Një studim nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit të Karolinës së Veriut ka zbuluar se konsumimi i ushqimeve të pasura me yndyrë, tipike për ushqimin e shpejt ose fast food, mund të ndikojë negativisht në tru shumë më shpejt nga sa është menduar deri tani. Sipas kërkimit të publikuar në revistën shkencore “Neuron”, mjaftojnë vetëm katër ditë që të dëmtohen mekanizmat e kujtesës.
Shkencëtarët zbuluan se një grup qelizash nervore në hipokampusin e trurit, zona përgjegjëse për kujtesën, bëhen tepër aktive kur truri nuk arrin të përdorë siç duhet glukozën. Kjo mbingarkesë prish mënyrën se si truri përpunon informacionin dhe mund të shkaktojë vështirësi në kujtesë, madje edhe përpara se të shfaqen probleme si shtimi në peshë apo diabeti. Në këtë proces luan rol edhe një proteinë që kontrollon mënyrën si qelizat marrin energji.
Autorët e studimit thanë se u befasuan nga shpejtësia me të cilën reagoi truri ndaj një diete të tillë. Sipas tyre, ndryshimet në aktivitetin e qelizave nervore ndodhën pothuajse menjëherë dhe mjaftuan për të ndikuar në funksionimin e kujtesës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se efekti nuk është domosdoshmërisht i pakthyeshëm. Rikthimi i niveleve normale të glukozës në tru ndihmoi në qetësimin e neuroneve dhe përmirësoi kujtesën në modelet e studiuara. Edhe ndryshimet në dietë apo periudhat e agjërimit të ndërprerë mund të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të trurit.
Studimi paralajmëron gjithashtu se dietat e pasura me yndyrna të ngopura mund të rrisin rrezikun për sëmundje neurodegjenerative si demenca dhe Alzheimeri, veçanërisht kur lidhen me obezitetin dhe çrregullimet metabolike. Kërkimet do të vijojnë për të kuptuar nëse ndërhyrjet e hershme në stilin e jetesës mund të ofrojnë mbrojtje afatgjatë.
Ajo që hamë ndikon drejtpërdrejt jo vetëm në trup, por edhe në funksionimin e trurit, dhe efektet mund të shfaqen brenda pak ditësh.
(Burimi: ScienceDaily)






