Mbretëria e Bashkuar po përballet me presion në rritje nga qytetarët e Qipros për të mbyllur bazat e saj ushtarake në ishull, pas sulmit tё paprecedentë me dron qё goditi bazën ajrore RAF Akrotiri, duke rritur frikën se vendi mund të përfshihet në konfliktin më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Protestues të shumtë dolën në rrugët e Nikozisë, duke marshuar drejt pallatit presidencial dhe duke brohoritur slogane si “jashtë bazat e vdekjes”. Demonstruesit thonë se prania ushtarake britanike e kthen ishullin në një objektiv të mundshëm në konfliktet rajonale.

“Ato janë një rrezik për sigurinë tonë dhe nuk duhet të kishin qenë kurrë këtu”, tha protestuesi Mathaios Stavrinides, duke kërkuar mbylljen e instalimeve ushtarake të krijuara në kuadër të marrëveshjes për pavarësinë e ishullit nga Britania në vitin 1960.
Tensionet u rritën pasi ministri i jashtëm i Qipros, Constantinos Kombos, konfirmoi se droni që goditi bazën ajrore ishte prodhuar në Iran dhe ishte lëshuar nga Libani, ku veprojnё Hezbollahu dhe njësi të Gardës Revolucionare iraniane.
Sipas tij, më pak se 12 orë pas sulmit, edhe dy dronë të tjerë luftarakë u interceptuan në një distancë nga ishulli. Të dyja pajisjet, sipas autoriteteve, ishin lëshuar gjithashtu nga Libani, rreth 150 milje në lindje të Qipros.
“Tani është e qartë se duhet të shohim drejt frontit libanez. Nuk mund të përjashtojmë asnjë skenar dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Kombos.
Zyrtarët qipriotë theksojnë se objektivi i sulmeve janë bazat britanike dhe jo vetë republika e Qipros. Sipas tyre, qeveria në Nikozia kishte paralajmëruar prej kohësh Londrën për rrezikun që instalimet ushtarake mund të ktheheshin në objektiv në rast përshkallëzimi të konfliktit me Iranin.
Baza ajrore RAF Akrotiri është një nga instalimet më të rëndësishme ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar jashtë territorit të saj dhe shërben si qendër kryesore për operacionet në Lindjen e Mesme.
Britania ruan rreth 3% të territorit të ishullit që nga viti 1960, kur Qipro fitoi pavarësinë nga sundimi britanik.
Pas sulmit, disa vende evropiane kanë dërguar anije luftarake dhe mjete ajrore për të forcuar mbrojtjen e ishullit. Mbretëria e Bashkuar ka dërguar gjithashtu sisteme të mbrojtjes ajrore, helikopterë Wildcat të Marinës Mbretërore dhe avionë luftarakë F-35.
Megjithatë, për shumë qytetarë qipriotë këto masa kanë ardhur shumë vonë.
“Ne nuk kemi nevojë vetëm për më shumë pajisje ushtarake. Ne kemi nevojë për siguri reale”, tha Kombos, duke theksuar se mbrojtja duhet të përfshijë të gjithë territorin e Qipros dhe jo vetëm zonat e kontrolluara nga Britania.
Ndërkohë qeveria qipriote po përballet me një nga krizat më të mëdha të sigurisë që nga 1974, kur Turqia pushtoi pjesën veriore të ishullit pas një përpjekjeje për bashkim me Greqinë.
Presidenti Nikos Christodoulides ka deklaruar se Qipro nuk ka ndërmend të përfshihet në operacione ushtarake, por nuk përjashtoi asnjë mundësi kur u pyet për të ardhmen e bazave britanike.
Ministri i mbrojtjes Vasilis Palmas tha se droni që goditi bazën arriti të depërtonte sepse fluturonte shumë ulët, rreth 1,000 metra lartësi, dhe me një shpejtësi prej 90-100 milje në orë, duke e bërë të vështirë zbulimin nga radarët.
Ndërkohë, zemërimi në rrugët e Nikozisë vazhdon të rritet. Protestuesit thonë se baza britanike nuk është vetëm një relike e periudhës koloniale, por një faktor që rrezikon sigurinë e vendit.
“Qipro nuk është platforma juaj e nisjes”, thuhej në një nga pankartat e protestës.

(Burimi: The Guardian)






