A mundet një analizë e thjeshtë gjaku të tregojë nëse një person do të zhvillojë Alzheimer vite, madje dekada, përpara se të shfaqen problemet me kujtesën?
Kjo është premtimi i një gjenerate të re testesh, që po ndryshojnë mënyrën si mjekësia e sheh dhe diagnostikon demencën. Dy prej këtyre testeve janë miratuar së fundmi nga autoritetet amerikane për të ndihmuar në diagnostikimin e Alzheimerit te pacientët që kanë simptoma, ndërsa studimet më të fundit sugjerojnë se ato mund të parashikojnë rrezikun deri në 20 vite përpara shfaqjes së sëmundjes.
Si funksionojnë këto teste?
Alzheimeri lidhet kryesisht me dy proteina në tru: amiloidi beta dhe tau, të cilat me kalimin e kohës krijojnë depozita që dëmtojnë neuronet.
Pllakat e amiloidit mund të shfaqen shumë herët – deri në dy dekada para simptomave – ndërsa proteinat tau lidhen më drejtpërdrejt me dëmtimin e kujtesës dhe funksioneve njohëse.
Testet e reja të gjakut nuk matin drejtpërdrejt amiloidin, por një formë të modifikuar të proteinës tau. Kjo është një mënyrë indirekte për të kuptuar nëse në tru po ndodh procesi që çon drejt Alzheimerit.
Sa të sakta janë?
Tek pacientët që tashmë kanë simptoma, këto analiza janë rreth 90% të sakta në identifikimin e sëmundjes.
Megjithatë, për njerëzit pa simptoma, situata është më e ndërlikuar. Një rezultat negativ zakonisht është i besueshëm, por një rezultat pozitiv mund të jetë i pasaktë në rreth gjysmën e rasteve.
Edhe nëse testi tregon praninë e proteinave të lidhura me Alzheimerin, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi do të zhvillojë sëmundjen. Ashtu si kolesteroli i lartë nuk garanton një infarkt, edhe këto shenja nuk janë një “dënim” i sigurt.
A duhet ta bëjnë kёtё analizё njerëzit pa simptoma?
Ekspertët janë ende të kujdesshëm. Aktualisht nuk rekomandohet përdorimi i këtyre testeve për kontroll masiv te njerëzit pa simptoma, pasi interpretimi i rezultateve mbetet i paqartë dhe mund të krijojë ankth të panevojshëm.
Për më tepër, edhe nëse zbulohet rreziku, opsionet për ndërhyrje janë ende të kufizuara. Aktiviteti fizik dhe stili i shëndetshëm i jetesës mund të ndihmojnë, por nuk ka ende një kurë të sigurt.
E ardhmja: diagnozë shumë më herët?
Shkencëtarët besojnë se në të ardhmen këto teste mund të përdoren gjerësisht, njësoj si mamografitë apo kolonoskopitë, për të vlerësuar rrezikun individual.
Studimet po përpiqen të kombinojnë analizat e gjakut me faktorë si mosha, gjinia, gjenetika dhe historia familjare për të dhënë një parashikim më të saktë.
Në të njëjtën kohë, janë në zhvillim trajtime që synojnë të ndalojnë ose ngadalësojnë sëmundjen përpara se të shfaqen simptomat, me rezultate të pritshme në vitet e ardhshme.
Analizat e gjakut për Alzheimerin përfaqësojnë një hap të madh përpara në mjekësi, por ende nuk janë “globi i kristaltë” që parashikon të ardhmen me siguri.
(Burimi: NYT)






