Irani ka ekzekutuar tre të rinj të akuzuar për vrasjen e oficerëve të policisë gjatë protestave antiqeveritare, në një zhvillim që shënon varjet e para të lidhura drejtpërdrejt me demonstratat e fundit kundër regjimit.
Mes të ekzekutuarve ishte edhe adoleshenti Saleh Mohammadi, një mundës i talentuar dhe anëtar i ekipit kombëtar të Iranit, sipas burimeve të cituara nga media ndërkombëtare. Bashkë me të u ekzekutuan edhe Mehdi Ghasemi dhe Saeed Davoudi.

Ekzekutimet u kryen të enjten në mëngjes në provincën veriore të Qom, pasi Gjykata Supreme iraniane konfirmoi dënimet me vdekje. Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Tasnim, të tre u shpallën fajtorë për vrasjen e dy oficerëve të policisë në sulme të ndara, si dhe për akuzën e rëndë “moharebeh” – luftë kundër Zotit, një dispozitë që përdoret shpesh nga autoritetet për të dënuar protestues dhe kundërshtarë politikë.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut pretendojnë se të rinjtë janë detyruar të rrëfejnë nën tortura dhe se procesi gjyqësor nuk ka qenë i drejtë, duke ngritur shqetësime të forta për mënyrën se si janë dhënë dënimet kapitale.
Këto ekzekutime vijnë në një moment tensioni të lartë në vend, pas protestave mbarëkombëtare që shpërthyen fillimisht në dhjetor dhe u përshkallëzuan në janar. Demonstratat, të nxitura nga kriza ekonomike dhe rritja e kostos së jetesës, u përhapën në rreth 180 qytete dhe u kthyen shpejt në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj regjimit.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, reagimi i autoriteteve ishte jashtëzakonisht i ashpër. Organizata Hrana raporton se të paktën 7,000 persona janë vrarë gjatë shtypjes së protestave, mes tyre edhe qindra të mitur.
Vetëm një ditë para këtyre ekzekutimeve, Irani kishte varur edhe një shtetas me dy shtetësi, iraniane dhe suedeze, Kouroush Keyvani, i dënuar për spiunazh për Izraelin. Suedia reagoi ashpër, duke deklaruar se procesi ndaj tij nuk kishte qenë i drejtë dhe nuk plotësonte standardet ligjore.
Situata në Iran vijon të përkeqësohet, me vendin që po përballet njëkohësisht me presion të brendshëm nga rreziku i shpёrthimit sёrish tё protestave dhe përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin, duke e futur rajonin në një spirale të re tensioni dhe pasigurie.
(Burimi: BBC)






