Pushuesit europianë paralajmërohen për një verë më të shtrenjtë dhe më të pasigurt, pasi lufta në Lindjen e Mesme po rrit ndjeshëm çmimet e karburantit për avionët dhe po kërcënon furnizimet globale.
Sipas drejtuesve të industrisë ajrore, nëse konflikti SHBA–Izrael me Iranin vazhdon, rritja e kostove do të transferohet drejtpërdrejt te pasagjerët, duke sjellë bileta më të shtrenjta dhe madje anulime fluturimesh.
Në Britaninë e Madhe, ministrat po hartojnë plane emergjence për një mungesë të mundshme të karburantit për avionët. Një burim qeveritar u shpreh se furnizimi mund të “kufizohet”, ndërsa autoritetet po përgatiten për çdo skenar nëse situata përkeqësohet.
Kriza është përshpejtuar nga rritja rekord e çmimeve të karburantit në Europë, që janë pothuajse dyfishuar krahasuar me periudhën para konfliktit. Një faktor kyç mbetet Ngushtica e Hormuzit, nga ku kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë, dhe ku çdo bllokadë nga Irani mund të godasë drejtpërdrejt furnizimet globale.
Drejtuesit e kompanive ajrore paralajmërojnë se rritja e çmimeve është e pashmangshme. Shefi i EasyJet, Kenton Jarvis, tha qartë: “Po, çmimet e biletave do të rriten.” Ai theksoi se industria operon me fitime minimale dhe çdo rritje e kostos së karburantit detyron kompanitë të reagojnë.
“Mesazhi për udhëtarët është i qartë: rezervoni sa më herët të jetë e mundur,” shtoi ai.
Edhe Ryanair paralajmëron probleme në fund të sezonit veror nëse konflikti zgjatet. Shefi i saj, Michael O’Leary, tha se situata mbetet e pasigurt, por nëse kriza vazhdon për disa muaj, ndikimi do të jetë i pashmangshëm.
Ndërkohë, disa linja ajrore kanë filluar të ndjejnë efektet. Kompania skandinave SAS është bërë e para në Europë që anulon fluturime për shkak të rritjes së papritur të kostove të karburantit. Air France-KLM dhe SAS kanë paralajmëruar gjithashtu rritje të çmimeve, ndërsa Finnair ka ngritur shqetësime serioze për mungesë furnizimi.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse rezervat e karburantit të blera më parë me çmime më të ulëta fillojnë të shterojnë, kompanitë do të detyrohen ose të rrisin çmimet, ose të anulojnë linja të caktuara, veçanërisht fluturimet e gjata.
Çmimi i naftës ka kaluar tashmë 100 dollarë për fuçi dhe ka paralajmërime se mund të arrijë deri në 200 dollarë nëse tensionet përshkallëzohen më tej. Në këtë situatë, edhe vende si Vietnami kanë paralajmëruar anulime të mundshme fluturimesh, ndërsa Kina dhe Tajlanda kanë nisur të kufizojnë eksportet për të ruajtur rezervat e tyre.
Edhe Britania e Madhe mbetet e ekspozuar, pasi mbështetet në importet e karburantit nga vendet e Gjirit dhe ka kapacitete të brendshme që mbulojnë vetëm një të tretën e kërkesës.
Nëse kriza vazhdon, vera e këtij viti mund të jetë një nga më të kushtueshmet dhe më të paqëndrueshmet për udhëtarët.
(Burimi: Daily Mail)






