Fenomeni El Niño i këtij viti pritet të jetë më i fuqishmi i regjistruar në më shumë se një shekull, me temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin tropikal që mund të arrijnë nivele të papara në të dhënat moderne klimatike, sipas parashikimeve të agjencisë meteorologjike britanike, Met Office.
El Niño shpallet kur temperaturat e ujërave në Paqësorin tropikal lindor rriten me të paktën 0.5 gradë Celsius mbi mesataren bazë, duke shkaktuar ndryshime të mëdha në erëra, presionin atmosferik dhe reshjet në pjesë të ndryshme të botës, si dhe duke ndikuar në rritjen e temperaturave globale.
Adam Scaife, drejtues i parashikimeve afatgjata në Met Office, tha për BBC se modelet aktuale tregojnë një fenomen me intensitet të jashtëzakonshëm.
“Presim El Niño-n më të madh në më shumë se një shekull, me kulmin që mund të kalojë tre gradë mbi mesataren. Kjo është diçka e padëgjuar në të dhënat moderne klimatike”, tha Scaife, duke e cilësuar atë si “një ngjarje të paprecedentë”.
Sipas tij, temperaturat anormale të ujërave të Paqësorit janë tashmë pranë dy gradëve mbi nivelet normale, ndërsa të dhënat e Climate Brink tregojnë se në rajon ato janë aktualisht rreth 2.6 gradë Celsius mbi mesataren lëvizëse 30-vjeçare.
Pasojat më të forta pritet të ndihen në zonat tropikale, veçanërisht në Amerikën e Jugut dhe në Paqësorin Perëndimor, ku parashikohen thatësira të rënda. Një situatë e tillë mund të ketë pasoja që shkojnë shumë përtej motit, pasi mungesa e reshjeve dhe temperaturat ekstreme mund të godasin prodhimin bujqësor dhe të shtojnë presionin mbi sigurinë ushqimore.
Scaife theksoi se nuk bëhet fjalë për një episod të shkurtër të motit, por për kushte që mund të vazhdojnë për një periudhë të gjatë dhe të ndikojnë njëkohësisht në disa sisteme ekonomike dhe mjedisore.
“Po flasim për kushte vërtet afatgjata dhe të vazhdueshme. Ka ndikime të njohura në sisteme të tjera, përfshirë ushqimin dhe sigurinë ushqimore”, tha ai.
Ndikimet e El Niño-s pritet të arrijnë edhe në Evropë. Për Mbretërinë e Bashkuar, Met Office parashikon shtim të reshjeve dhe mot më të stuhishëm gjatë vjeshtës, veçanërisht rreth muajit nëntor.
Paralajmërimi vjen ndërsa efektet e fenomenit po shfaqen tashmë në disa pjesë të botës. Në Indonezi, thatësira e lidhur me El Niño-n ka ulur aq shumë nivelet e ujit sa në disa zona janë rishfaqur ndërtesa të përmbytura më parë, ndërsa vendi po përballet edhe me një sezon zjarresh që ekspertët paralajmërojnë se mund të jetë ndër më të rëndët e viteve të fundit.
Burimi: France 24





