Një zbulim i pazakontë në një kopsht në Devon ka rikthyer në vëmendje një nga rastet më të errëta të epokës viktoriane. Paul Phillips, 49 vjeç, beson se qeni i tij, një labrador i quajtur Stanley, mund të ketë gjetur një provë që lidhet me një vrasje të bujshme të vitit 1865.
Stanley zbuloi një shishe qelqi blu të groposur në tokë pranë shtëpisë së tyre në Clyst Honiton, mbi të cilën shkruhej: “Nuk duhet të pihet”. Fillimisht, Phillips e pa si një objekt interesant, por pas pastrimit dhe kërkimeve të mëtejshme, ai e lidhi zbulimin me historinë e Mary Ann Ashford, e dënuar për helmimin e bashkëshortit të saj, William Ashford.

Rasti daton në vitin 1865, kur Mary Ann Ashford u akuzua për vrasjen e burrit të saj me arsenik. Sipas raportimeve të kohës, ajo dyshohej se kishte planifikuar krimin për të përfituar nga trashëgimia dhe për të nisur një jetë të re me një burrë shumë më të ri, me të cilin kishte një lidhje jashtëmartesore.
Pas një gjyqi të zhvilluar në vitin 1866 në Devon, jurisë iu deshën vetëm pak minuta për ta shpallur fajtore. Ekzekutimi i saj në Exeter, para rreth 20,000 njerëzve, u bë famëkeq për mënyrën e dhimbshme dhe të zgjatur, duke ndikuar më pas në fundin e varjeve publike në Angli në vitet 1860.

Phillips thotë se pasi zbuloi shishen, bëri menjëherë lidhjen me këtë histori. Ai shton se kërkimet tregojnë se shishet blu të helmimit filluan të përdoren pikërisht në mesin e shekullit të 19-të, çka përkon me periudhën e krimit.
“E pastruam dhe më kujtoi menjëherë diçka për një vrasje. Kur kërkova, dola te rasti i Mary Ann Ashford. Nuk e di pse do të ishte varrosur këtu, por një shishe e tillë mund të jetë përdorur për shumë gjëra… ndoshta edhe për helmimin,” u shpreh ai.
Një detaj tjetër që e bën historinë edhe më intriguese është sjellja e qenit. Sipas Phillips, Stanley kthehej vazhdimisht në të njëjtin vend në kopsht dhe gërmonte aty, edhe pasi toka rregullohej.
Ai gjithashtu beson se prona e tij ndodhet pranë vendit ku jetonte çifti Ashford në atë kohë, duke shtuar se i dashuri i supozuar i Mary Ann mund të ketë punuar në një furrë buke që dikur ndodhej shumë afër zonës.
Edhe pse nuk ka prova përfundimtare që e lidhin shishen drejtpërdrejt me krimin, zbulimi ka ringjallur interesin për një histori të vjetër mbi një vrasje, tradhti dhe një nga ekzekutimet më të diskutueshme të epokës viktoriane.
(Burimi: The Guardian)






