Ceremonia e 98-të e ndarjes së çmimeve Oscar u dominua nga filmi “One Battle After Another” i regjisorit Paul Thomas Anderson, i cili fitoi çmimin më të rëndësishëm të mbrëmjes – Filmi më i Mirë – duke mbyllur një natë të mbushur me fitore për këtë produksion.

Filmi mori gjithsej gjashtë çmime, përfshirë regjisorin më të mirë, skenarin më të mirë të adaptuar, aktorin më të mirë në rol dytësor për Sean Penn, montazhin më të mirë dhe çmimin e ri të Akademisë për kastin më të mirë. Megjithëse Penn nuk ishte i pranishëm për të marrë trofeun – Oscar-in e tretë në karrierën e tij – filmi u konfirmua si fituesi absolut i mbrëmjes.
Epopeja kinematografike, e cila shtrihet në një periudhë prej një dekade, ndjek historinë e një grupi rebelësh që luftojnë një fraksion autoritar qeveritar që grumbullon emigrantë në qendra paraburgimi në përpjekje për ta bërë Amerikën “të madhe përsëri”.
Në fjalimin e tij pasi fitoi çmimin për skenarin më të mirë të adaptuar, Anderson bëri një lidhje të drejtpërdrejtë me klimën aktuale politike.
“E shkrova këtë film për fëmijët e mi, si një kërkim faljeje për rrëmujën e botës që po ua lëmë atyre. Por edhe me shpresën se brezi i tyre do të sjellë më shumë logjikë dhe mirësjellje”, tha ai.
“Sinners” shkruan histori në Oscar
Një tjetër fitues i madh i mbrëmjes ishte filmi horror me vampirë “Sinners” i regjisorit Ryan Coogler, i cili fitoi disa çmime të rëndësishme, përfshirë aktorin më të mirë për Michael B. Jordan, skenarin më të mirë origjinal dhe operatorin më të mirë.

Fitorja e Michael B. Jordan u prit me një duartrokitje të gjatë nga publiku në Teatrin Dolby. Në fjalimin e tij, aktori përmendi ikonat që kishin hapur rrugën për aktorët me ngjyrë në Hollywood.
“Unë qëndroj këtu falë njerëzve që erdhën para meje,” tha Jordan, duke përmendur emra si Sidney Poitier, Denzel Washington, Halle Berry, Jamie Foxx, Forest Whitaker dhe Will Smith.
Fitore të tjera të rëndësishme
Aktorja Jessie Buckley fitoi çmimin për aktorën më të mirë për rolin e saj në filmin “Hamnet”, duke përmbyllur një sezon shumë të suksesshëm çmimesh.
Ndërkohë, çmimi për filmin më të mirë ndërkombëtar shkoi për “Sentimental Value” të regjisorit norvegjez Joachim Trier, i cili në fjalimin e tij kritikoi politikanët që nuk marrin seriozisht përgjegjësinë ndaj brezave të rinj.
“Të gjithë të rriturit janë përgjegjës për të gjithë fëmijët. Le të mos votojmë për politikanë që nuk e marrin seriozisht këtë,” tha Trier.

Një natë me tone të forta politike
Ceremonia, e drejtuar nga Conan O’Brien, ishte një nga më politiket e viteve të fundit. Në monologun hapës, ai paralajmëroi publikun se mbrëmja mund të kishte tone politike.
“Ju paralajmëroj, sonte mund të bëhet politikё,” tha ai me humor, duke bërë edhe shaka për Donald Trump dhe mënyrën se si ai vendos emrin e tij mbi institucione.
Momente të forta erdhën edhe nga aktorë dhe regjisorë në skenë. Aktori Javier Bardem, ndërsa prezantonte çmimin për filmin ndërkombëtar, deklaroi hapur: “Jo luftës dhe pro Palestinës së lirë.” Salla shpërtheu menjëherë në duartrokitje.

Mesazhe për luftën, armët dhe të drejtat civile
Një nga momentet më emocionale erdhi gjatë ndarjes së çmimit për dokumentarin më të mirë të shkurtër, për filmin “All the Empty Rooms” të Netflix, që trajton dhomat e fëmijëve të vrarë në të shtënat në shkolla.
Gloria Cazares, nëna e një prej viktimave, tha me lot në sy:
“Vajza ime Jackie ishte nëntë vjeç kur u vra. Që nga ajo ditë, dhoma e saj ka mbetur e ngrirë në kohë. Dhuna me armë është tashmë shkaku numër një i vdekjes tek fëmijët dhe adoleshentët.”
Ndërkohë, dokumentari “Mr Nobody Against Putin”, fitues i çmimit për dokumentarin më të mirë me metrazh të gjatë, kritikoi hapur pushtetin dhe kontrollin e mediave nga oligarkët.
Mesazhe nga Lindja e Mesme dhe Irani
Në tapetin e kuq, disa regjisorë nga Lindja e Mesme mbajtën spila që kërkonin armëpushim të përhershëm në luftën Izrael-Gaza. Aktori palestinez Motaz Malhees, protagonist i filmit “The Voice of Hind Rajab”, nuk mundi të merrte pjesë në ceremoni për shkak të ndalimit të udhëtimit nga SHBA.
“Mund të bllokosh një pasaportë, por nuk mund të bllokosh një zë,” shkroi ai.
Edhe regjisorët iranianë të dokumentarit “Cutting Through Rocks” shprehën solidaritet me popullin iranian.
“Ndryshimi është i mundur nga brenda,” tha bashkëregjisorja Sara Khaki.
Debati për inteligjencën artificiale në Hollywood
Gjatë ceremonisë pati edhe kritika ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale në industrinë e filmit. Aktori dhe komediani Will Arnett deklaroi gjatë prezantimit të çmimeve të animacionit:
“Sonte festojmë njerëzit, jo inteligjencën artificiale. Animacioni është një formë arti që meriton të mbrohet.”
Një reklamë satirike gjatë ceremonisë ironizoi gjithashtu përdorimin e AI për të përshtatur filmat klasikë për formatet vertikale të telefonave.
Oscarët në një botë të trazuar
Në fund të mbrëmjes, Conan O’Brien mori një ton më serioz, duke reflektuar mbi situatën globale.
“Të gjithë ata që po na shohin në mbarë botën e dinë se këto janë kohë shumë kaotike dhe të frikshme. Por çdo film që festojmë sonte është rezultat i mijëra njerëzve nga vende të ndryshme që bashkohen për të krijuar diçka të bukur.”
Në një natë ku arti, politika dhe realiteti global u përzien më shumë se kurrë, Oscar 2026 tregoi se Hollywoodi nuk po qëndron më larg debatit publik – përkundrazi, po bëhet një nga zërat më të fortë në të.






