• Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
  • Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
Kryefaqja Ekonomi-Biznes

“Njerëzit nuk përballojnë dot jetesën, të pasurit pasurohen”: Ekonomistja që paralajmëron se varfëria po ushqen fashizmin

19 Tetor, 2026
në Ekonomi-Biznes
A A
“Njerëzit nuk përballojnë dot jetesën, të pasurit pasurohen”: Ekonomistja që paralajmëron se varfëria po ushqen fashizmin

Isabella Weber

27
SHIKIME
Share on FacebookShare on Twitter

Për ekonomisten gjermane Isabella Weber, rritja e së djathtës ekstreme nuk mund të kuptohet pa parë krizën e kostos së jetesës. Kur qytetarët nuk përballojnë dot strehimin, ushqimin, energjinë dhe shërbimet bazë, ndërsa korporatat grumbullojnë fitime rekord, besimi te demokracia fillon të lëkundet. Në një intervistë për The Guardian, ekonomistja 38-vjeçare propozon një ndryshim rrënjësor të politikave ekonomike: më pak dogma ideologjike dhe më shumë zgjidhje konkrete që e bëjnë jetën të përballueshme për të gjithë.

Problemi me ekonomistët, sipas Isabella Weber, është se ata nuk sillen si dentistët.

Një dentist nuk humbet kohë duke diskutuar bindjet e tij ideologjike kur pacienti ka dhimbje të padurueshme. Ai përpiqet të gjejë zgjidhjen që funksionon. Ekonomistët, përkundrazi, shpesh mbeten të lidhur pas teorive dhe modeleve të tyre, edhe kur realiteti shoqëror kërkon ndërhyrje urgjente.

Krahasimi nuk është i ri. Weber kujton se ishte ekonomisti i njohur John Maynard Keynes ai që e përdori i pari. Por sot, sipas saj, ky krahasim është më aktual se kurrë.

“Gjendja ekzistuese është krejtësisht e padurueshme për shumicën e njerëzve”, thotë ajo gjatë një bisede me gazetarin Michael Segalov në Institutin për Studime të Avancuara në Berlin.

Pabarazia ekstreme dhe përqendrimi i fuqisë ekonomike në duart e korporatave kanë arritur, sipas saj, nivele që janë të papajtueshme me funksionimin e demokracisë.

Në të njëjtën kohë, kriza klimatike po shkatërron themelet ekologjike të jetës, ndërsa disa prej kompanive më të mëdha vazhdojnë të përfitojnë financiarisht nga luhatjet dhe krizat që ajo shkakton.

Në këtë mjedis pasigurie, e djathta ekstreme po fiton terren. Weber mendon se shumë ekonomistë dhe politikanë vazhdojnë të mos e kuptojnë atë që për qytetarët është e dukshme: sistemi ekonomik u ka premtuar mirëqenie, por nuk ua ka siguruar.

“Ajo që për shumicën e njerëzve është logjikë e thjeshtë, shpesh nuk është e tillë për ekonomistët”, shprehet ajo. “Si ekonomistë, duhet të bëjmë më mirë. Dinjiteti i njerëzve dhe demokracia janë në rrezik.”

Në moshën 38-vjeçare, Isabella Weber është bërë një nga zërat më të kërkuar të brezit të ri të ekonomistëve progresistë. Ajo është profesoreshë e asociuar në Universitetin e Massachusetts Amherst dhe bashkëpunëtore e Qendrës Fairbank në Harvard. Ka këshilluar politikëbërës në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Amerikën Latine.

Weber ka ndihmuar në përhapjen e termit greedflation, i cili përshkruan rritjen e çmimeve të nxitur nga përpjekjet e kompanive për të zgjeruar fitimet, veçanërisht gjatë krizave të kostos së jetesës.

Në librin e saj të ri, Anti-Fascist Economics: In Defence of Affordability, Dignity and Democracy, ajo argumenton se ekonomia duhet të vendoset në shërbim të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor dhe të demokracisë. Sipas Weber, ekonomistët duhet të heqin dorë nga ngurtësia ideologjike dhe të ndërtojnë politika që mund të mbështeten nga forca të ndryshme politike, me një objektiv të përbashkët: t’u garantojnë qytetarëve mundësinë për të përballuar nevojat themelore.

