Dy ditë më parë, në media qarkulloi lajmi se gazetarë dhe punonjës të News24 e BalkanWeb nuk kishin marrë pagat dhe se drejtues të redaksisë kishin dhënë dorëheqjen. Nga drejtuesit erdhi përgënjeshtrimi, por me një detaj jo të vogël: u mohua dorëheqja, por për pagat e prapambetura nuk pati të njëjtën përgjigje të prerë.
Tashmë dihet botërisht se vonesat e pagave në bizneset e Irfan Hysenbelliut nuk janë një episod i ditëve të fundit dhe as problem vetëm i medias. Sipas burimeve të redaksisë, punonjës në disa prej bizneseve të tij kanë të paktën tre deri në katër muaj pa marrë pagat, nga sanitaret dhe punonjësit e administratës deri te gazetarët dhe drejtuesit.
Të njëjtat burime pohojnë se për muajt e papaguar rezultojnë problematike edhe detyrimet për sigurimet shoqërore dhe tatimet mbi pagat. Këto janë pretendime që kërkojnë një përgjigje të qartë nga kompanitë dhe mund të verifikohen edhe nga institucionet tatimore, sepse këtu nuk bëhet më fjalë vetëm për një marrëdhënie të vështirë mes pronarit dhe punonjësve. Pagat, kontributet dhe detyrimet që burojnë prej tyre janë detyrime ligjore.
Problemet nuk ndalen te televizioni
Situata, sipas burimeve, ka prekur edhe Universitetin Luarasi, një tjetër aktivitet i lidhur me Hysenbelliun. Pedagogë dhe punonjës të administratës raportohet se kanë gjithashtu 3-4 muaj paga të prapambetura.
Për administratën goditja është edhe më e drejtpërdrejtë. Një pjesë e pedagogëve kanë angazhime të tjera profesionale ose janë pensionistë dhe paga e universitetit mund të mos jetë e ardhura e tyre e vetme. Për një sekretare, sanitare apo punonjës administrate që jeton vetëm me rrogën mujore, katër muaj pa pagë nuk janë më “vonesë”. Janë katër muaj qira, ushqime, kredi, energji, transport dhe shpenzime familjare që vazhdojnë të vijnë edhe kur rroga nuk vjen.
Pse vazhdojnë të shkojnë në punë?
Nga jashtë përgjigjja duket e thjeshtë: nëse nuk të paguajnë, ik.
Në jetën reale shqiptare është shumë më e vështirë. Një punonjës që ka tre paga për të marrë, duke u larguar nuk lë vetëm vendin e punës; largohet duke pasur ende mijëra lekë të vetat në dorën e punëdhënësit. Ndërkohë duhet të gjejë menjëherë një punë tjetër, sepse familja nuk mund të presë edhe dy muaj të tjerë derisa të vijë paga e parë diku tjetër.
Kështu krijohet ajo pritja e pafundme e “sot ose nesër”. Punonjësi vazhdon të punojë sepse shpreson të marrë pagat e vjetra dhe njëkohësisht druhet se, po iku, do ta ketë edhe më të vështirë t’i marrë. Pas muajit të parë pret të dytin. Pas të dytit ka shumë para për të humbur. Pas të katërtit praktikisht është bërë kreditor i biznesit ku vazhdon të paraqitet çdo mëngjes në punë.
Media dhe universitet, por pagat le të presin…
Rasti bëhet edhe më serioz për shkak të natyrës së aktiviteteve, sepse flitet mes tyre për një televizion e media informative dhe për një universitet. Janë biznese që operojnë në fusha ku besueshmëria, përgjegjësia publike dhe respektimi i standardeve ligjore nuk mund të konsiderohen çështje dytësore.
Nëse pretendimet për pagat dhe kontributet janë të sakta, institucionet shtetërore kanë edhe ato diçka për të shpjeguar. Si mund të vazhdojnë për muaj të tërë biznese me dhjetëra apo qindra punonjës të krijojnë detyrime ndaj stafit pa u adresuar situata? A janë deklaruar pagat? A janë paguar kontributet? A kanë kryer kontrolle Tatimet dhe Inspektorati i Punës?
Përgënjeshtrimi i një dorëheqjeje është i lehtë. Një emër është ose nuk është më në detyrë.
Me pagat është edhe më e thjeshtë: ose janë paguar, ose nuk janë paguar.
Dhe nëse njerëzit që çdo ditë prodhojnë lajmet, mbajnë hapur zyrat, pastrojnë ambientet apo zhvillojnë mësim, kanë katër muaj që dëgjojnë “edhe pak”, atëherë lajmi nuk është më kush dha apo nuk dha dorëheqjen.
Lajmi janë ata që vazhdojnë të punojnë pa marrë atë për të cilën derdhin mundin e djersën e tyre, edhe pasditeve të vona kur ndjekin Protestën me sakrificë protestuesi dhe vetëmohim!
© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





