Një nga çështjet më tronditëse që ka përfshirë ndonjëherë familjen mbretërore të Norvegjisë po shkon drejt fundit, me prokurorët që kërkojnë më shumë se shtatë vite burg për Marius Borg Høiby, djalin e princeshës së kurorës Mette-Marit, i akuzuar për një seri të gjatë veprash penale të rënda.
Në ditën e parafundit të një gjyqi që ka zgjatur mbi gjashtë javë në Gjykatën e Oslos, prokuroria deklaroi se e konsideron 29-vjeçarin fajtor për 39 nga 40 akuzat ndaj tij. Lista e akuzave është e rëndë dhe përfshin katër raste përdhunimi, dhunë në familje, shkelje të urdhrave të mbrojtjes, sulme fizike, si dhe vepra që lidhen me drogën dhe drejtimin e automjeteve në shkelje të ligjit. Vetëm një akuzë, ajo për shkeljen e një urdhri kufizues, është rrëzuar.
Vetë Høiby ka pranuar disa shkelje më të lehta, por ka mohuar kategorikisht akuzat për përdhunim, të cilat përbëjnë edhe thelbin e çështjes penale ndaj tij. Vendimi përfundimtar pritet të marrë kohë, pasi gjyqtarëve mund t’u duhen disa muaj për të dalë me një verdikt pas përfundimit të seancave.
Gjatë gjyqit kanë dëshmuar disa nga viktimat e dyshuara, mes tyre edhe ish-partnerja e tij, influencuesja dhe figura e njohur e reality show-ve, Nora Haukland, duke e kthyer çështjen në një nga më të ndjekurat nga mediat, jo vetëm në Norvegji, por edhe ndërkombëtarisht.
Prokuroria ka kërkuar një dënim konkret prej shtatë vjet e shtatë muaj burg, si dhe masa shtesë: ndalim kontakti për dy vite me një nga viktimat e dyshuara, konfiskimin e pajisjeve elektronike si tre iPhone dhe një MacBook, heqjen e lejes së drejtimit dhe ndalim drejtimi për dy vite, pas së cilës ai do të duhet të kalojë sërish provimin.
Prokurorja e çështjes theksoi se bëhet fjalë për “akte shumë serioze”, ndër më të rëndat në kodin penal norvegjez, duke kërkuar një reagim të fortë dhe të qartë nga drejtësia. Sipas saj, edhe pretendimet se i pandehuri ka filmuar abuzimet e dyshuara përbëjnë një agravim të rëndë të veprës penale dhe një shkelje të rëndë të integritetit të viktimave.
Ndërkohë, avokati i policisë ka kundërshtuar çdo mundësi lehtësimi të dënimit për shkak të vëmendjes së madhe mediatike, duke theksuar se fakti që i pandehuri është një figurë publike nuk duhet të ndikojë në uljen e përgjegjësisë penale.
E gjithë kjo çështje ka vendosur familjen mbretërore norvegjeze në një krizë të thellë reputacioni. Nëna e tij, princesha e kurorës Mette-Marit, është gjithashtu nën presion publik pas publikimit të disa emaileve që lidhen me kontaktet e saj me Jeffrey Epstein, çka ka shtuar edhe më shumë vëmendjen dhe kritikat ndaj familjes mbretërore. Pallati mbretëror ka bërë të ditur se ajo nuk do të marrë pjesë në një vizitë të ardhshme shtetërore për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore.
Rasti Høiby nuk është më vetëm një çështje penale individuale, por një krizë që prek drejtpërdrejt imazhin dhe besueshmërinë e institucionit monarkik në Norvegji, duke e vendosur atë përballë një prej sfidave më të mëdha në vitet e fundit.
(Burimi: The Guardian)