Ajo mendon se sukseset elektorale të së djathtës ekstreme nuk burojnë domosdoshmërisht nga një program veçanërisht bindës. Përkundrazi, ato janë pasojë e dështimit të partive tradicionale për të pranuar vështirësitë e përditshme ekonomike të qytetarëve dhe për të ofruar një alternativë të besueshme.

“Aktualisht, vetëm e djathta ekstreme është e gatshme të thotë se diçka nuk funksionon dhe se një e tashme dhe një e ardhme tjetër janë të mundshme”, argumenton Weber. Sipas saj, forcat demokratike nuk duhet t’ia lënë vetëm ekstremistëve premtimin për ndryshim.

Zgjidhja që ajo propozon duket e thjeshtë në formulim, por është shumë më komplekse në zbatim: strehimi, transporti, ushqimi, uji, energjia dhe kujdesi shëndetësor duhet të jenë ekonomikisht të përballueshme për të gjithë.

“Fashizmi po rritet nga frustrimi që lind prej krizës së mjeteve të jetesës. Prandaj duhet t’i rimarrim në kontroll këto nevoja themelore”, thotë ajo.

Idetë e Weber kanë filluar të ndikojnë edhe në programet e politikanëve.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se puna e saj ka ndikuar prej vitesh në programin e tij për uljen e kostos së jetesës, ku përfshihen autobusët falas, kujdesi universal për fëmijët, kufizimi i qirave dhe dyqanet publike ushqimore.

Ekonomistja ka këshilluar gjithashtu politikanë amerikanë si Elizabeth Warren, Alexandria Ocasio-Cortez dhe Bernie Sanders, si dhe ministra britanikë, përfshirë Ed Miliband. Edhe kryeministri britanik Andy Burnham ka përdorur një gjuhë të ngjashme në diskutimin mbi shërbimet bazë.

“Shtëpitë. Uji. Energjia. Transporti. Kujdesi. Të copëtuara dhe të shitura”, deklaroi ai në konferencën e Partisë Laburiste, duke kritikuar humbjen e kontrollit ekonomik përmes privatizimit të shërbimeve thelbësore.

Megjithatë, Weber thekson se objektivi i saj nuk është thjesht shtimi i ndërhyrjes shtetërore. Shteti, tregu dhe fitimi privat janë, sipas saj, instrumente që mund të përdoren në mënyra të ndryshme për të arritur të njëjtin qëllim: çmime të përballueshme.

“Qëllimi nuk është më shumë ndërhyrje shtetërore. Ajo është vetëm një mjet, ashtu si fitimet dhe tregjet”, shpjegon ekonomistja.

Ajo kundërshton idenë se një model i vetëm ekonomik mund të zgjidhë çdo problem. Përkundrazi, çdo sektor kërkon ndërhyrje të përshtatura me karakteristikat e tij. Një shembull është tregu ushqimor. Sipas Weber, katër kompani shumëkombëshe kontrollojnë ndërmjet 70% dhe 90% të tregtisë botërore të drithërave. Fitimet e këtyre kompanive mund të rriten në periudha paqëndrueshmërie të çmimeve, ndërsa konsumatorët dhe prodhuesit përballen me pasiguri.

Për këtë arsye, ajo propozon krijimin e rezervave publike të drithërave, përmes institucioneve që blejnë kur çmimet janë të ulëta dhe shesin kur ato rriten. Qëllimi nuk do të ishte maksimizimi i fitimit, por stabilizimi i çmimeve dhe mbrojtja e fermerëve dhe konsumatorëve.

Weber kujton se edhe Keynes kishte propozuar mekanizma të ngjashëm rreth një shekull më parë. Ajo ka këshilluar qeverinë e Afrikës së Jugut të shqyrtojë bashkimin e fuqisë blerëse të vendeve të rajonit. Nëse Bashkimi Afrikan do të krijonte një sistem të përbashkët rezervash, vendet pjesëmarrëse mund të siguronin kushte më të mira blerjeje dhe të mbronin tregjet e tyre nga goditjet ndërkombëtare të çmimeve.

Një tjetër shembull vjen nga Meksika. Përmes politikës së njohur si canasta básica, shitësit me pakicë pranojnë vullnetarisht të kufizojnë çmimin e përgjithshëm të një shporte me rreth 24 produkte bazë. Në këmbim, qeveria u ofron lehtësi fiskale dhe kushte të favorshme tarifore. Autoritetet publikojnë gjithashtu vlerësime të rregullta për kompanitë që i respektojnë marrëveshjet dhe kritikojnë ato që nuk i zbatojnë.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, partia qeverisëse Morena e rriti mbështetjen elektorale nga 55% në 61%. Për Weber, ky është një shembull se si politikat që prekin drejtpërdrejt shpenzimet e përditshme mund të kenë rëndësi edhe politike.

