Avokati hyn në sallën e gjyqit në vitin 2026.
Dosja mund të ketë mijëra faqe. Provat janë elektronike. Procesverbalet, përgjimet, vendimet, jurisprudenca, shënimet e punës, të gjitha mund t’i ketë në laptop.
Te dera i thonë: telefonin jashtë! Laptopin gjithashtu!
Në pamje të parë duket çmenduri. Shqipëria ka vite që flet për drejtësi digjitale dhe, pikërisht kur mbërrin në gjykatë, avokatin e kthen te stilolapsi dhe blloku me kuadrate.
Por ndoshta kjo histori do të na bëjë edhe një të mirë.
Do të kuptojmë më në fund sa avokatë hyjnë në sallë sepse e dinë çështjen dhe sa hyjnë me laptopin përpara që të zbulojnë gjatë seancës çfarë çështjeje kanë!
Këtu avokatia ka kohë që ka prodhuar edhe një fenomen të ri: avokati me shumicë.
Një avokat ka 50 çështje. Një tjetër 100. Më të zotët, ose më të famshmit, mund t’i gjesh në SPAK në mëngjes, në GJKKO pas dreke, në Apel më vonë dhe në televizor në darkë.
Telefoni ndërkohë nuk pushon. Një klient në WhatsApp, një tjetër në telefon, sekretarja që çon dokumentin, studenti praktikant që edhe nuk paguhet fare, i kujton seancën tjetër.
Po dosjen kur e lexoi?
Dhe një dosje penale nuk është menu restoranti që i hedh një sy para se të porosisësh. Mund të ketë mijëra faqe, përgjime, dëshmi, ekspertime, procesverbale, akte hetimore, kundërshtime, afate dhe prova që duhen krahasuar me njëra-tjetrën.
Nëse ke marrë 100 të tilla, njëra nga dy gjërat duhet të jetë e vërtetë: ose nuk fle fare, ose nuk i lexon të gjitha.
Laptopi është mjet pune. Patjetër! Por nuk është truri i avokatit.
Celulari është mjet komunikimi. Por nuk mund të jetë kufja e fshehtë nga ku avokatit i vjen argumenti ndërsa klienti i tij është ulur në bankën e të pandehurit.
Askush nuk kërkon që avokati të mësojë përmendësh 20 mijë faqe. Duhet të hapë një dokument, të gjejë një paragraf, një vendim, një datë, një precedent. Kjo është normale.
Por duhet të dijë veshjen juridike të çështjes. Duhet të dijë pse është aty. Çfarë pretendon akuza. Ku është prova. Ku mendon se ajo bie. Çfarë do të kërkojë dhe mbi cilin nen do ta kërkojë.
Këto nuk kërkohen në Google pesë minuta pasi ka filluar seanca.
Mbase ndaj ndalimi i laptopëve, sado anakronik të duket, do të prodhojë spektaklin më të sinqertë të drejtësisë shqiptare.
Hiqjani ekranin avokatit dhe dëgjojeni!
Aty do të kuptohet kush e ka lexuar dosjen dhe kush vetëm e ka faturuar, apo akoma më keq, kush është punësuar vetëm për të aktruar kur del nga salla. Kush ka ardhur të argumentojë dhe kush të lexojë. Kush e njeh klientin dhe çështjen e tij dhe kush ka ardhur sepse emri i tij figuron në prokurë.
Ndaj, po: drejtësia shqiptare duket qesharake kur digjitalizon dosjen dhe lë laptopin jashtë dere.
Por mund të na dhurojë pa dashje një eksperiment fantastik.
Laptopët jashtë. Avokatët brenda.
Dhe tani të shohim sa prej tyre kanë ardhur bashkë me dosjen… në kokë!
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






