Ndërsa Shtetet e Bashkuara po rrisin presionin ndaj Kubës dhe kriza ekonomike e humanitare në ishull po përkeqësohet ndjeshëm, një figurë e re ka nisur të dalë në skenë në marrëdhëniet e ndërlikuara mes dy vendeve: Raul Rodriguez Castro.
Nipi i ish-presidentit kuban Raul Castro – dhe pjesë e dinastisë politike të familjes Castro – është parë gjithnjë e më shpesh në publik, përfshirë edhe praninë e tij përkrah presidentit aktual Miguel Díaz-Canel gjatë konfirmimit të negociatave me SHBA-të.
Ai ka marrë pjesë edhe në konferenca për shtyp ku është diskutuar kriza e thellë ekonomike në Kubë, e cila është përkeqësuar muajt e fundit pas bllokadës së naftës të vendosur nga administrata e Donald Trump, një masë që ka zhytur shpesh vendin në errësirë për shkak të mungesës së energjisë.
Në të njëjtën kohë, po qarkullojnë zëra për negociata të fshehta mes Rodriguez Castro dhe sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, qё vetё ёshtё me origjinë kubane.
Dalja e tij në plan të parë përbën një ndryshim të rëndësishëm nga e kaluara. Sipas ekspertëve, deri më tani ka pasur një përpjekje për ta mbajtur atë në hije dhe larg vëmendjes publike.
41-vjeçari është djali i Déborah Castro Espín, vajza e madhe e Raul Castro, dhe i Luis Alberto Rodríguez López-Calleja, i cili ka drejtuar një kompani shtetërore që kontrollon pjesën më të madhe të ekonomisë kubane.
I rritur në rrethin më të ngushtë të pushtetit, ai ka marrë edukim ushtarak dhe civil, duke u diplomuar në financë dhe kontabilitet në Universitetin e Havanës. Ai ka avancuar në radhët e ushtrisë, duke arritur gradën kolonel dhe duke shërbyer si truprojë personale e gjyshit të tij gjatë presidencës.
Më vonë, Raul Castro e emëroi në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë Personale, një strukturë kyçe që merret me mbrojtjen e figurave më të rëndësishme të regjimit.
Megjithatë, ndikimi i tij real politik mbetet i paqartë. Ai nuk mban poste të larta në qeveri apo në Partinë Komuniste dhe nuk konsiderohet një figurë karizmatike në stilin e liderëve historikë të familjes së tij.
Pavarësisht kësaj, zhvillimet e fundit tregojnë se ai mund të jetë duke u shtyrë drejt një roli më të rëndësishëm. Përballë krizës së thellë, presidenti Díaz-Canel duket se ka nevojë për peshën simbolike të emrit “Castro” për të forcuar legjitimitetin e tij politik.
Nga ana tjetër, për SHBA-të, fakti që Rodriguez Castro nuk është një figurë qendrore e pushtetit e bën atë një kanal më të lehtë për negociata të fshehta.
Në skenarët e mundshëm për të ardhmen e Kubës, ai shihet si një figurë që mund të përfaqësojë njëkohësisht vazhdimësi dhe ndryshim: trashëgimtar i një familjeje historike, por njëkohësisht i distancuar nga brezi revolucionar.
Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet që një anëtar i familjes Castro të jetë zgjedhja e preferuar e Donald Trump për të udhëhequr Kubën në të ardhmen, sidomos për shkak të presionit të diasporës kubane në SHBA.
Ndryshe nga Venezuela, ku pushteti është më i përqendruar në një individ, struktura politike në Kubë mbetet më kolektive dhe më e lidhur me Partinë Komuniste. Kjo e bën çdo ndryshim më kompleks dhe më të vështirë për t’u imponuar nga jashtë.
Ndërkohë, megjithë krizën e rëndë, protestat në vend duket se lidhen më shumë me mungesën e energjisë dhe furnizimeve bazë sesa me kërkesa të drejtpërdrejta për ndryshim regjimi.
Në këtë kontekst, Raul Rodriguez Castro mbetet një figurë enigmatike – një “kartë e fshehtë” në një lojë gjeopolitike që po bëhet gjithnjë e më e tensionuar.
(Burimi: France 24)






