Një operacion i ndërlikuar shpëtimi është vënë në lëvizje në brigjet e Deti Baltik, ku një balenë me gungë është bllokuar pranë zonës së Niendorf në Timmendorfer Strand, duke detyruar autoritetet gjermane të përdorin çdo mjet të mundshëm për ta rikthyer në ujëra të thella.
Kafsha u zbulua herët të hënën dhe që nga ai moment, policia dhe ekipet e shpëtimit kanë nisur një operacion të gjerë për ta orientuar drejt detit të hapur. Në terren janë angazhuar edhe ekspertë nga Instituti për Kërkime mbi Jetën e Egër Tokësore dhe Ujore, të cilët po monitorojnë nga afër çdo lëvizje të balenës.
Sipas vlerësimeve, bëhet fjalë për një balenë 12 deri në 15 metra të gjatë dhe rreth 15 ton peshë, e cila dyshohet të jetë e njëjta kafshë që është parë disa herë në javët e fundit në Baltik. Ajo ishte hasur fillimisht në portin e Wismarit, ku shërbimet e emergjencës e liruan nga një rrjetë peshkimi, ndërsa pak ditë më parë aktivistët e Sea Shepherd hoqën mbetje të tjera pajisjesh peshkimi nga një balenë pranë Travemünde, duke forcuar dyshimet se bëhet fjalë për të njëjtёn.
Operacioni i shpëtimit është teknik dhe sfidues. Sipas raportimeve të NDR, një dragues dhe ekskavatorë po përdoren për të hapur një kanal që do t’i lejojë balenës të arrijë në ujëra më të thella. Plani parashikon krijimin e një korridori rreth 50 metra të gjatë, 6 metra të gjerë dhe 1.2 metra të thellë, ndërsa punimet po zhvillohen me kujdes të madh pranë kokës së kafshës.

Ekspertët po përpiqen të minimizojnë stresin e balenës, edhe pse prania e pajisjeve të rënda e bën situatën delikate. Çdo lëvizje e gabuar mund të përkeqësojë gjendjen e saj, ndaj operacioni kërkon koordinim të lartë mes ekipeve në tokë dhe atyre në ujë.
Megjithatë, edhe nëse shpëtimi rezulton i suksesshëm, sfidat nuk përfundojnë këtu. Sipas veterinerit dhe ekspertit të balenave Jan Herrmann, Deti Baltik nuk është habitat natyror për balenat me gungë dhe përbën një lloj “grykë të ngushtë”, çka do të thotë se nuk ka garanci që kafsha do të arrijë të gjejë rrugën e daljes drejt oqeanit përmes ujërave daneze.
Ndërsa gara me kohën vazhdon, sytë e publikut dhe ekspertëve janë të përqendruar në këtë përpjekje të rrallë, ku teknologjia, përkushtimi dhe natyra përballen në një betejë të brishtë për jetën.

(Burimi: CNN)