Kriza klimatike zë një vend qendror në mendimin e saj ekonomik. Ajo argumenton se nuk mund të ndërtohet një ekonomi që mbron demokracinë dhe dinjitetin njerëzor pa marrë parasysh pasojat e ndryshimeve klimatike. Sipas saj, disa lëvizje populiste dhe interesa të fuqishme ekonomike janë të gatshme të pranojnë dëmtimin e mjedisit, për sa kohë që përfitojnë financiarisht prej tij.

“Nëse nuk fillojmë të veprojmë në mënyrë efektive, pjesë të konsiderueshme të popullsisë botërore do të sakrifikohen”, paralajmëron ajo.

Në librin e saj, Weber argumenton se varësia nga lëndët djegëse fosile ushqen pasigurinë ekonomike mbi të cilën mund të mbështeten politikat autoritare. Kur çmimet e naftës dhe gazit luhaten fort, familjet përballen me rritje të menjëhershme të faturave të energjisë, transportit dhe produkteve të përditshme. Ajo propozon stabilizimin e kostos së një sasie bazë energjie nga lëndët fosile për konsumatorët, por paralajmëron se kjo duhet të shoqërohet me investime të mëdha publike në infrastrukturë të gjelbër. Përndryshe, mbrojtja afatshkurtër nga çmimet e larta mund të përjetësojë varësinë nga burimet që shkaktojnë krizën.

Weber sjell edhe një shembull të shpërndarjes së pabarabartë të fitimeve.

Në vitin 2022, kompanitë e listuara në bursë të sektorit të naftës dhe gazit regjistruan në nivel botëror 916 miliardë dollarë fitime neto. Sipas një studimi të saj mbi Shtetet e Bashkuara, 50% e këtyre fitimeve shkuan te 1% e familjeve më të pasura, ndërsa gjysma më e varfër e familjeve përfitoi vetëm 1%. “Njerëzit nuk mund t’i përballojnë gjërat, shohin të pasurit të bëhen edhe më të pasur dhe zemërohen”, thotë ekonomistja. Sipas saj, nëse fitimet e jashtëzakonshme vazhdojnë të përqendrohen te aksionarët më të pasur, pabarazia ekonomike do të vazhdojë të krijojë terren për të djathtën ekstreme.

Weber e lidh këtë argument edhe me zhvillimet politike në Gjermani. Ajo përmend landin Saksoni-Anhalt, një nga rajonet më të varfra të vendit sipas disa treguesve ekonomikë, ku partia e djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka arritur një fitore të rëndësishme elektorale. Sipas ekonomistes, ky rajon përbën një shembull të mënyrës se si pasiguria ekonomike mund të ndërthuret me nostalgjinë për një të kaluar të idealizuar.

Slogani elektoral i AfD-së ishte “Gjithçka është e mundur”. Weber vëren se partitë e ekstremit të djathtë premtojnë ndryshim, ndërsa partitë tradicionale shpesh duken sikur ofrojnë vetëm vazhdimësinë e gjendjes ekzistuese. Vetë ajo është pjesë e një komisioni të qeverisë gjermane për reformimin e rregullave fiskale, me synimin për të krijuar më shumë hapësirë huamarrjeje për investimet publike. Por puna e komisionit ka ngecur.

“Nuk po arrijmë askund”, thotë Weber, duke kritikuar njëkohësisht reformat e ashpra të mbrojtjes sociale që, sipas saj, qeveria po zbaton kundër vullnetit të votuesve. Ajo shpreh zhgënjimin që, ndërsa e djathta ekstreme fiton mbështetje, një pjesë e ekonomistëve vazhdon të pengojë politika që mund të rikthejnë besimin te demokracia. Për Weber, kundërshtimi i fashizmit nuk është vetëm një pozicion akademik. Ajo është rritur në Nuremberg, qyteti që dikur ishte një nga qendrat kryesore të propagandës naziste.

Sipas historisë së familjes së saj, gjyshi i saj, një prift në rajonin e Ruhrit, kishte refuzuar të vendoste simbolin nazist në kishën e tij. Që fëmijë, Weber ishte e vetëdijshme për shkatërrimin që kishte sjellë nazizmi në qytetin e saj. Në vitet 1990, kur grupet neonaziste marshonin nëpër Nuremberg, ajo dilte në protesta kundër tyre së bashku me gjyshen.

