Një fenomen i pazakontë po zhvillohet mbi Arktik, ku vorbulla polare është dobësuar dhe po përjeton një çrregullim të paprecedentë për këtë periudhë të vitit. Në të njëjtën kohë, një El Niño jashtëzakonisht i fuqishëm po ndikon në atmosferën globale, duke krijuar një përplasje mes dy fenomeneve që mund të përcaktojnë se sa i ftohtë apo i ngrohtë do të jetë dimri në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Shkencëtarët po përballen me një situatë të rrallë meteorologjike, pasi vorbulla polare ka shfaqur shenja shpërbërjeje më herët se në çdo rast të regjistruar më parë.
Vorbulla polare është një sistem erërash shumë të fuqishme që qarkullon në lartësi rreth 16 deri në 48 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, duke mbajtur ajrin e acartë të përqendruar rreth Polit të Veriut.
Kur ky sistem dobësohet, masat e ftohta arktike mund të zhvendosen drejt jugut, duke shkaktuar ulje të ndjeshme të temperaturave në Europë, Shtetet e Bashkuara dhe rajone të tjera të Hemisferës Veriore.
Gjatë javëve të fundit, atmosfera mbi Arktik ka pësuar një ngrohje të papritur dhe të fortë në stratosferë, një fenomen që mund të ndryshojë drejtimin e erërave të vorbullës polare dhe të favorizojë depërtimin e ajrit të ftohtë drejt zonave më jugore.
Normalisht, ngjarje të tilla ndodhin nga janari deri në mars. Rekordi i mëparshëm për shfaqjen më të hershme ishte 28 nëntori, i regjistruar në vitet 1968 dhe 2025.
“Ky vit është jashtëzakonisht i veçantë”, deklaroi meteorologia Andrea Lopez Lang nga Universiteti Wisconsin-Madison, duke theksuar se shkencëtarët nuk kanë të dhëna historike të mjaftueshme për të parashikuar me siguri pasojat e një çrregullimi kaq të hershëm.
Shenjat e para të dimrit janë ndier tashmë në pjesë të Amerikës së Veriut dhe Europës, ku masa ajri arktik kanë sjellë temperatura dukshëm më të ulëta se normalja sezonale.
Në lindje të Shteteve të Bashkuara, temperaturat pritet të zbresin rreth 5.5 deri në 7.8 gradë Celsius nën mesataren e mesit të nëntorit, ndërsa anomali të ngjashme të të ftohtit parashikohen edhe në Europën Veriore dhe Veriperëndimore.
Megjithatë, kjo valë e parë e të ftohtit nuk pritet të zgjasë shumë. Ekspertët paralajmërojnë se ndikimet më të rëndësishme të çrregullimit të vorbullës polare mund të shfaqen pas disa javësh, në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit.
Klimatologu Judah Cohen nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit (MIT) e përshkruan të ftohtin aktual si një “paragjellë”, ndërsa ndikimi kryesor mund të vijë më vonë.
Por situatën e ndërlikon fenomeni El Niño, i cili karakterizohet nga ngrohja e ujërave sipërfaqësore në Paqësorin ekuatorial dhe ndikon në qarkullimin atmosferik në mbarë planetin.
El Niño zakonisht favorizon temperatura më të larta në disa rajone dhe mund të zbusë efektet e vorbullës polare.
Sipas meteorologes Lopez Lang, ndikimi i El Niño-s mund të jetë aq i fuqishëm sa valët e të ftohtit të mbeten brenda kufijve të zakonshëm të dimrit.
Edhe Amy Butler, shkencëtare në Administratën Kombëtare Amerikane të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA), vlerëson se gjatë muajit të ardhshëm ka më shumë gjasa për temperatura mbi mesataren në pjesën veriore të SHBA-së.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët bien dakord. Judah Cohen thekson se fuqia e El Niño-s nuk e përjashton mundësinë e valëve të forta të të ftohtit, pasi gjithçka do të varet nga sjellja e vorbullës polare.
Një tjetër faktor është ngrohja globale, e cila ka bërë që dimrat të jenë mesatarisht më të ngrohtë se disa dekada më parë.
Shkencëtarët vlerësojnë se vorbulla polare mund të rifitojë shpejt fuqinë pas këtij çrregullimi, por nuk përjashtohet mundësia e dobësimeve të tjera gjatë dimrit.
Për momentin, mbetet e paqartë se cili fenomen do të ketë ndikimin më të madh në motin e muajve të ardhshëm.
“Atmosfera po krijon kushtet për një eksperiment”, shprehet Lopez Lang, duke e cilësuar këtë dimër një mundësi të rrallë për të kuptuar më mirë ndërveprimin mes El Niño-s dhe vorbullës polare.
Burimi: CNN




