Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, është vënë nën hetim nga të paktën dy prokurori federale në Shtetet e Bashkuara, në një zhvillim që mund të ketë pasoja të forta politike dhe diplomatike.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, hetimet po zhvillohen nga zyrat e prokurorëve në Manhattan dhe Brooklyn, me përfshirjen e agjentëve të DEA-s dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Hetuesit po shqyrtojnë, ndër të tjera, nëse Petro ka pasur kontakte me trafikantë droge dhe nëse fushata e tij presidenciale ka marrë financime nga burime të paligjshme.
Hetimet janë ende në fazat e hershme dhe nuk është e qartë nëse do të çojnë në ngritjen e akuzave penale.
Megjithëse nuk ka prova që Shtëpia e Bardhë ka nxitur drejtpërdrejt këto hetime, marrëdhënia e tensionuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Petros e bën situatën edhe më të ndjeshme. Trump e ka kritikuar shpesh homologun kolumbian, duke e quajtur atë “një njeri të sëmurë”, dhe mund ta përdorë këtë hetim si mjet presioni në raportet dypalëshe.
Kolumbia është prodhuesi më i madh i kokainës në botë dhe një aleat kyç i SHBA-së në luftën kundër narkotrafikut, çka i jep çështjes një dimension të rëndësishëm strategjik.
Sipas raportimeve në Kolumbi, persona të lidhur me trafikun e drogës kanë tentuar të kanalizojnë fonde drejt fushatës së Petros, madje përmes djalit të tij. Ky i fundit ka pranuar se para të paligjshme kanë hyrë në fushatë, por autoritetet kolumbiane nuk kanë ngritur akuza ndaj vetë presidentit. Petro i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.
Hetimi zhvillohet në një moment të ndjeshëm, ndërsa Kolumbia po përgatitet për zgjedhjet presidenciale në maj. Petro, presidenti i parë i majtë në historinë e vendit, nuk mund të kandidojë për një mandat të dytë, por ka mbështetur një pasardhës të zgjedhur prej tij.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kolumbisë kanë kaluar nga tensioni në një përpjekje për normalizim muajt e fundit. Pas përplasjeve publike dhe kërcënimeve me sanksione, dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike në janar dhe më pas Petro vizitoi Shtëpinë e Bardhë.
Megjithatë, hetimi i ri rrezikon të rikthejë tensionet dhe të ndikojë jo vetëm në politikën e brendshme kolumbiane, por edhe në balancat e fuqisë në rajonin e Amerikës Latine.
(Burimi: NYT)






