BBC i ka kushtuar një reportazh të zgjeruar protestave që prej më shumë se një muaji zhvillohen çdo mbrëmje në Tiranë kundër projektit të resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Media britanike analizon se si lëvizja e njohur tashmë si “Revolucioni i Flamingove” ka tejkaluar kauzën mjedisore dhe është shndërruar në një protestë të gjerë kundër korrupsionit, mënyrës së qeverisjes dhe kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Më poshtë, reportazhi i BBC-së, i përshtatur në shqip nga redaksia e Kontrast.al.
Ndërsa “Revolucioni i Flamingove” nisi si një protestë kundër një projekti për ndërtimin e një resorti luksoz, ai tashmë është shndërruar në një lëvizje proteste kundër korrupsionit të pretenduar të qeverisë.
Fillimisht protestuan për flamingot. Tani turma që mblidhet çdo mbrëmje në rrugët poshtë zyrës së kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ka nisur të thërrasë edhe për shkollat, vendet e punës dhe standardin e jetesës – dhe kërkon dorëheqjen e tij.
Flamingot rozë shtegtare u bënë simboli i protestave të natës në Shqipëri, pasi ato grumbullohen në Lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur pranë qytetit bregdetar të Vlorës.
Një grup investitorësh ndërkombëtarë – mes tyre edhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner – synojnë të zhvillojnë aty pranë një resort luksoz, ndërsa qeveria u ka dhënë statusin e “investitorit strategjik”.

Ambientalistët argumentojnë se resorti i propozuar do të ishte i dëmshëm për faunën unike të Shqipërisë, veçanërisht për popullsinë e flamingove.
Ende nuk është dhënë leja e ndërtimit dhe qeveria Rama thotë se vlerësimi i ndikimit në mjedis as nuk ka nisur ende, por në zonë janë parë tashmë rrethime dhe mjete të rënda ndërtimi.
Protestat e vogla lokale për ndikimin e mundshëm mjedisor u shndërruan në një lëvizje kombëtare një muaj më parë, pasi në rrjetet sociale u përhap një video ku roje private sigurie dhunonin një protestues. Incidenti është konfirmuar edhe nga vetë kryeministri.
Zemërimi tashmë është përhapur, duke përfshirë shqetësime më të gjera për mënyrën se si po zhvillohet Shqipëria dhe si po qeveriset.
“Jam këtu për shkollat tona,” i tha BBC-së një protestuese e re me emrin Helena.
“Jam këtu për spitalet tona. Jam këtu për infrastrukturën tonë. Jam këtu për familjen time që jeton jashtë [Shqipërisë] dhe do të donte të ishte këtu. Dhe, përtej të gjitha këtyre, jam kryesisht këtu për veten time, sepse dua të jetoj në vendin tim dhe nuk dua të largohem.”
Edi Rama thotë se protestat kundër qeverisë së tij janë një shenjë e një demokracie të shëndetshme.
Rama dhe Partia Socialiste ndodhen tashmë në pushtet prej 13 vitesh. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm.

Horizonti urban i kryeqytetit, Tiranës, është transformuar, me një numër të madh kullash të projektuara kryesisht nga arkitektë ndërkombëtarë. Në të njëjtën kohë, industria e turizmit ka njohur një bum, duke ndryshuar imazhin ndërkombëtar të vendit dhe duke kontribuar me më shumë se një të pestën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndoshta arritja më mbresëlënëse është përparimi i konsiderueshëm i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Nga një pikënisje thuajse zero në vitin 2022, vendi është në rrugën e duhur për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit të ardhshëm. Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Mali i Zi është më përpara në këtë proces – dhe ai negocion prej një dekade më shumë.
Protestuesit kanë bërë thirrje për përmirësime urgjente në sistemin arsimor, tregun e punës dhe standardin e jetesës në Shqipëri.

Por këto arritje nuk e bindin aspak protestuesin e njohur Fatos Lubonja. Shkrimtari dhe aktivisti për të drejtat e njeriut kaloi 17 vite në një kamp pune të detyruar gjatë regjimit të diktatorit komunist Enver Hoxha.
Sot, ai pretendon se qeveria aktuale mbahet në këmbë nga “oligarkët, krimi i organizuar, mediat dhe ndërkombëtarë të korruptuar”, ndërsa bumi i ndërtimeve nuk është gjë tjetër veçse një mekanizëm për pastrimin e parave.
“Ne duam ta shtyjmë drejtësinë të hetojë,” thotë ai, duke bërë me dorë nga kullat e reja që rrethojnë Sheshin Skënderbej në qendër të Tiranës.
“Nëse shihni të gjithë këta rrokaqiej, del qartë se ky është një plan i krimit të organizuar, i oligarkëve dhe i funksionarëve të shtetit.”
Shqipëria ka kaluar një transformim të shpejtë që nga rënia e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.

Duke shfrytëzuar një moment qetësie në zyrën e tij në mes të pasdites – përpara se të nisin protestat e natës – Rama i përshkruan protestat si një shenjë të një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike.
Megjithatë, disa prej aleatëve të tij më të afërt politikë janë vënë nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), përfshirë ish-zëvendësin e tij dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Pra, a duhet që shqiptarët të shqetësohen edhe për integritetin e vetë kryeministrit?
“E kam thënë që në ditën e parë: unë dua një drejtësi që nuk sheh as majtas, as djathtas, por vetëm drejt,” thotë Rama. “Një drejtësi që nuk mund të blihet, nuk mund të vihet nën presion dhe nuk mund të kontrollohet nga distanca. Dhe kam thënë gjithashtu se ky është kontributi më i madh që Partia Socialiste do t’i japë këtij vendi, sepse nuk do të kontribuojë vetëm me reforma, por do të japë edhe lëkurën e saj për vendin.”
Por anëtarja më e re e Parlamentit të Shqipërisë ka vendosur se bashkëpunimi me Partinë Socialiste nuk është më zgjidhja. Rama zgjodhi personalisht Marjana Koçekun, 25 vjeçe, si kandidate në zgjedhjet e vitit të kaluar, pasi ajo ishte bërë e njohur si aktiviste për mbrojtjen e mjedisit në qarkun e Shkodrës.
Tashmë ajo është larguar nga partia, duke thënë se mosha e saj e re nuk e lejonte “thjesht të qëndroja aty, të duartrokisja qeverinë dhe të bëja sikur nuk po ndodh asgjë”. Ajo shton se Rama është një pjesë e madhe e problemit.
“Ai nuk i frymëzon më njerëzit – dhe mendoj se kjo e ka çuar në një krizë të madhe legjitimiteti. M’u desh pak kohë ta kuptoja se përtej këtyre fasadave të bukura, që duken kaq të ndritshme dhe tërheqëse, realiteti nuk është i njëjtë. Dhe njerëzit po e kuptojnë këtë çdo ditë e më shumë.”
Për momentin, duket se palët ndodhen në një ngërç. Protestuesit nuk kanë ndërmend të largohen – dhe as Rama. Kështu që flamingot ka shumë të ngjarë të mbeten një pamje e zakonshme në rrugët e Tiranës.
Burimi: BBC News, Autor: Guy Delauney, Korrespondent për Ballkanin, Përshtatur në shqip nga Redaksia kontrasT.al





