Uzina e Ferrokromit në Papër të Elbasanit, e kthyer tashmë në një “bombë” të shpërthyer mjedisore, zotërohet nga “Albchrome” sh.p.k. pjesë e grupit “Albchrome Holding”, që deri para disa vitesh zotërohej nga “Balfin – Balkan Finance Investment Group”, e cila i shiti aksionet (janar 2022) e Balfin Group tek turqit e “Yildirim International Mining Investments B.V.” Pronarë me të drejta të plota u bënë turqit.
Prej vitesh banorët e Papërit ankoheshin për një erë të rëndë që u bë e padurueshme gjatë verës së këtij viti.
Vizitat në terren disa herë të inspektorëve të AKM (Agjencia Kombëtare e Mjedisit) dhe takimet me përgjegjësit dhe administratorët shqiptarë të kompanisë, nuk shërbyen për sistemimin e situatës, por vetëm që era e rëndë të shtohej gjithnjë e më shumë derisa gjendja u bë alarmante.
AKM, edhe pse e kishte zbuluar prej kohësh gjendjen alarmante në zonë, urdhëroi kontroll vetëm në shtator 2026.
Sipas regjistrit të QKB, administratorë për shoqërinë turke me NIPT K11613001M, janë katër shqiptarë dhe një turk, ku deri në 16 korrik 2026 ishte edhe Erjon Duraj, bashkëshorti i Holta Zacaj, Zëvendësguvernatores së Bankës së Shqipërisë, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Përgjegjës lokal për Uzinën e Ferrokromit në Elbasan nga shoqëria ishte caktuar Ruzhdi Domi, pavarësisht se kontaktet me grupin e inspektorëve i mbajti Teuta Ustundag, sipas një urdhri inspektimi të firmosur nga kryeinspektore Marjeta Parlala.
Inspektorët Xhevdet Haxhiaj, Henri Bacinozi dhe Enver Halipaj “zbuluan” në terren një vatër të mbetjeve industriale, të lëna në ajër dhe me pasoja të parikuperueshme për ekosistemin e zonës.
300 tonë pluhura helmues u konstatuan nga filtrat e oxhaqeve, të cilët zyrtarisht klasifikohen si “helm” mjedisor. Ky pluhur metalesh të rënda mbahej në thasë të zakonshëm plastikë “bigbag”, të ekspozuar plotësisht ndaj erës, diellit dhe reshjeve në ambientet e jashtme të uzinës.
Thasët me “helm” u konstatuan se ishin aty prej më shumë se një viti.
Skorjet e ferrokromit u gjetën nga inspektorët të hedhura përtokë, të pambrojtura, të pasistemuara, në një vend të hapur pa sisteme të kanalizimit apo drenazhimi.

Këto skorje në kontakt me ujërat e shiut, nën procesin e oksidimit krijojnë rrezik toksik kur depërtojnë në shtresat e tokës dhe nëntokës. Ujërat dhe shirat e dimrit mund të kenë helmuar me “skorje” zonën bujqësore të Papërit në Elbasan.
Banorët e Papërit kanë qenë të ekspozuar nga ajri me pluhurin toksik dhe toka nga skorjet e ferrokromit që kanë ndotur burimet ujore.
Ekspertët e mjedisit dhe të shëndetit publik theksojnë se banorët po i ekspozohen një rreziku të dyfishtë përmes ajrit dhe ujit. Përhapja e pluhurit toksik nga era bën që grimcat e rrezikshme të thithen drejtpërdrejt nga popullata, ndërsa derdhja e kontrolluar e ujërave të ndotur prek burimet ujore që përdoren për konsum dhe vaditje të prodhimeve bujqësore.
Inspektorët e AKM-së zbuluan se brenda rrethimit të uzinës, ishte ndërtuar edhe një pikë karburanti pa leje.
Inspektorët e AKM raportohet se dëshmuan për një anarki të plotë administrative dhe teknike në uzinën e turqve me administratorë shqiptarë, ku njëri prej tyre nga 18.9.2025 deri 16.6.2026, në pikun e kontaminimit mjedisor të zonës, rezulton të jetë një personazh me pushtet, bashkëshorti i Holta Zaҫaj.

Kush po e heton aferën e ferrokromit?
Raportohet se hetimin për “masakrën” mjedisore të Papërit po e hetojnë një grup prokurorësh të Elbasanit, plot tre, ku njëri është drejtuesi i kësaj prokurorie Kreshnik Ajazi.
Po dy të tjerët?
Vasjana Postol dhe Jonida Allushi, të dyja “çupëlina” në kuptim të eksperiencës në hetim dhe karrierë; njëra e emëruar në 2022 dhe tjetra në 2023.

Por afera “ALBCHROME”, zbulon një tjetër skandal, që lidhet me drejtësinë e re dhe “personelin” e saj.
Vasjana Postol është prokurorja që bëri “gafën” me vrasjen e Egli Proges. Ajo e cilësoi vrasjen e Progёs, si të kryer me “grusht” nga pakujdesia duke shkatërruar hetimin që vazhdon prej më shumë se dy vitesh me disa autorë të akuzuar për vrasjen e të riut nga Pogradeci.
Kualifikimi i gabuar i veprës penale, ka minuar hetimin e çështjes në Korçë, por jo karrierën e Vasjana Postolit. Ajo, në vend që të “akuzohej” nga KLP për gafën e rëndë të vrasjes së bujshme të Egli Progёs, u ngrit në detyrë. Prokurorja Postoli, afrohet me vendim të KLP-së me kryeqendrën e akuzës, Tiranën, duke u transferuar dhe emëruar në Elbasan.

Bashkë me prokuroren e re Jonida Allushi që vetëm disa muaj më parë është emëruar në Prokurorinë e Elbasanit, Vasjana Postol do hetojë miliardat e aferës së ALBCHROME, me fije nga Papëri, Bulqiza, Tirana deri në… Turqi dhe kryeministri.
Në ndihmë të Vasjana Postolit dhe magjistrates tjetër, do jetë Kreshnik Ajazi, prokuror karriere, i cili do e mbështesë atë për të mos mbetur në “gafën” e radhës që do e çonte me transferim dhe emërim në Tiranë.
A do jetë në gjendje prokurori Ajazi të marrë në pyetje dhe të zbulojë rolin e çdo administratori të ALBCHROME, të cilët lejuan të helmohet dhe kontaminohet zona e Papërit dhe popullata e saj?
A do e marrë në pyetje Vasjana Postoli, Hasan Ustundag dhe Teuta Ustundag, çiftin e bashkëshortëve që janë pjesë e një rrjeti kompanish që zhvasin pasuritë nëntokësore të Shqipërisë?
Po roli i vërtetë i Erion Duraj do zbulohet në këtë hetim? Agjentit të pasurive të paluajtshme me zyrë në USA, që la Amerikën dhe suksesin atje, për të kontribuar në “helmimin” mjedisor të popullit të thjeshtë të Papërit në Elbasan.
Sigurisht që, Zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaҫaj, nuk ka asnjë dijeni për punën e bashkëshortit të saj. Ajo ka qenë e zënë gjatë gjithë vitit me çështjen e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, çështje shumë herë më e rëndësishme se jeta e 6 mijë banorëve të komunës Papër në Elbasan.

Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





