Nga kontrasT.al
Konferenca e djeshme për shtyp e mbajtur nga kryeministri Rama, ku të ftuar ishin gazetarë të mediave, të cilat i pari i qeverisë i etiketon përgjithësisht me fjalët “Kazan” ose “Tenxhere” u prish nga një debat i kryeministrit me reporteren Ambrozia Meta. Pyetjes provokuese dhe ngulmuese të gazetares për Belinda Ballukun, Edi Rama iu përgjigj me dhunë verbale, që nisi me etiketimin e gazetarit Çim Peka, akuza të rënda ndaj medias ku ai punon dhe përfundoi duke e nxjerrë jashtë konferencës gazetaren.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me një deklaratë distancuese “dënoi” masën përjashtuese nga ana e kryeministrit ndaj reporteres Meta duke shprehur rezervën për tonet e komunikimit të tij me reporterët. Asnjë fjalë për diskriminimin permanent që bën kryeministri i Shqipërisë, në çdo dalje apo shkrim publik të tij, ndaj mediave në përgjithësi dhe gazetarëve hapur kundër tij, në veçanti.
Fjalëformim apo deformim diskriminues?
Gazetari Çim Peka, ka kohë që diskriminohet nga kryeministri për dialektin, gegërishten e tij. Veçoritë leksikore të zonës veriore bëjnë që shume emra ose fjalë me “Ç” të shqiptohen me “Q”.
Çim Peka, ashtu si gazetarja Klodiana Lala, apo deputeti Ulsi Manja flasin shpesh edhe me dëshirë me dialektin e tyre krahinor gegë, ashtu sikurse Gramoz Ruçi me shokët e tij jugorë socialistë, të cilët e kanë “kënduar” shqipen dhe pushtetin në dialektin toskë.
Duke i deformuar emrin e duke i dhënë dykuptimshmëri atij, kryeministri Rama dialektin krahinor verior, kërkon ta shndërrojë (përqeshë) në dialekt racist shoqëror, me theksim të rëndë porno – politik.
Krijimi i tij i fundit “Qimbellinjtë”, që e thekson fort tek “Q”-ja, përflet dy personazhe publike, brenda një tallje sarkastike, që përmban disa ironi dhe fyerje në zhargon… për emrin ose mbiemrin e Çim Pekës dhe botuesit Irfan Hysenbelliu.
Nëse ky fjalëformim i deformuar me qëllim të pastër politik, racial, shoqëror, nuk quhet diskriminues atëherë në çfarë rasti tjetër do shfaqej më qartë se sa kaq fjala DISKRIMINIM?
Për t’i shpëtuar temës, pyetjes, përgjigjes dhe përgjegjësisë së drejtpërdrejtë në një situatë të ngarkuar me peshë publike, siç është rasti i mbrojtjes “ashiqare” publikisht të Belinda Ballukut dhe grisjes së pankartës që tundte deri dje “I love SPAK”, kryeministri degradoi konferencën për shtyp dhe e ktheu atë në konferencë turpi.
Debati publik me gazetaren Ambrozia Meta, u provokua qëllimisht prej tij, për të fshehur “Belindën” pas një masakre të madhe që u bë dhjetë vite më parë, në emër të “drejtësisë elektrike”.
Burg për korentin, liri për tenderin
Dy vepra penale janë zbërthyer e komentuar gjatë, si politikisht dhe juridikisht në debatin pozitë – opozitë.
Korrupsion, apo shkelje e barazisë në tendera dhe ankande?
Kryeministri (ashtu si dje) është kthyer në një jurist tё nivelit mbi mesatar kur flet në çdo dalje publike për “normat juridike” dhe përpiqet të zbërthejë nenet e Kodit Penal në fjalimet e tij.
Dje, në konferencën Anti-Ambrozia ai avokatoi me zjarr edhe për normat penale të “drejtësisë elektrike”.
Për nenin 137 të Kodit Penal “Vjedhja e energjisë elektrike”, që sipas kryeministrit nuk është përdorur kurrë, por KURRË për të burgosur qytetarët shqiptarë, ai e cilësoi gënjeshtër të madhe, pretendimin e gazetares Meta, e cila nga ana e saj insistoi mbi këtë fakt duke e nxjerrë kryeministrin nga “burgu” i vetëpërmbajtjes.
