Qeveria angleze synon të luftojë obezitetin e fëmijëve me standarde më të rrepta ushqimore
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka lanҫuar planet për të hequr ushqimet me shumë sheqer dhe ato të skuqura nga menutë e shkollave, si pjesë e një reforme të përgjithshme që synon të trajtojë obezitetin tek fëmijët dhe të përmirësojë ushqyerjen.
Reformat e njoftuara nga Departamenti i Arsimit do të përditësojnë standardet e ushqimit në shkolla për herë të parë në më shumë se një dekadë. Shkollat do të duhet të kufizojnë ushqimet me shumë yndyrë, kripë dhe sheqer dhe do të rrisin porcionet e frutave, perimeve dhe drithërave të plota, duke ndaluar tërësisht ushqimet e skuqura. Ushqimet e lehta me sheqer do të zëvendësohen gjithashtu me opsione më të shëndetshme për pjesën më të madhe të javës.
Zyrtarët britanikë deklaruan se ndryshimet i përgjigjen shqetësimeve në rritje për shëndetin e fëmijëve, ku një në tre fëmijë prej tyre mbarojnë shkollën fillore mbipeshë ose obezë. Konsumi i tepërt i sheqerit ka kontribuar në shkallë të lartë edhe për prishjen e dhëmbëve të këtyre brezave shkollorë.
Sekretarja e Arsimit e quajti këtë masë “rishikimin më ambicioz të ushqimit shkollor në një brez të tërë“, duke shtuar: “Çdo fëmijë meriton të ketë ushqim të shijshëm dhe ushqyes në shkollë. Ushqim që t’i japë energjinë për t’u përqendruar sa më mirë, për të mësuar dhe për të lulëzuar në këtë fazë të jetës“.
Propozimet vijnë së bashku me një zgjerim të klubeve të mëngjesit falas, i cili pritet të sjellë përfitime për mijëra nxënës britanikë dhe të ulë kostot për familjet e tyre. Një konsultim publik nëntë-javor ka nisur në të gjithë vendin, për zbatimin e standardeve të reja të planifikuara të fillojnë në vitin 2027.
Ministrja e Shëndetësisë në Mbretёrinё e Bashkuar është e vendosur në frenimin e rritjes së shkallës së obezitetit tek fëmijët.
Plani parashikon që shkollat të publikojnë menutë ushqimore dhe emërimin e një mbikëqyrësi për standardet e ushqimit, që do të jetë në kontakt dhe transparent me prindërit e fëmijëve nëpër shkolla.
Plani ambicioz është një përpjekje e gjerë për të krijuar një “gjeneratë më të shëndetshme fëmijësh”.






