Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka pranuar në një intervistë me gazetarin e njohur britanik Piers Morgan se fundi i karrierës së tij është “afër”, duke shtuar se arsyeja kryesore është familja dhe dëshira për t’iu përkushtuar më shumë jetës personale pas një karriere të lavdishme në futboll.
“Së shpejti,” u përgjigj pesë herë fituesi i Topit të Artë kur u pyet se kur do të tërhiqet nga futbolli aktiv.
“Mendoj se do të jem i përgatitur. Do të jetë shumë, shumë e vështirë, por unë jam përgatitur për këtë që kur isha 25, 26, 27 vjeç. Do të jem në gjendje të përballoj atë presion. Asgjë nuk mund të krahasohet me adrenalinën e shënimit të një goli, por çdo gjë ka një fillim dhe një fund,” tha Ronaldo në intervistën e publikuar të martën në emisionin Piers Morgan Uncensored.
Sulmuesi i Al Nassr dhe kapiteni i kombëtares së Portugalisë, i cili është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 952 gola për klube dhe kombëtare së bashku, kishte deklaruar muajin e kaluar se synonte të arrinte shifrën simbolike të 1,000 golave para se të largohej nga futbolli.
“Do të kem më shumë kohë për veten, për familjen, për t’u marrë me fëmijët e mi,” shtoi 40-vjeçari me emocion.
Ronaldo foli edhe për ish-klubin e tij Manchester United, me të cilin u nda në mënyrë të tronditshme tre vite më parë. Ai pranoi se ende ndjek rezultatet e “Djajve të Kuq”, pavarësisht periudhës së vështirë që po kalojnë.
“Jam i trishtuar, sepse ai klub është ndër më të rëndësishmit në botë dhe një klub që ende e kam në zemër. Por ata nuk kanë strukturë. Shpresoj që kjo të ndryshojë tani dhe në të ardhmen, sepse potenciali i klubit është i jashtëzakonshëm,” tha Ronaldo.
Duke iu referuar trajnerit aktual, Rúben Amorim, ai shtoi: “Nuk është vetëm puna e trajnerit apo e lojtarëve. Ai po bën më të mirën e tij, por mrekullitë janë të pamundura.”
Pas më shumë se dy dekadash në majat e futbollit botëror, Ronaldo duket gati t’i japë fund një epoke të artë, duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme në historinë e sportit.
(Burimi: Aljazeera)