E vërteta? Dëshpërim, burgim, ndëshkim
Në fillim vitin 2014 fushata qeveritare “burg për vjedhësit e energjisë elektrike” u finalizua me sistemimin e nenit 137 të Kodit Penal. U parashikua një paragraf, me dinakëri, për përdoruesit familjarë, “hajdutë të korentit” nga 1 deri në 5 vjet burg nëse e bënin veprën më shumë se një herë.
Çfarë ishte burgu për vjedhje korenti?
Nëse dëmtoje matësin (aparatin) me çekiç në bokset e shtëpisë ose pallatit ose nëse ndërhyje duke i vendosur “urë” aparatit matës, një metodë e thjeshtë ndërhyrjeje nga çdo “hallexhi” korenti që nuk donte shumë teknikë apo specializim.
Qëllimi ishte “përfitimi i paligjshëm”, pra të lidhje dritat e hequra në shtëpi, sepse nuk kishe t’i paguaje… sepse ishe shumë i varfër t’i paguaje. Varfëria në këtë rast ishte qëllimi kriminal. Po përfitimi kriminal cili ishte? Për të dalë nga “burgu” i varfërisë duhet t’ia vidhje energjinë elektrike shtetit. Kështu ti nuk bëheshe i pasur, vetëm mbijetoje. Por këtë mbijetesë duhet ta paguaje me burg e me gjyq.
Sipas një statistike të Ministrisë së Drejtësisë, menjëherë pasi PS ndryshoi Kodin Penal në 2014 dhe nisi politika e burgut për “hajdutët e korentit”, gjykatat shqiptare dënuan 2206 qytetarë për ndërhyrje në matës apo konsum të paligjshëm energjie elektrike brenda njё viti. Me qindra shqiptarë të varfër përfunduan të arrestuar, “në burg pa gjyq” dhe më pas para gjykatës për disa kilovat energji të marrë jashtë matësit. Neni 137 bëri kërdinë për një dhjetëvjeçar. Statistikat tregojnë se, burgu për hir të “drejtësisë elektrike” nuk dënoi apo arrestoi asnjë kompani apo biznesmen, por vetëm qytetarë të varfër.
Neni i pakorruptuar “Balluku”
Neni 258 i Kodit Penal “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” u ndryshua në Mars 2021, duke u “rënduar”. Paragrafi i fundit i tij u bë i njëjtë në vite burg me atë të “vjedhjes së korrentit” 1 deri 5 vjet burg.
Neni “Balluku” të dënon sikur po vjedh korrentin: “…kur tenderi ose ankandi publik është mbi vlerën 800.000 lekë dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.”
Pra, kur favorizon turqit të fitojnë 40 milion euro me tender, quhet shkelje e barazisë në tendera, nuk është korrupsion. Këtë thotë kryeministri dhe ka të drejtë. Korrupsion është kur SPAK t’i kap lekët e Tunelit të Llogarasë në xhep, ose në shtëpi, e jo në telefon.
Qëllimi i “Ballukut” kur ka ndihmuar bisnesmenët turq apo shqiptarë, të fitojnë tendera rrugësh, tunelesh, portesh dhe aeroportesh, para dhe pasi ka dalë nga zyra e “Palloshit”, nuk ka qenë korruptiv dhe as kriminal. Qëllimi i saj ka qenë i sinqertë: ka “gjymtuar” disa procedura burokratike, thjesht e vetëm për të ndihmuar shoqërinë dhe shtetin. Populli e jo “Balluku” është përfituesi më i madh i tenderave të pabarabartë, askush tjetër. Dhe ky nuk është korrupsion!
Shalsjanët e kryeministrit
Me shumë emra dhe mbiemra të qeveritarëve këto 14 vite mund të bëhej një fjalorth i konotacionit erotik. Personaliteti i tyre do ndihmonte më shumë t’i grupoje se sa t’i etiketoje një nga një nëpër fjalëformime.
Një numër i madh ministrash pa asnjë identitet, politik, shoqëror, të paspikatur e të pashquar në asnjë fushë të jetës publike kanë hyrë e dalë në qeverinë e kryeministrit Rama, duke lënë pas asgjë. Ata nuk do kujtohen si emra të jetës politike, nëse nuk i kërkon me durim në regjistrin e qeverive shqiptare. Kohë pas kohe kryeministri Rama, si prestigjiator politik, i nxori nga “poturet” e tij këta “butakë”, që vegjetonin në shalët e tij.
