Media shtetërore në Rusi, zakonisht e kontrolluar fort nga Kremlini për të mbështetur narrativën e presidentit Vladimir Putin, duket se po jep sinjale të pazakonta. Së fundmi, në disa platforma pranë qeverisë janë shfaqur paralajmërime më të drejtpërdrejta për problemet ekonomike dhe pasojat e luftës, një zhvillim që vëzhguesit e interpretojnë si shenjë të rritjes së shqetësimit brenda elitës ruse.
Figura të rëndësishme po përdorin mediat e afërta me shtetin për t’i dërguar mesazhe gjithnjë e më të forta Putinit. Në vend të toneve qetësuese për stabilitetin ekonomik, zëra proqeveritarë kanë nisur të flasin hapur për vështirësi financiare që mund të afrohen.
Komentatori pro-luftës Maxim Kalashnikov theksoi këtë ndryshim duke iu referuar një artikulli të botuar nga gazeta proqeveritare Moskovsky Komsomolets, ku paralajmërohej se defiҫiti buxhetor i Rusisë mund të arrijë këtë vit një rekord prej 10 miliardë rublash. Sipas tij, një raportim i tillë nuk do të publikohej pa miratimin e qarqeve të fuqishme, duke treguar se optimizmi publik po zëvendësohet nga një lloj paniku i kontrolluar.
“Do të thotë vetëm një gjë: Vladimir Vladimirovich po rrethohet nga një pjesë e elitës ruse. Ata po sinjalizojnë qartë se është koha për t’u tërhequr nga lufta. Përndryshe pritet kolaps,” shkroi Kalashnikov.
Ai argumentoi se situata ekonomike ka arritur një pikë kritike pas viteve të shpenzimeve të larta ushtarake. Sipas tij, Fondi Kombëtar i Mirëqenies është konsumuar në masë të madhe dhe nuk mund të përdoret më për të mbuluar defiҫitin në rritje.
Kalashnikov shtoi se Rusia po mbështetet gjithnjë e më shumë te rezervat e arit, të cilat tashmë po shiten. Megjithatë, një rritje e madhe e shitjeve mund të ulë çmimet globale të arit dhe të dëmtojë më tej financat shtetërore.
Me alternativat që po pakësohen, ai sugjeroi se Kremlini mund të shqyrtojë edhe përdorimin e depozitave private bankare — një hap që, sipas tij, do të ishte politikisht i rrezikshëm. “Është një veprim jashtëzakonisht i rrezikshëm që mund të çojë në trazira,” paralajmëroi ai, duke shtuar se një masë e tillë mund të kërcënojë stabilitetin e vendit dhe madje mbijetesën e qeverisë.
“Në përgjithësi, elita ruse po i bën Putinit disa pyetje të pakëndshme,” përfundoi Kalashnikov.
(Burimi: Dagens)






