje ndaj rolit administrativ të qytetit.
Në një kohë kur Vlora përballet edhe me bllokimin e aktivitetit në port për shkak të projekteve investuese dhe me zhvendosjen e njëpasnjëshme të institucioneve shtetërore, largimi i Kadastrës shihet nga shumë si simbol i një boshatisjeje institucionale që rrezikon ta lërë qytetin pa funksionet bazë të shërbimit publik.
Reagimet qytetare janë në rritje, ndërsa pritet të shihet nëse vendimi do të rishikohet apo transferimi do të realizohet brenda afatit të urdhëruar. Për Vlorën, kjo nuk është thjesht lëvizje zyrash — por një shqetёsim serioz për të ardhmen administrative të qytetit dhe njё pakёsim serioz i mundёsive tё punёsimit.







