• Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
  • Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
Kryefaqja Shënim

Ishulli i Bankёs sё Shqipёrisё kёrkon njё Kushtetutё

20 Korrik, 2026
në Shënim
A A
Ishulli i Bankёs sё Shqipёrisё kёrkon njё Kushtetutё

Ilustrim AI

206
SHIKIME
Share on FacebookShare on Twitter

Ligji Nr. 8269 “Për Bankën e Shqipërisë” e ka fillesën më 23 Dhjetor 1997, në ato ditë kur Shqipëria vuante vitin e mbrapshtë të një lufte thuajse civile. Megjithatë, Kuvendi i asaj kohe, vendosi një gur të rëndë në themelin e sistemit bankar shqiptar me ligjin që është në fuqi edhe sot.

Ligji për Bankën e Shqipërisë ka pësuar ndryshime të vogla nëpër rreshta të tij në vitet 1998, 2002 dhe 2014, por pa asnjë rëndësi që të prekë versionin e parë, origjinalin.

Para pak ditësh, më 15 Korrik, në portalin e qeverisë “Konsultimet Publike”, shfaqet një projektligj i ri për Bankën e Shqipërisë me propozues Ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Projektligji i publikuar për konsultim popullor, është një akt me 116 nene, nga 77 që ka ligji në fuqi. Një projekt që propozon të ndryshojë plotësisht ligjin ekzistues dhe, që praktikisht e kthen atë në “letër higjienike” për t’u hedhur në koshin e historisë pa lavdi të këtij institucioni. Petriti dhe shokët e tij, kanë nxjerrë nga “mënga” një letër fituese, që ata e quajnë ligj.

Deutsche Bundesbank

Ligji në fuqi për Bankën e Shqipërisë, i ka rezistuar kohës me konҫizitetin prej 76 nenesh, ku funksionimi i Bankës, mbështetet në parime të thjeshta që i gjen në të gjitha aktet e njëjta të bankave qendrore të Evropës. Të gjitha kanë të përbashkët pavarësinë e bankës qendrore nga shteti, ku më shumë përmblidhen parime se sa specifikime.

Ligji për Bundesbank-un, ose Bankën Qendrore Gjermane, si një nga ligjet referuese evropiane, përbëhet nga 45 nene dhe është miratuar në 1957-ёn, duke patur parasysh se Deutsche Bundesbank, është “koka” financiare e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (ESCB).

Bankierët gjermanë e kanë pranuar publikisht se, me futjen e Eurosistemit, banka qendrore dhe konservatore e shtetit federal gjerman, ka deleguar jo pak sovranitet monetar te Banka Qendrore Evropiane (BQE), por anëtarët e Bordit Ekzekutiv të Deutsche Bundesbank e ushtrojnë detyrën sipas të drejtës publike gjermane dhe jo sipas rregullave të “kushtetutës” evropiane.

Në emër të acquis communautaire

Sa herë një projektligj shoqërohet me fjalët “harmonizim me Bashkimin Evropian”, shqiptarëve u serviret automatikisht bindja se çdo dispozitë e tij është e domosdoshme, moderne dhe e pakundërshtueshme. Pikërisht ky është edhe rasti i projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë“. Në faqen e parë të projektaktit theksohet se ai përafron legjislacionin shqiptar me Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe me Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe të Bankës Qendrore Evropiane.

Një theks i panevojshëm ky, për sa kohë Shqipëria është vend kandidat dhe harmonizimi me acquis communautaire është një detyrim që buron nga vetë procesi i integrimit.

Apo nën ombrellën e harmonizimit, projektligji për Bankën e Shqipërisë ka futur “objektiva” që nuk burojnë nga acquis-i, por nga halli i hartuesve të ligjit?

“Shpërndarësi i picave” futet në SPAK

Ilustrim AI

Këto ditë media të ndryshme i kanë dhënë zë një lajmi sensacional për nenin 72 të projektligjit, që ndalon çdo formë arrestimi apo kontrolli personal të banesës për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe zёvendёsguvernatorët pa marrë më parë një autorizim nga Gjykata Kushtetuese.

Kërkohet mburojë kushtetuese për Guvernatorin Gent Sejko, por dhe për dy zëvendësit e tij, Natasha Ahmetaj dhe Holta Zaçaj, një mburojë që nuk ekziston në asnjë ligj të Bashkimit Evropian.

Burimet nga Banka e Shqipërisë, raportojnë se, drafti i ligjit është hartuar në zyrat e Guvernatorit Sejko, nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, që të gjithë në “lupën” e SPAK prej mëse dy vjetësh. Një nga hetimet “top sekret” të këtyre viteve aktive të SPAK, duket se është ai që zhvillohet ndaj Guvernatorit Sejko, i cili është thirrur për t’u marrë në pyetje, të paktën dy herë në zyrat e xhamta të BKH, njërën në fillimin e këtij viti.

