Tirana përgatitet të jetojë tre net të veçanta muzikore, ku skena e Pallatit të Kongreseve do të shndërrohet në një hapësirë emocionesh dhe energjie artistike.
Violinisti i njohur ndërkombëtarisht, Olen Çesari, rikthehet para publikut shqiptar me një seri koncertesh në datat 9, 10 dhe 11 prill, duke premtuar një përjetim që shkon përtej një performance të zakonshme.
I njohur për stilin e tij të veçantë, ku muzika klasike ndërthuret natyrshëm me ritmet moderne, Çesari sjell një interpretim dinamik që krijon lidhje të drejtpërdrejtë me publikun. Në këto mbrëmje ai do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e RTSH, duke i dhënë koncertit dimensionin e një spektakli të plotë simfonik.
Në skenë do të ngjiten edhe artistë të njohur nga Shqipëria dhe jashtë saj, mes tyre Dren Abazi, Lavinia Mancusi, Enrico Giaretta, Zyliha Miloti, Carlos Paz dhe Roland Cenko, të cilët do të sjellin ngjyra të ndryshme muzikore dhe bashkëpunime të veçanta.
Vetë Çesari e cilëson këtë projekt si një ndër eksperiencat më të veçanta: një spektakël rreth dy orësh me repertor të pasur, ku muzika live dhe bashkëpunimet artistike krijojnë një atmosferë që, sipas tij, “tingëllon si një album”.
Tre netët pritet të jenë një festë e vërtetë për publikun artdashës, ku tradita dhe moderniteti bashkohen në një përvojë që synon të mbetet gjatë në kujtesë.
(Burimi: RTSH)






