Bashkimi Europian ka vendosur ChatGPT, Reddit dhe Roblox nën rregulla më të rrepta, pasi të tre platformat kanë kaluar pragun prej 45 milionë përdoruesish mesatarë në muaj në vendet e Unionit.
Komisioni Europian njoftoi se, me kalimin e këtij pragu, platformat do të kenë detyrime të shtuara sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA), legjislacionit me të cilin BE po forcon kontrollin mbi platformat më të mëdha online.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme është përfshirja e ChatGPT, i cili bëhet chatboti i parë i Inteligjencës Artificiale që përfshihet në regjimin e DSA-së. ChatGPT, në pronësi të OpenAI, është njëkohësisht subjekt edhe i rregullave europiane që lidhen posaçërisht me Inteligjencën Artificiale.
Kalimi i pragut prej 45 milionë përdoruesish sjell detyrime konkrete. Platformat duhet të vlerësojnë dhe të marrin masa për reduktimin e rreziqeve sistemike, mes të cilave përhapja e përmbajtjeve të paligjshme, rreziqet për të miturit dhe ndikimet e mundshme mbi shëndetin mendor të përdoruesve.
Reddit dhe Roblox do të klasifikohen tashmë si “Very Large Online Platforms” (VLOP), kategoria që BE përdor për platformat online me një numër shumë të madh përdoruesish dhe që për këtë arsye u nënshtrohen kërkesave më të forta.
DSA zbatohet tashmë edhe ndaj kompanive dhe platformave të mëdha si TikTok dhe Meta, ndërsa Brukseli ka intensifikuar gjatë viteve të fundit kontrollin mbi kompanitë teknologjike dhe rrjetet sociale.
BE ka ushtruar presion veçanërisht për çështje që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve, algoritmet, përmbajtjet e paligjshme dhe mënyrën se si platformat projektojnë shërbimet e tyre.
Futja e ChatGPT në këtë kategori shënon një zhvillim të ri, pasi për herë të parë rregullat e hartuara për platformat më të mëdha digjitale të Europës shtrihen edhe mbi një chatbot të Inteligjencës Artificiale me përdorim masiv.





