Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, është vrarë së bashku me disa prej figurave më të larta të shtetit në sulmet e së shtunës të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Të dielën në mëngjes, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA konfirmoi vdekjen e 86-vjeçarit Khamenei. Sipas të njëjtit burim, në sulmin e koordinuar humbën jetën edhe vajza, dhëndri dhe nipi i tij.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian e cilësoi vrasjen e Khameneit si “një shpallje të hapur lufte kundër myslimanëve”, veçanërisht ndaj besimtarëve shiitë, duke e përshkruar ngjarjen si “prova më e madhe me të cilën përballet sot bota islame”.
Përveç Khameneit, IRNA konfirmoi edhe vrasjen e disa figurave të tjera kyçe të aparatit shtetëror dhe ushtarak iranian.
Ali Shamkhani ishte sekretar i Këshillit të Mbrojtjes së Iranit dhe një nga këshilltarët më të afërt të Khameneit. 70-vjeçari kishte mbikëqyrur edhe negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për programin bërthamor, raundi i fundit i të cilave kishte përfunduar vetëm një ditë para sulmeve.
Shamkhani kishte deklaruar publikisht se nëse çështja kryesore e negociatave ishte garancia që Irani të mos prodhonte armë bërthamore, atëherë një marrëveshje ishte e arritshme, duke iu referuar dekretit fetar të liderit suprem dhe doktrinës së mbrojtjes së vendit.
Ai ishte shënjestruar edhe në një sulm izraelit në qershor 2025, gjatë përplasjes 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit, ku fillimisht u raportua si i vrarë, por më pas u konfirmua se kishte mbijetuar me plagë të rënda. Kohët e fundit ishte emëruar në krye të Këshillit të Mbrojtjes, një strukturë e krijuar pas luftës për të koordinuar politikat e sigurisë kombëtare.

Gjenerali Abdolrahim Mousavi shërbente si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit. Ai ishte emëruar në këtë post nga Khamenei pak ditë pas sulmeve izraelite të vitit të kaluar. Më herët kishte drejtuar ushtrinë iraniane nga viti 2017 deri në 2025.
Mousavi konsiderohej një figurë qendrore në zhvillimin e raketave balistike, sistemeve me dronë dhe programeve hapësinore të kritikuara nga Perëndimi. Në mars 2023, ai u sanksionua nga SHBA, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë përdorimin e forcës kundër protestuesve gjatë trazirave të vitit 2019 në Iran.

Aziz Nasirzadeh ishte ministër i Mbrojtjes në qeverinë e presidentit Pezeshkian, e dalë nga zgjedhjet e vitit 2024. Më herët kishte shërbyer si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandant i forcave ajrore iraniane nga 2018 deri në 2021.
Gjatë përshkallëzimit të tensioneve me SHBA dhe Izraelin, Nasirzadeh kishte paralajmëruar se nëse Irani sulmohej, do të godiste bazat ushtarake amerikane në rajon. Ai kishte qenë gjithashtu kritik i ashpër ndaj operacioneve izraelite në Gaza dhe Liban, duke deklaruar se “rezistenca do ta mposhtë Izraelin”, në referencë të konfliktit të vitit 2006 me Hezbollahun.
Edhe ai ishte raportuar më parë si i vrarë në sulmet e vitit 2025, por mё pas u konfirmua se kishte mbijetuar.

Gjeneral Mohammad Pakpour ishte komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) që nga qershori 2025. I emëruar nga Khamenei, Pakpour kishte një karrierë të gjatë brenda strukturës elitare ushtarake, duke nisur nga lufta Iran-Irak në vitet 1980.
Ai kishte drejtuar forcat tokësore të IRGC për 16 vite dhe kishte mbajtur poste të rëndësishme operative brenda organizatës. Emërimi i tij në krye të Gardës Revolucionare shihej si një konsolidim i vijës së ashpër të mbrojtjes dhe sigurisë në vend.

Kush pritet t’i zëvendësojë?
Sipas televizionit shtetëror iranian, një këshill prej tre personash – presidenti Masoud Pezeshkian, kryetari i Gjykatës Supreme Gholam-Hossein Mohseni-Ejei dhe një jurist i Këshillit të Gardianëve – do të marrin përkohësisht kompetencat drejtuese të vendit deri në zgjedhjen e një lideri të ri nga Asambleja e Ekspertëve.
Alireza Arafi, një figurë fetare e Këshillit të Gardianëve, është emëruar në këshillin drejtues që do të ushtrojë funksionet e liderit suprem në këtë periudhë kalimtare. Analistët në Teheran theksojnë se struktura e IRGC dhe figura si Ali Larijani pritet të luajnë rol vendimtar në tranzicion.
Megjithëse komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare është vrarë, burime pranë kësaj strukture përmendin zëvendëskomandantin Ahmad Vahidi si një kandidat të mundshëm për të marrë drejtimin.
Vrasja e liderit suprem dhe e drejtuesve kryesorë ushtarakë dhe politikë përbën goditjen më të rëndë ndaj strukturës së pushtetit iranian në dekada, duke hapur një kapitull të ri dhe të pasigurt për të ardhmen e Republikës Islamike.
(Burimi: Al Jazeera)






