Nga kontrasT.al
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të shkurtit 2025, zbulon një tablo absurde të sistemit tonë energjitik, për të cilën nuk foli askush më pas.
Triumvirati i energjisë elektrike shqiptare KESH sh.a., OST sh.a. dhe OSHEE Group, kjo e treta bashkë me bijat e saj OSSH, FSHU, FTL, tre shoqëri që në teori duhej të punonin si një sistem i integruar, në praktikë kanë funksionuar si tre fqinjë që nuk flasin me njëri-tjetrin prej vitesh dhe i dërgojnë fatura penalizuese njëri-tjetrit.
Mosmarrëveshja e miliardave
Sipas auditimit, deri në 30 nëntor 2024:
• OSHEE ndaj KESH del me një diferencë 2.2 miliardë lekë. Shkaku? Detyrime tranzitore nga ndarja e shoqërive vite më parë, plus penalitete të ndryshme. Askush nuk i ka verifikuar siç duhet pas vitit 2021!
• OST ndaj KESh: ka diferencë 1.5 miliardë lekë. Kryesisht fatura penaliteti që OST nuk i pranon dhe disbalanca energjie.
• OSHEE ndaj OST: ka diferencë 2.3 miliardë lekë – faturë e diskutueshme nga vendimi i ERE-s nr. 110/2018, e cila ka shkuar në gjykata dhe ende nuk ka mbaruar.
Totali i mosdakordësive kalon 6 miliardë lekë. Kjo nuk është thjesht “diferencë kontabël”, por pasojë e një lufte të ftohtë burokratike ku secila palë mban libra kontabël të ndryshëm, si dy dyqanxhinj që nuk besojnë njëri-tjetrin.
Pasqyrat financiare të OSHEE-së dhe ato të KESH-it nuk janë miratuar në afat ligjor nga asnjë prej Këshillave Mbikëqyrës dhe Asambleve të tyre. Asnjë nuk e vrau mendjen për formalitetet e një borxhi kaq të madh.
Marrëveshjet që ekzistojnë vetëm në letër
Raporti pasqyron se mes tyre ka marrëveshje për shlyerje detyrimesh të prapambetura (2018, 2021, me amendime). Ka skedula pagesash, “plane ripagimi”. Ka edhe grupe pune. Të gjitha brenda dakordësisë për të mos respektuar kurrë asgjë.
OSHEE Group, që ka barrën kryesore të pagesave, nuk ka bërë as plan pagesash të detajuara për bijat e veta. Pagesat e vetme të bëra figurojnë të kryera jo të plota dhe jo në kohë. Rezultati? KESH është detyruar të kërkojë ndihmë nga Buxheti i Shtetit. Dhe shteti, bujar, ka dhënë 68 milionë euro hua buxhetore në vitin 2022 plus 20 miliardë lekë fond emergjence.
Kostoja për buxhetin e shtetit vetëm nga interesat e kësaj huaje, për shkak të mosveprimeve të OSHEE-së, del të jetë 635,196,774 lekë.
Pra, para të taksapaguesve që shkuan për të mbuluar paaftёsinё menaxheriale të gjigandëve tanë energjitikë. Këto para u dhanë për “shërbim publik”, që shoqëritë publike të paguajnë njëra-tjetrën për energjinë që prodhojnë, transmetojnë dhe shpërndajnë.
Pacienti OSHEE
Audituesit e KLSH konstatuan se mosrealizimi i objektivave ka sjellë akumulim detyrimesh të reja, rritje penalitetesh, mungesë likuiditetesh, pamundësi investimesh dhe përkeqësim të shërbimit ndaj qytetarit. Ndërkohë, humbjet në shpërndarje, si tekniket dhe ato joteknike, bashkë me mbledhjen e dobët të faturave, mbeten “kanceri kronik” i OSHEE-së.
Ndaj sot kemi një sektor strategjik që në vend që të gjenerojë të ardhura për shtetin, kërkon injeksione të vazhdueshme nga buxheti i tij, sikur të ishte një pacient që refuzon të marrë ilaçet por kërkon gjithmonë transfuzion të ri.
Rekomandime, ama jo përgjegjësi!
KLSH në raportin e tij rekomandon zgjidhje gjyqësore të përshpejtuara, dakordësime të reja pagesash, konsolidim pozicionesh, mekanizma monitorimi, propozime kompensimi te Ministria e Financave etj. Me fjalë të tjera i thotë shkelësve “kronikë”: bëni më shumë letra, më shumë takime, më shumë grupe pune. Formula klasike shqiptare vetëm për të mos e zgjidhur problemin.
Askush nuk flet për përgjegjësi personale. Kujtojmë se periudha e audituar nga KLSH i përket ministrit aktual të Energjisë, Enea Karakaçi, në atë kohë drejtor i OSHEE.
Askush nuk përmend shkarkime. Askush nuk i “prek” përfaqësuesit juridikë të këtyre shoqërive që kanë “fjetur” mbi letra. Sikur të gjithë kanë rënë dakord për të “fituar” vetëm ata, e të humbasim gjithnjë vetëm ne – që paguajnë faturat e muajit!
Cirku energjitik
Në një vend ku energjia është çështje jetike, kemi arritur të krijojmë një rrjet detyrimesh aq të ngatërruar sa as vetë Spiderman– Njeriu Merimangё nuk do ta zgjidhte dot. Ndërkohë që qytetarët paguajnë faturat në kohë, ku ata që s’munden presin t’u priten dritat, në krye të piramidës energjitike kemi të njëjtin “cirk” burokratik ku aktorët ndryshojnë role çdo vit por që skenari mbetet i njëjtë: “Problemi është ende i madh, po punojmë për zgjidhje”.
Raporti i fundit i KLSH-së për “gjigandët energjitikë” është një dokument që tregon thuajse zhveshur gjithçka. Është e vërtetë, në erën “Balluku”, askush s’mund të guxonte të dilte me raportime për ndjekje penale apo me përgjegjësi konkrete, por përsëri gjetjet e raportit të KLSH do të mbeten një dosje bombë, në raftin energjitik dhe atë penal.
Ndoshta, dikush do të pyesë një ditë me zë të lartë: Sa ka kushtuar cirku energjitik për xhepin e shqiptarëve në vitet e “rilindura” energjitike? Përgjigjja vjen me vështirësi dhe me faturë….


© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