Një shembull që përmbledh rreshtin e gjatë të “butakëve politikë” është Eduart Shalsi, biokimisti emigrant, i cili nga hiçi, vetëm duke admiruar dhe veshur çdo gjë “made in Rama”, edhe sikur veshja të mos ishte mashkullore, u bë ministër dhe katër herë rresht deputet.
Ministra të formacionit “Shalsjanët” janë emra si: Besfort Lamallari, Enea Karakaçi, Ermal Nufi, Andis Salla, Sofjan Jaupaj, Ervin Demo, Pirro Vengu, Petrit Malaj, Gent Cakaj.
Në konferencën e turpit, dje, kryeministri nuk kishte më në krah, si gjithë këto vite “velinat” e tij: Belinda Ballukun, Mirlinda Karçanajn, Dallëndyshe Bicin, Frida Krifcën, Olta Xhaçkën, Ogerta Manastirliun, Sonila Qaton apo Elisa Spiropalin. Ato ia ka rrëmbyer pothuajse të gjitha “tutori” i ri me emrin SPAK.
Ai ka zgjedhur një “velinë” të re, për ministre dhe zëdhënëse të Qeverisë, diastemiken, Erjona Ismaili.
Erjona Ismaili, gjetja më e re e kryeministrit, raportohet nga “Koha Jonë” në datë 15 Prill 2021, të ketë shkruar në Facebook për përmbytjen e Vlorës nga reshjet e asaj pranvere, si opozitare dhe vlonjate e vërtetë:
“Hajdutë të lig, pini kafe qetë-qetë, shtëpia ime është nën ujë… Refuzoj të pranoj se kjo situatë në Vlorë është natyrore, personat përgjegjës duhet të ndëshkohen ligjërisht dhe moralisht! Dëmshpërblim për çdo familje, biznes, individ! Mjaft u tallët me papërgjegjshmërinë më të madhe me gjakun dhe djersën e prindërve tanë! Në faturën mujore të ujit pagova xxx lekë ekstra për kanalizimet e syve të varvates me shokë, që ju dalshin nga vendi ishalla! Hajdutë, të lig, të papërgjegjshëm, kurva“.
Labja e panjohur, kaloi ylberin dhe zbriti në Kuvendin e Shqipërisë, duke u bërë pjesë e hajdutëve, të ligëve, tëpapërgjegjshmëve. Ndërsa për moralin e fjalës së fundit, në 29 Shtator 2025 “velina” e re e Kryeministrit mbajti një fjalim të rëndësishëm në mbrojtje të etikës parlamentare.
Karçjanet e Edmond Tupes
Leksikografi erudit Edmond Tupja, autor i “Fjalorit Erotik” të Gjuhës Shqipe nëse do thirrej në ndihmë nga opozita për një “hakmarrje” fjalëformimesh, të nxjerra nga gurra erotike popullore, me siguri të plotë do bënte një spektakël porno-politik me emra mbiemrat e pushtetarëve tanë, duke nisur me “Taqin”, babanë e ndjerë të kryeministrit shqiptar. Në dialektin “tirons” që “Qim Hajdari” (prefekti aktual i Tiranës) e flet shumë pastër, Kristaqit shkurt i thonë “Taqi”.
Mirlinda Karçanaj ashtu si Enea Karakaçi janë të akuzuar nga SPAK, por nga ana tjetër janë të dy publikisht të mbrojtur nga kryeministri. Fantazia tupjane nuk do ndalonte nisur nga emrat dhe karakteristikat e këtyre dy beniaminëve të pushtetit, të krijonte një formacion erotik duke e shndërruar çetën e “velinave” të kryeministrit të akuzuara nga SPAK, në një lojë të këndshme fjalësh, me background të lehtë sa politik, juridik aq dhe humoristik.
Karçjanet e pallatit të pushtetit u prezantuan dje me një fytyrë të re. Ajo është me fat, se do ulet disa kohë pranë kryeministrit, e zgjedhur të mos flasë, të mos mendojë, por thjesht të bëjë çfarë i thonë, ashtu si shalsjanët e tij.


© Ky është shkrim ekskluziv i kontrasT.al, i cili gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar burimin e tij.






