Një grua u rrëzua nga dhimbja dhe humbi ndjenjat pasi ajo dhe partneri i saj u goditën 140 herë secili me bastun në një park publik në provincën Aceh të Indonezisë, në atë që konsiderohet një nga dënimet më të rënda të zbatuara vitet e fundit sipas ligjit të Sheriatit.
Ngjarja ndodhi të enjten, përpara dhjetëra qytetarëve, në provincën e Aceh-it, i vetmi rajon në Indonezi ku zbatohet një version strikt i ligjit islamik. Çifti u dënua me 100 goditje për marrëdhënie seksuale jashtë martesës dhe 40 të tjera për konsumim alkooli, vepra të ndaluara rreptësisht nga kodi penal islamik në këtë zonë.
Fotografitë nga vendngjarja tregojnë gruan të gjunjëzuar, duke u goditur vazhdimisht nga një burrë i maskuar – i ashtuquajturi “algojo” i policisë së Sheriatit – ndërsa në një tjetër moment ajo shihet duke fshirë lotët. Pas përfundimit të dënimit, gruaja humbi ndjenjat dhe u transportua me ambulancë, ndërsa partneri i saj shfaqej i përkulur nga dhimbja.

Sipas kreut të policisë së Sheriatit në Banda Aceh, Muhammad Rizal, ky është një nga rastet me numrin më të lartë të goditjeve me bastun që nga dhënia e autonomisë speciale provincës në vitin 2001. Në të njëjtën ceremoni u ndëshkuan gjithsej gjashtë persona, përfshirë edhe një oficer të policisë së Sheriatit dhe partneren e tij, të cilët morën nga 23 goditje secili pasi u kapën në një vend privat.
“Siç u premtua, nuk bëjmë përjashtime, as për anëtarët tanë. Kjo çështje njollos emrin e institucionit,” deklaroi Rizal.
“Rrrahja me bastun” gëzon ende mbështetje të konsiderueshme në Aceh dhe përdoret për të ndëshkuar një sërë veprash, përfshirë lojërat e fatit, pirjen e alkoolit, marrëdhëniet seksuale jashtë martesës dhe homoseksualitetin. Vetëm vitin e kaluar, dy burra u fshikulluan publikisht 76 herë secili pasi u shpallën fajtorë për marrëdhënie seksuale.
Dënimet zhvillohen zakonisht në sheshe publike ose pranë xhamive dhe kanë për qëllim jo vetëm ndëshkimin fizik, por edhe turpërimin publik, ndërsa turma shpesh fotografon dhe filmon ngjarjen.
Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e kanë dënuar vazhdimisht këtë praktikë. Amnesty International dhe Human Rights Watch thonë se rrahja me bastun shkel Kushtetutën e Indonezisë dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit.
“Ky është një dënim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues, që mund të përbëjë torturë sipas Konventës së OKB-së kundër Torturës,” deklaroi Amnesty International, duke theksuar se praktika shkakton dëme të rënda dhe afatgjata psikologjike tek viktimat.
Autoritetet lokale e mbrojnë zbatimin e Sheriatit si pjesë të identitetit kulturor dhe fetar të Acehit, por kritikët paralajmërojnë se dënime të tilla po dëmtojnë rëndë imazhin e Indonezisë në fushën e të drejtave të njeriut dhe po normalizojnë dhunën shtetërore ndaj qytetarëve.