Burimet raportojnë se Gent Sejko është marrë në pyetje për më shumë se 7 orë në lidhje me hetime ku përfshihet gjithë kupola drejtuese e Bankës së Shqipërisë. Bashkë me të, në SPAK janë paraqitur për t’u pyetur drejtorët kryesorë të Bankёs, si Deniz Derralla, Altin Naqe dhe shumë punonjës të tjerë të bankës, hetime që kanë krijuar një pështjellim të paprovuar më parë në godinën komode që ndodhet në sheshin Skënderbej.

Raportimet flasin dhe për sekuestrime, kontrolle dhe këqyrje brenda ambienteve të Bankës së Shqipërisë, ku punonjësit e saj janë ndjerë për herë të parë të pambrojtur, përballë “dorës së hekurt” të hetuesve të BKH, që “kërkonin me ngulm të dhëna dhe dokumente për vetë Shefin e tyre”.

Të gjithë personazhet publike, politikanë, funksionarë në detyrë ose jo, që janë thirrur nga SPAK kanë parakaluar në “pasarelën” që ndan rrethimin e godinës, aty ku vendqëndrojnë mediat, me hyrjen kryesore të zyrave të prokurorëve dhe hetuesve. Asnjëherë nuk është raportuar se aty ka hyrë dhe dalë, Guvernatori Gent Sejko, një personazh me shumë peshë në hierarkinë e shtetit, por dhe të kuriozitetit mediatik.

Si ia ka dalë t’u shmanget syve kureshtarë, Guvernatori Sejko, kur i është dashur të paraqitet dy herë në SPAK? Nëse nuk është maskuar, atëherë SPAK e ka trajtuar dhe “ruajtur” në mënyrë të diferencuar, krahasuar me shumë personazhe VIP të politikës dhe biznesit, që ai të mos bjerë në “faqet e para të gazetave” apo fokusin e kamerës televizive.

Nëse Sejko ka gjetur mënyra alternative për t’u paraqitur në SPAK pa e njohur askush, atëherë qenka aftësi e tij, por lind pyetja: Përse i fshihet syrit publik Guvernatori? Pse tё mos tregojё se po pyetet si gjithë qytetarët e tjerë? Apo pёr t`u hequr sikur s’ka asgjë për të fshehur dhe për më tepër është i pafajshëm nga çdo akuzë, dyshim apo aludim rreth tij?

Atentat me “Projektligj”

Atentatet në kohët moderne nuk bëhen më me plumba, por me “karta”, ligje, vendime që “vrasin” pa zhurmë dhe shumë më tepër se sa një armë e sofistikuar luftarake.

Në projektligjin për Bankën e Shqipërisë, opinioni publik është përqendruar tërësisht te parashikimi i nenit 72, që lidhet me imunitetin që kërkon Guvernatori për veten dhe drejtuesit e Bankës së Shqipërisë. Por, “imuniteti” është vetëm maja e ajsbergut.

I gjithë projektligji është një “atentat” që kërkon t’i bëhet gjithë rendit juridik shqiptar. Aty fshihen dispozita që kërkojnë ta kthejnë Bankën e Shqipërisë në “principatë” kompetencash; kërkohet t’i vihet “mur” pengues kontrollit të jashtëm; të relativizohet deri në maksimum roli i Kontrollit të Lartë të Shtetit; të krijohen privilegje financiare të pazakonta dhe, në fund, e paimagjinueshmja ҫёshtje antikushtetuese- që t’i jepet ligjit një epërsi ndaj gjithë ligjeve të tjera.

Projektligji nuk kërkon të ndryshojë vetëm mënyrën si funksionon banka qendrore në Shqipëri, por gjithë raportin e saj me shtetin, me drejtësinë, me institucionet e tjera dhe, në fund të fundit, me qytetarin. Sepse “plumbi” i fundit i përket atij.

Delegimi pa kufij – metoda e arratisjes nga përgjegjësia

Në pikën 7, të nenit 40, projektligji parashikon që Guvernatori mund të delegojë një pjesë të funksioneve të tij te zëvendësguvernatorët dhe madje edhe te vetë personeli i Bankës së Shqipërisë.

Moda e delegimit të firmës u hap si modë “syzesh” nga Kryeministri i Shqipërisë, që për vite me radhë e la stilografin në dorë të zëvendësit apo zëvendëses. Pas tij, çdo titullar institucioni filloi aksionin “Delegimi i kompetencave”. Shqipëria ka kohë që qeveriset në formë të deleguar, në institucione qendrore dhe nëpër bashki, sikur të jetë një pushtet që ushtrohet nga “sozi” titullarësh. Në asnjë shtet serioz delegimi nuk mund të shndërrohet në një mekanizëm për të transferuar përgjegjësinë bashkë me kompetencën.

