Sot “pallati” i xhamtë i drejtësisë speciale ka qenë i mbushur me personazhe VIP.
Ilir Meta në përvjetorin e 57-të nuk arriti ta bëjë gjykatën të ketë empati për të. Edhe pse kishte ditëlindjen, masa e burgimit nuk ndryshoi as sot. Avokati, ashtu si lideri i opozitës shqiptare, tha: “Beteja do të vazhdojë në gjykimin e themelit”.
Një orë më pas, një tjetër VIP politik mori vëmendjen e mediave. Erion Veliaj nuk shkoi, por dërgoi një avokat, Plarent Ndrecёn.
Në sallën e gjyqit nuk mungoi përplasja. Kreu i SPAK, Altin Dumani, kundërshtoi fort përfshirjen e Plarent Ndrecës si avokat i Veliajt, me argumentin se ai ishte marrë në pyetje gjatë hetimeve paraprake si person në dijeni për çështjen. Sipas Dumanit, kjo krijonte një situatë të papërshtatshme për legjitimimin e tij si mbrojtës.
Por Ndreca reagoi, duke e cilësuar këtë një interpretim të gabuar të ligjit. Ai theksoi se deklarimet në fazën paraprake nuk përbëjnë provë dhe nuk krijojnë papajtueshmëri për përfaqësimin. “Nuk jemi në kushte papajtueshmërie”, u shpreh ai, duke sqaruar se ishte pyetur vetëm për njohje të përgjithshme dhe rrethana dytësore, pa lidhje me thelbin e çështjes.
Pavarësisht debatit mes palëve, gjykata vendosi t’i japë të drejtë Veliajt, duke pranuar Ndrecën si avokat të tij. Një “fitore” procedurale për kryebashkiakun, por që vjen në një klimë përplasjesh të hapura me SPAK.
Në të njëjtën ditë, ndërsa politika “përplasej” me drejtësinë, një tjetër zhvillim i rëndësishëm vinte nga dosja e AKSHI-t. Hava Delibashi, ish-zëvendësdrejtoresha e institucionit që menaxhonte posaҫёrisht tenderat, u lirua nga arresti shtëpiak dhe kaloi në masën “detyrim paraqitje”. Shkak u bë shtatzënia e saj, ndërsa gjykata vendosi gjithashtu ndalimin e daljes jashtë vendit dhe bllokimin e pasaportës.

Delibashi është nën hetim për disa vepra penale, përfshirë shkelje të barazisë në tendera dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, në një çështje ku SPAK pretendon se brenda AKSHI-t operonte një skemë e organizuar që ndikonte në garat publike.
Në fund të ditës, tabloja është e qartë: Meta mbetet në burg, Veliaj përballet me SPAK por fiton një betejë në sallë, ndërsa në dosjen e AKSHI-t kemi lehtësim mase sigurie. Një ditë ku drejtësia speciale dha rezultate të ndryshme, por një mesazh të përbashkët – jo të gjithë dalin njësoj përpara saj.






