Një operacion i SPAK ka nxjerrë në dritë një realitet të fortë dhe shqetësues: krimi i organizuar ka ndërtuar një rrjet të gjerë pasurish të prekshme, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë totale prej 12 milionë euro, të cilat rezultojnë të jenë në pronësi direkte apo indirekte të personave të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal ndërkombëtar. Një shifër që flet vetë për përmasat e aktivitetit dhe për praninë konkrete të kapitalit të dyshuar kriminal brenda vendit.
Lista e pasurive është po aq domethënëse sa edhe vetë operacioni:
– 60 pasuri të paluajtshme, përfshirë toka, apartamente, hotele dhe poste parkimi, të shpërndara në Tiranë, Kamëz, Lezhë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë
– 89 automjete të llojeve të ndryshme, nga mjete transporti mallrash deri tek automjete për ndërtim dhe autovetura
– 72 llogari bankare, në emër të individëve dhe subjekteve të ndryshme të lidhura me hetimin
Këto nuk janë thjesht numra. Janë struktura konkrete ekonomike, prona dhe kapital që kanë funksionuar për vite me radhë në territorin shqiptar. Janë investime që kanë kaluar përmes sistemit bankar, janë regjistruar në kadastër, janë përdorur në aktivitet ekonomik – dhe megjithatë, vetëm tani dalin si pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal.
Ajo që e bën këtë zhvillim edhe më domethënës është fakti se operacioni u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe autoritetet e disa vendeve europiane. Hetimet përfshijnë aktivitet kriminal të zhvilluar në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha gjatë viteve 2019–2021.
Kjo do të thotë se ndërkohë që trafiku i drogës zhvillohej në rrugë ndërkombëtare, fitimet e tij jo vetëm që riktheheshin, por edhe materializoheshin në Shqipëri, në formën e pronave, bizneseve, automjeteve dhe llogarive bankare. Një cikël i plotë i pastrimit të parave, që sipas të dhënave, ka funksionuar për vite të tëra.
Operacioni çoi edhe në caktimin e masës “arrest në burg” për 11 shtetas shqiptarë nga GJKKO, ndërsa një pjesë e tyre ende nuk janë lokalizuar, pasi ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.
Por përtej arrestimeve dhe sekuestrimeve, ajo që bie në sy është fakti se një pasuri kaq e gjerë dhe e shpërndarë gjeografikisht ka ekzistuar për një kohë të gjatë pa u goditur në këtë shkallë. Vetë përmasat e saj sugjerojnë një prani të konsoliduar të kapitalit të dyshuar kriminal në ekonomi dhe në sektorë të ndryshëm.
Ky operacion konfirmon një realitet që prej kohësh përflitet, por rrallë është materializuar me kaq qartësi në shifra dhe pasuri konkrete: krimi i organizuar nuk fshihet, por ndërton, investon dhe operon hapur në ekonomi. Dhe fakti që një rrjet i tillë u ekspozua në këtë nivel vetëm përmes një bashkëpunimi të thelluar ndërkombëtar, hedh dritë mbi një tjetër problem thelbësor – mungesën e reagimit në kohë nga institucionet vendase.
Sepse këto 232 pasuri, me vlerë 12 milionë euro, nuk janë krijuar brenda natës. Janë regjistruar, kanë kaluar nëpër sisteme ligjore dhe financiare, janë përdorur dhe zhvilluar ndër vite, pa u goditur në këtë shkallë. Në një realitet normal institucional, këto pasuri duhej të kishin ndezur alarmin shumë më herët.
Struktura si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, që ka për detyrë të monitorojë dhe sinjalizojë lëvizjet e dyshimta financiare, sistemi bankar që duhet të raportojë transaksionet e pazakonta, si dhe institucionet e regjistrimit të pasurive, do të duhej të kishin identifikuar më herët këtë grumbullim kapitali të dyshimtë. Po ashtu, roli i Policisё sё Shtetit dhe strukturave hetimore në terren është pikërisht ndjekja e këtyre gjurmëve që lidhin pasurinë me aktivitetin kriminal.
Fakti që një pasuri e tillë ka qenë e shpërndarë në disa qytete – nga Tirana në bregdet, nga automjetet tek llogaritë bankare – dhe vetëm tani del e dokumentuar si pjesë e një rrjeti kriminal, tregon për një boshllëk të dukshëm në zinxhirin e kontrollit institucional.
U desh ndërhyrja e Eurojust dhe Europol për të ekspozuar njё rrjet tё tillё. Sepse si gjithmonё, identifikimi dhe kapja nuk vjen nga një sinjal i brendshëm, por nga një mekanizëm i koordinuar jashtë vendit.
Realiteti nё Shqipёri u konfirmua edhe njё herё pёrmes njoftimit zyrtar tё SPAK: krimi ka ndërtuar pasuri marramendёse dhe të prekshme për vite me radhë, ndërsa institucionet që kanë detyrë ta gjurmojnë dhe godasin këtë kapital kanë reaguar vonë. Dhe kjo vonesë nuk është thjesht proceduriale – është një dritare kohe që ka lejuar konsolidimin e një ekonomie paralele, e cila vetëm tani po del në sipërfaqe.
Shifrat mbeten dëshmia më e fortë: 232 pasuri, 12 milionë euro, dhjetëra prona, automjete dhe llogari bankare – një hartë e qartë e mënyrës se si aktiviteti kriminal shndërrohet në pasuri të ligjshme në dukje.
Njoftimi i plotë i SPAK (kliko për ta lexuar)
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





