Një studim i ri shkencor ka sjellë një lajm premtues për shëndetin e trurit: një regjim ushqimor i njohur si dieta MIND mund të ngadalësojë plakjen e trurit me më shumë se dy vite, duke ndikuar drejtpërdrejt në strukturat kyçe që lidhen me kujtesën dhe funksionet njohëse.
Dieta MIND, një kombinim i dietës mesdhetare dhe asaj DASH (e njohur për efektet pozitive në zemër dhe tensionin e gjakut), fokusohet te ushqime specifike që mbrojnë trurin dhe reduktojnë rrezikun e demencës. Në qendër të saj janë manaferrat, perimet me gjethe jeshile, fasulet, peshku, shpendët, drithërat e plota, arrat dhe vaji i ullirit, ndërsa kufizohen ndjeshëm yndyrnat e ngopura si gjalpi, djathi, mishi i kuq dhe ushqimet e skuqura.
Sipas studimit, i cili ndoqi mbi 1,600 të rritur për rreth 12 vite në kuadër të Studimit të Zemrës Framingham, ata që i përmbaheshin më shumë kësaj diete shfaqnin një tkurrje më të ngadaltë të lëndës gri në tru – pjesa që përmban qelizat nervore të lidhura me të menduarit, kujtesën dhe vendimmarrjen. Çdo rritje në respektimin e dietës shoqërohej me deri në 20% më pak humbje të kësaj pjese të trurit, duke u përkthyer në një vonesë prej rreth 2.5 vitesh në plakjen e tij.
Një tjetër gjetje e rëndësishme lidhet me ventrikujt – hapësirat e mbushura me lëng në tru që zgjerohen me moshën dhe lidhen me rënien e aftёsisё njohëse. Tek pjesëmarrësit që ndiqnin dietën MIND, ky zgjerim ndodhte më ngadalë, duke ulur ritmin e plakjes së trurit me rreth një vit tjetër.
Studiuesit theksojnë se ndikimi më i fortë pozitiv u vu re nga konsumimi i manaferrave dhe mishit tё shpendëve. Manaferrat, të pasura me antioksidantë, ndihmojnë në mbrojtjen e trurit, ndërsa shpendët ofrojnë proteina cilësore që mbështesin funksionin e tij. Në të kundërt, konsumimi i ëmbëlsirave dhe ushqimeve të skuqura lidhej me përshpejtim të plakjes së trurit dhe dëmtim të zonave që lidhen me kujtesën, si hipokampusi.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon drejtpërdrejt lidhjen shkak-pasojë. Sipas tyre, është e mundur që personat me tru më të shëndetshëm të kenë bërë zgjedhje më të mira ushqimore që në fillim. Pavarësisht kësaj, konsensusi shkencor mbetet i qartë: një regjim ushqimor i shëndetshëm, i bazuar kryesisht në produkte natyrale dhe të pasura me vlera ushqyese, është një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur trurin me kalimin e viteve.
Në fund, studiuesit theksojnë se nuk është një ushqim i vetëm që bën diferencën, por modeli i përgjithshëm i të ushqyerit – një qasje që mund të rezultojë kyçe për ruajtjen e shëndetit mendor dhe parandalimin e sëmundjeve neurodegjenerative.
(Burimi: CNN)