“U rrita me kërcënimin e fashizmit dhe mësova se të qenit antifashiste dhe parandalimi i rikthimit të tij është detyra ime e parë qytetare”, thotë ajo. “Në Gjermani, demokracia jonë ekziston vetëm sepse fashizmi u mposht.”

Ekonomistja thekson se shumë nga politikat që propozon nuk janë eksperimente të paprovuara. Pas Luftës së Dytë Botërore, shumë vende zhvilluan ekonomi të përziera, ku pronësia publike kishte rol të rëndësishëm krahas sektorit privat. Sipas saj, dekadat e politikave neoliberale kanë krijuar përshtypjen se pronësia publike është përjashtim, ndonëse për një periudhë të gjatë ajo ishte pjesë normale e organizimit ekonomik.

Weber sjell shembullin e Zvicrës, e cila ka ruajtur kontroll të rëndësishëm publik në sektorë si telekomunikacioni, uji, energjia dhe transporti. Në vitin 2022, kur inflacioni mesatar në vendet e OECD-së arriti në 9,5%, në Zvicër ai ishte vetëm 2,8%.

Për Britaninë, rekomandimet e saj janë konkrete: rikthimi i ujësjellësve në pronësi publike, investime në sistemin shëndetësor NHS, forma të kontrollit të qirave, zgjerimi i banesave sociale të përballueshme dhe miqësore me mjedisin, shporta ushqimore me çmime të ulëta dhe transport publik shumë i lirë, madje falas në qytetet e mbipopulluara.

Por idetë e saj nuk janë pritur gjithmonë mirë.

Në dhjetor të vitit 2021, Weber propozoi në një artikull për The Guardian që kontrollet e çmimeve të përdoren për të stabilizuar koston e produkteve bazë. Reagimi i një pjese të komunitetit ekonomik ishte jashtëzakonisht i ashpër. Sipas saj, kritikët u sollën sikur ajo të kishte vënë në dyshim ligjet e gravitetit. Revista The New Yorker e përshkroi më vonë si “gruaja më e urryer në ekonomi”.

Edhe ekonomisti fitues i Çmimit Nobel, Paul Krugman, e cilësoi argumentin e saj si “vërtet budalla”, megjithëse më pas kërkoi falje. “Ishte një periudhë e tmerrshme në jetën time”, kujton Weber. Por ajo thotë se kjo përvojë i ka dhënë besim më të madh për të vazhduar.

“Ajo që po thosha atëherë, tani po provohet se ishte e drejtë. Kjo përvojë më ka dhënë një siguri të qetë. Këto janë beteja intelektuale që ia vlejnë të luftohen.”

Gjatë studimeve në New School të Nju Jorkut, Weber kishte analizuar socializmin e shekullit XX. Ajo kujton se shumë prej ideve të asaj periudhe i dukeshin utopike, të bukura në teori, por tepër të shkëputura nga përvoja e përditshme e njerëzve. Pikërisht për këtë arsye, sot ajo kërkon që ekonomia të mos ndërtohet mbi ideologji abstrakte, por mbi problemet konkrete të shoqërisë.

Dhe kështu kthehet te krahasimi fillestar me dentistin: kur njerëzit vuajnë, detyra e ekonomistit nuk është të mbrojë me çdo kusht një teori, por të gjejë mënyrën për t’ua lehtësuar jetën.

“Logjika e thjeshtë duhet të jetë pikënisja për të rehabilituar demokracinë”, përfundon Weber.

Burimi: The Guardian

Postimi i mëparshëm

Monologu anti-dorëheqje rrëshqet: “Sa herë t’u ngrihet Tik-Toku do ndërrojmë qeverinë?” Edi Rama humbet toruan para elitës së policisë

Postimi i rradhës

Deutsche Welle: Rama refuzon dorëheqjen, protestat në Shqipëri mes përplasjeve të dhunshme me policinë

Postimi i rradhës
Deutsche Welle: Rama refuzon dorëheqjen, protestat në Shqipëri mes përplasjeve të dhunshme me policinë

Deutsche Welle: Rama refuzon dorëheqjen, protestat në Shqipëri mes përplasjeve të dhunshme me policinë

  • Më të fundit
Virusi Shamonda infekton për herë të parë një njeri, pacienti humb jetën në Francë. Çfarë dihet për virusin e ri në Europë?

