Me titullin “Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpërfill thirrjet për dorëheqje”, Deutsche Welle raporton për vijimin e protestave kundër qeverisë dhe për tensionet që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit.
Sipas medias gjermane, demonstratat e nisura nga studentët, të nxitura nga pakënaqësitë për korrupsionin qeveritar, papunësinë dhe standardet e dobëta të arsimit, kanë vijuar me kërkesën kryesore për largimin e kryeministrit.
DW thekson se Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke deklaruar se protestat nuk po sfidojnë qeverinë apo shumicën e saj parlamentare, por drejtimin strategjik të Shqipërisë.
“Nuk po sfidohem unë, nuk po sfidohet qeveria, nuk po sfidohet një shumicë qeverisëse apo një parti fituese e zgjedhjeve, por po sfidohet një rrugë, po sfidohet një mision”, citohet të ketë thënë Rama gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në Facebook.
“Shqiptarët duhet të mendojnë shumë qartë: A duan këtë, a duan atë, apo duan Bashkimin Evropian?”, ka deklaruar ai.
Media gjermane evidenton gjithashtu se kryeministri i ka cilësuar protestat si “punë e një dore të jashtme”, pa dhënë shpjegime të mëtejshme për këtë pretendim.
Në raportimin e saj, Deutsche Welle përshkruan edhe përplasjet e së dielës, kur qindra protestues u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke thirrur “Rama, dorëhiqu!”.
Sipas DW, disa demonstrues hodhën gurë, kokteje molotov dhe fishekzjarrë drejt forcave të policisë, ndërsa njësitë e ndërhyrjes u përgjigjën me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.
Deutsche Welle e vendos këtë krizë edhe në kontekstin e aspiratave evropiane të Shqipërisë, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
Sipas raportimit, Brukseli ka bërë thirrje për qetësi pas përshkallëzimit të dhunës. Komisioni Evropian dënoi të dielën përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera, ndërsa përshëndeti angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar të drejtën e protestës.
Raportimi është një tjetër pasqyrim i situatës në Shqipëri nga Deutsche Welle, e cila gjatë ditëve të fundit ka ndjekur protestat studentore, ndërhyrjet e policisë dhe përplasjen politike që ka lindur nga kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.