Këtë ka menduar projektligji edhe për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë; të mos vendosë asnjë kufi mbi delegimin, apo “arratisjen nga përgjegjësia”.

Në nenin 40 të tij, nuk përcaktohen se cilat kompetenca mund të delegohen dhe cilat duhet të mbeten ekskluzivisht në ushtrimin e Guvernatorit. Delegimi nuk ka nevojë të jetë i arsyetuar, i kufizuar në kohë apo i publikuar. Nuk parashikohet nëse mund të revokohet në çdo moment, nëse duhet të jetë individual apo i përgjithshëm, apo nëse Kuvendi apo vetë Këshilli duhet të informohen për kompetencat që kalojnë nga organi drejtues te vartësit. Madje, Guvernatori kompetencën kushtetuese mund t’ia delegojë jo vetëm dy zëvendësguvernatorëve, por edhe personelit të Bankës së Shqipërisë, pa bërë asnjë dallim midis drejtuesve të lartë dhe administratës, pa vendosur asnjë kriter dhe pa përcaktuar natyrën e kompetencave që mund të transferohen.

Lapsus apo nevojë që në një moment të caktuar, për “allishverishe” të caktuara, mandati kushtetues të delegohet edhe tek “roja” e bankës?!

E zgjedhim, por nuk e heqim

Neni 45, është një sensacion tjetër i projektligjit. Në të parashikohet se, sapo Këshilli Mbikëqyrës i Bankёs, propozon ose rekomandon shkarkimin e një anëtari të tij, ky i fundit ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese brenda 15 ditëve për të shqyrtuar vlefshmërinë e propozimit ose rekomandimit.

Vetëm paraqitja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pezullon automatikisht procedurën e shkarkimit në Kuvend deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të shprehet brenda 60 ditëve. Me këtë parashikim të krijohet përshtypja, sikur të kemi të bëjmë me një kryetar bashkie të zgjedhur nga populli.

Kjo do të thotë se Kuvendi nuk mund të shkarkojë anëtarin që ka zgjedhur vetë, pa marrë më parë “dritën jeshile” nga Gjykata Kushtetuese.

Pezullimi automatik i sovranitetit të Kuvendit, ku Gjykata Kushtetuese banalizohet deri në atë pikë sa kërkohet të shndërrohet në një organ administrativ që shqyrton procedura disiplinore, nuk mund të jetë ide e ngjizur në tryeza serioze juristësh, nëse ato nuk janë zhvendosur në ndonjë vend ku ka argëtim dhe muzikë pushteti.

Sipas kësaj ideje “inovatore” çdo procedurë shkarkimi duhet të kthehet në një proces kushtetues, ndërkohë që Kuvendi “sheh” se si të zgjedhurit prej tij, praktikisht bëhen të paprekshëm po të vijë puna për shkarkim.

“Ngrehja” e përjetshme e pagës

Neni 47 i projektligjit parashikon kategorikisht se “pagat, shtesat dhe përfitimet e tjera financiare të anëtarëve të Këshillit dhe personelit nuk mund të ulen.”

Në çfarë ligji përafrues evropian është huazuar ky formulim allashqiptar?

Pagat e punonjësve të Bankës së Shqipërisë, kërkohet të kenë vetëm një kah dhe drejtim: lart. Edhe nëse ekonomia futet në krizë, edhe nëse sektori publik detyrohet të shtrëngojë shpenzimet, edhe nëse vetë Banka e Shqipërisë vendos masa kursimi, ndalohet me ligj ulja e pagave të personelit të saj.

Po kështu, privilegji vazhdon, qëndron “ngrehur” duke parashikuar që pagat të rishikohen periodikisht dhe që paga bazë të indeksohet çdo vit me normën e inflacionit, ndërsa në rishikim të merren parasysh edhe zhvillimet e tregut të banesave dhe pagat në sektorin financiar.

Pra, propozuesit e ligjit, nuk kërkojnë vetëm një garanci kundër uljes së pagës, por edhe një mekanizëm ligjor që garanton rritjen e saj pothuajse automatike.

Asnjë kategori tjetër në administratën publike nuk e gëzon këtë privilegj.

Një propozim makut ky, aq sa banal dhe i shëmtuar që kërkon me ligj të ndërtojë një “ishull” ku pagat mund të rriten, por nuk mund të ulen kurrë, për të emëruarit e privilegjuar në Bankën e Shqipërisë. Ndërkohë që, qytetarët, pensionistët dhe punonjësit e sektorit publik përballen me inflacionin, me ngrirje pagash apo me politika shtrënguese, sikur të jenë qytetarë të dorës së dytë.

