Ndryshimet klimatike po sjellin pasoja të reja në shëndetin e fëmijëve, duke zgjatur ndjeshëm sezonin e alergjive ndaj polenit dhe duke e bërë atë më të vështirë për t’u menaxhuar.
Alergjitë ndaj polenit janë tashmë ndër shkaqet kryesore të bllokimit tё rrugёve tё frymёmarrjes tek fëmijët, duke prekur deri në 2.7 milionë të mitur. Sipas të dhënave nga Spitali i Fëmijëve “Bambino Gesù” në Romë, numri i rasteve është në rritje të vazhdueshme që prej vitit 2022, me mbi 5,800 diagnoza të reja çdo vit.
Ekspertët theksojnë se temperaturat më të larta po bëjnë që sezoni i polenit të nisë më herët dhe të zgjasë më shumë, duke e bërë pothuajse të pamundur dallimin e periudhave “të pastra” pa alergjenë në ajër.
“Sezoni i polenit është bërë më i gjatë dhe më pak i dallueshëm, çka do të thotë se fëmijët përjetojnë simptoma më herët dhe për periudha më të gjata,” shpjegon Alessandro Fiocchi, drejtues i departamentit të alergjisë në këtë spital.
Situata bëhet edhe më komplekse pasi shumë fëmijë nuk janë alergjikë vetëm ndaj një lloji poleni, por ndaj disa njëkohësisht. Me sezonet që tashmë mbivendosen, vetëm vëzhgimi i simptomave nuk mjafton më për të identifikuar shkakun e alergjisë.
Ndryshimi i klimës po favorizon gjithashtu përhapjen e bimëve të reja alergjike, si ambrosia, si dhe rritjen e mykut në mjedis. Në të njëjtën kohë, fenomenet ekstreme të motit, si stuhitë intensive, mund të përqendrojnë polenin në ajër, duke rritur rrezikun për kriza astmatike.
Përballë kësaj situate, mjekët po i drejtohen gjithnjë e më shumë diagnostikës molekulare, një metodë më e avancuar që identifikon jo vetëm burimin e alergjisë, por edhe përbërësit specifikë që e shkaktojnë atë. Kjo lejon një trajtim më të saktë dhe të personalizuar për pacientët, përfshirë edhe imunoterapinë.
Zhvillimet e reja teknologjike në këtë fushë mundësojnë analizimin e qindra alergjenëve njëkohësisht, duke krijuar një “hartë” të detajuar të ndjeshmërisë së pacientit dhe duke rritur efektivitetin e trajtimit.
Ndërsa klima vijon të ndryshojë, ekspertët paralajmërojnë se alergjitë sezonale nuk do të jenë më aq “sezonale” sa dikur, duke u kthyer në një sfidë gjithnjë e më të përhershme për shëndetin publik, sidomos për fëmijët.
(Burimi: ANSA)






