Shtëpia franceze e luksit blen Charvet, markën pariziene me histori që nga vitet 1830, duke zgjeruar ekspertizën e saj në veshjet mashkullore
Shtëpia franceze e modës luksoze Chanel ka njoftuar blerjen e Charvet, markës historike franceze të njohur për këmishat e personalizuara, kravatat dhe pizhamet luksoze. Kushtet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike.
“Tani kemi një emër për gratë, Chanel, dhe një emër për burrat, Charvet,” deklaroi Bruno Pavlovsky, presidenti i divizionit të modës në Chanel, në një intervistë me video.
Sipas tij, edhe pse Chanel mbetet një markë e orientuar kryesisht drejt grave, gjithnjë e më shumë burra po zgjedhin produktet e saj. Nga ana tjetër, edhe Charvet, ndonëse tradicionalisht është fokusuar te klientela mashkullore, po tërheq një numër në rritje grash që porosisin këmisha të qepura sipas masës.
“Varet nga klienti – të gjithë janë të mirëpritur. Kjo është bukuria dhe sekreti i kësaj qasjeje,” tha Pavlovsky.
Sipas drejtuesit të Chanel, blerja pasqyron ndryshimin e mënyrës sesi klientët e sotëm e shohin modën, duke i kushtuar gjithnjë e më pak rëndësi ndarjeve tradicionale gjinore. Ai madje e cilësoi këtë zhvillim si “fillimin e haute couture për burrat”.
Edhe pse Chanel nuk ka një linjë të dedikuar veshjesh për meshkuj dhe, sipas Pavlovskyt, nuk planifikon të krijojë një të tillë, kompania prej kohësh ka investuar në afrimin e klientelës mashkullore. Aktorët Pedro Pascal dhe reperi ASAP Rocky janë ndër ambasadorët e saj më të njohur.

Kompania ka kapacitetin financiar për të realizuar investime të tilla. Në vitin 2025, Chanel raportoi të ardhura prej 19.3 miliardë dollarësh dhe fitim operacional prej 4.7 miliardë dollarësh, duke mbetur një nga kompanitë më të suksesshme në industrinë globale të luksit. Suksesi është nxitur edhe nga koleksionet e para të drejtorit të ri artistik, Matthieu Blazy, i emëruar në fund të vitit 2024.
Charvet konsiderohet dyqani i parë në botë i dedikuar ekskluzivisht këmishëve. Marka u themelua në vitin 1838 nga Joseph-Christophe Charvet, djali i garderobierit të Napoleonit, dhe mbeti në pronësi të familjes themeluese deri në vitin 1965. Aktualisht drejtohet nga motër e vëlla, Anne-Marie dhe Jean-Claude Colban.
Përgjatë historisë së saj, Charvet ka veshur disa nga figurat më të njohura të botës. Klientët e saj kanë qenë, mes të tjerëve, Mbreti Eduard VII, John F. Kennedy, Charles de Gaulle, Gary Cooper, David Hockney, Sofia Coppola, si edhe stilisti legjendar Karl Lagerfeld, i cili, sipas Pavlovskyt, i kishte dhuruar atij disa këmisha Charvet.
Marrëdhënia mes Chanel dhe Charvet daton pothuajse një shekull më parë. Coco Chanel huazonte shpesh këmishat e të dashurit të saj, Boy Capel, të prodhuara pikërisht nga Charvet. Ky bashkëpunim historik u ringjall vitin e kaluar, kur Matthieu Blazy krijoi tre modele të përbashkëta Chanel x Charvet për koleksionin e tij të parë.
Koleksioni tërhoqi vëmendje të madhe pasi Nicole Kidman u shfaq me një prej këmishëve në rreshtin e parë të sfilatës së Chanel, ndërsa aktori Jacob Elordi veshi një tjetër model pak javë më vonë.


Pavlovsky tha se pikërisht ky sukses i bëri pronarët e Charvet të mendonin seriozisht për të ardhmen e kompanisë. Duke qenë se asnjë nga fëmijët e tyre nuk dëshironte të vazhdonte biznesin familjar, ata iu drejtuan Chanel me idenë e shitjes.
Sipas analistit të luksit Luca Solca, Charvet gjeneron të ardhura vjetore prej 10 deri në 15 milionë euro, ka rreth 100 punonjës, një atelier pranë Parisit dhe vetëm një dyqan, në Place Vendôme, ndërtesë që tashmë është blerë gjithashtu nga Chanel.
Megjithëse përmasat e saj janë modeste, reputacioni i Charvet në botën e modës është jashtëzakonisht i madh. Revista British Vogue i ka cilësuar këmishat e saj si “standardi absolut për ata që vlerësojnë cilësinë pa u shqetësuar për çmimin”, ndërsa markën e ka përshkruar si një emër që ka arritur pothuajse status kult mes njohësve të modës.
“Kur sheh shtëpitë më të rëndësishme të modës në Paris, nuk gjen shumë gurë të çmuar. Charvet është një prej tyre,” tha Pavlovsky.
Ai shtoi se një nga arsyet kryesore të blerjes ishte mjeshtëria artizanale e markës.
“Në Charvet nuk ekziston vetëm një nuancë blu. Ka 500 nuanca të ndryshme blu,” u shpreh ai.
Chanel bëri të ditur se Charvet do të vazhdojë të funksionojë si një kompani e pavarur, njësoj si markat e tjera që zotëron, ndërsa pronarët aktualë do të qëndrojnë në drejtim të saj për të paktën një vit, për të garantuar një tranzicion të qetë. Pavlovsky shtoi se, në të ardhmen, marka pritet të emërojë edhe një drejtor të ri krijues.
Burimi: NYT