Virusi Shamonda infekton për herë të parë një njeri, pacienti humb jetën në Francë. Çfarë dihet për virusin e ri në Europë?

22 Tetor, 2026
Tërhiqen nga tregu injeksionet për dobësim GLP-1, FDA paralajmëron për rrezik nga mungesa e sterilitetit

Tërhiqen nga tregu injeksionet për dobësim GLP-1, FDA paralajmëron për rrezik nga mungesa e sterilitetit

22 Tetor, 2026
Policia bastis zyrat e së djathtës radikale në Parlamentin Europian, nën hetim abuzimi me mbi 4.3 milionë euro

Policia bastis zyrat e së djathtës radikale në Parlamentin Europian, nën hetim abuzimi me mbi 4.3 milionë euro

22 Tetor, 2026
Giuseppe Verdi, nga dhimbja që e shtyu të braktiste muzikën te kryeveprat që pushtuan botën

Giuseppe Verdi, nga dhimbja që e shtyu të braktiste muzikën te kryeveprat që pushtuan botën

22 Tetor, 2026

Postimet e fundit

Virusi Shamonda infekton për herë të parë një njeri, pacienti humb jetën në Francë. Çfarë dihet për virusin e ri në Europë?

Virusi Shamonda infekton për herë të parë një njeri, pacienti humb jetën në Francë. Çfarë dihet për virusin e ri në Europë?

22 Tetor, 2026
Tërhiqen nga tregu injeksionet për dobësim GLP-1, FDA paralajmëron për rrezik nga mungesa e sterilitetit

Tërhiqen nga tregu injeksionet për dobësim GLP-1, FDA paralajmëron për rrezik nga mungesa e sterilitetit

22 Tetor, 2026
Policia bastis zyrat e së djathtës radikale në Parlamentin Europian, nën hetim abuzimi me mbi 4.3 milionë euro

Policia bastis zyrat e së djathtës radikale në Parlamentin Europian, nën hetim abuzimi me mbi 4.3 milionë euro

22 Tetor, 2026
Giuseppe Verdi, nga dhimbja që e shtyu të braktiste muzikën te kryeveprat që pushtuan botën

Giuseppe Verdi, nga dhimbja që e shtyu të braktiste muzikën te kryeveprat që pushtuan botën

22 Tetor, 2026

Na ndiqni në

KontrasT.al

KontrasT.al - Është një platformë mediatike që informon dhe argëton ndjekësit në 24/7. Lajmi, ngjarja dhe opinioni vijnë për lexuesit me ngjyra më të qarta - në tablonë e realitetit dhe kontraditave të tij.

Shfleto sipas kategorive

  • Aktualitet
  • Argëtim
  • Bota
  • Destinacione
  • Drejtësi-Ligj
  • Ekonomi-Biznes
  • Foto-Lajm
  • Horoskopi
  • Investigim
  • Kinema
  • Kosova
  • Kronika e zezë
  • Ku të shkojmë
  • Kuriozitete
  • Kursi këmbimit
  • Lajme
  • Lajme rozë
  • Letërsi
  • Misc
  • Modë
  • Moti
  • Muzikë
  • Opinion
  • Politikë
  • Portret
  • Psikologji
  • Rubrika artistike
  • Satirë
  • Shënim
  • Shkencë-Teknologji
  • Showbiz
  • Shqipëria
  • Sport
  • Stil jetese
  • Të tjera
  • Teatër
  • Video

Lajmet më të fundit

Virusi Shamonda infekton për herë të parë një njeri, pacienti humb jetën në Francë. Çfarë dihet për virusin e ri në Europë?

Virusi Shamonda infekton për herë të parë një njeri, pacienti humb jetën në Francë. Çfarë dihet për virusin e ri në Europë?

22 Tetor, 2026
Tërhiqen nga tregu injeksionet për dobësim GLP-1, FDA paralajmëron për rrezik nga mungesa e sterilitetit

Tërhiqen nga tregu injeksionet për dobësim GLP-1, FDA paralajmëron për rrezik nga mungesa e sterilitetit

22 Tetor, 2026
  • Rreth nesh
  • Reklamo
  • Politikat e privatësisë
  • Na kontaktoni

© 2025 KontrasT.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
  • Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
  • sq
    • sq
    • en
    • it

© 2025 KontrasT.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.