Mbledhjet në pishinë

Neni 49 i projektligjit, është një nonsens që kërkon ta shndërrojë konfidencialitetin në “akt spiunazhi”. Në emër të tij, projektligji arrin deri aty sa shpall “sekret” jo vetëm dokumentacionin që përdoret për vendimmarrje, por edhe vetë diskutimet, procesverbalet dhe mënyrën se si votojnë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankёs sё Shqipёrisё.

Çfarë “planesh lufte” diskutohen në këtë Këshill, sa që kërkojnë diskrecion si ai i një Shërbimi sekret?

Ndërsa pika 4, tejkalon nonsensin, kur parashikimi lejon që Këshilli të marrë vendime edhe pa zhvilluar fare mbledhje, vetëm përmes procedurës me shkrim.

Ky nen lejon në pikën 5, që pjesëmarrja dhe votimi të kryhen në distancë, përmes mjeteve elektronike, me të njëjtën vlefshmëri si prania fizike.

Pra, vendimet me ndikim të jashtëzakonshëm mbi ekonominë shqiptare mund të merren pa debat fizik, pa diskutim të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë transparencë publike mbi procesin vendimmarrës.

Ato mund të merren edhe nëse Holta Zaçaj gjendet në një pishinë në SHBA, Ervin Mete ndodhet në një hotel në Kanada, apo Selami Xhepa me Anastas Angjelin janë duke luajtur tavëll në një kompleks rezidencial vilash në jug të Shqipërisë. Online ata vendosin.

Nuk duam KLSH: Ajo lejohet të vizitojë… por jo të kontrollojë

Neni 60, parashikon se, Kontrolli i Lartë i Shtetit lejohet të hyjë në Bankën e Shqipërisë vetëm për të kontrolluar administratën, asetet, pajisjet, burimet njerëzore dhe shërbimet mbështetëse. Por, KLSH-së i ndalohet të vlerësojë arritjen e objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë, mënyrën e ushtrimit të funksioneve të saj themelore, politikën monetare, stabilitetin financiar, operacionet e tregut dhe madje kufizohet edhe e drejta për t’u njohur me dokumentacionin që lidhet me këto fusha. Pra, organit më të lartë kushtetues të auditimit i thuhet paraprakisht se deri ku mund të shohë dhe ku duhet të ndalojë në shkelje flagrante të Kushtetutës!

Në pikën 6 të këtij neni zbehet edhe më shumë roli i KLSH-sё, kur parashikohet se Banka e Shqipërisë nuk është e detyruar të hartojë as plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Neni anti-KLSH, synon që Banka e Shqipërisë të ketë imunitet me ligj, ndaj kontrollit kushtetues mbi administrimin e fondeve publike që bëhen nga ana e saj.

Superligji si skandal juridik

Neni 67 i projektligjit hedh për konsultim publik një “bombë” juridike: “Dispozitat e këtij ligji kanë epërsi dhe përparësi në rast mospërputhjeje ndaj ligjeve të tjera.”

Në parimet më themelore të shtetit të së drejtës, si në Evropë, botë dhe në Shqipëri, epërsinë e ligjeve ndaj njëri-tjetrit e përcakton Kushtetuta.

Kushtetuta e Shqipërisë është maja e piramidës normative, ndërsa “Superligji” për Bankën e Shqipërisë, tenton të krijojë me vetëdeklarim një status që ajo nuk e njeh.

Neni 67 nuk është vetëm antikushtetues, por orvatje e rrezikshme, sepse krijon idenë se Banka e Shqipërisë duhet të funksionojë sipas një ligji që vendoset mbi pjesën tjetër të legjislacionit shqiptar, madje edhe mbi Kushtetutën, duke krijuar kështu një rend juridik paralel.

Kujt i duhet ky “Superligj”, ky skandal juridik?

Banka e Shqipërisë ka kohë që është kthyer në një ishull ku “banojnë” vetëm të përzgjedhurit e pushtetit, familjarë, shokë, miq nga i gjithë spektri politik, por dhe nga sistemi i drejtësisë. Pavarësia e saj është një litar që ia mban në qafë Pushteti, e që shtrëngohet dhe lirohet sipas nevojave të tij.

Tashmë ishulli ka nevojë për një “kushtetutë” të vetёn. Një kushtetutë që garanton pavarësi të plotë nga çdo faktor ose banor jashtë ishullit.

Për këtë duhet të miratohet projektligji “Për Bankën e Shqipërisë”, një superligj që do të diskutohet në komisionin përkatës parlamentar, nga deputetja Ҫaushi dhe kolegët e saj.

Linku ku gjendet i publikuar projektligji: https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/1016

© Ky është artikull ekskluziv i KontrasT.al, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to” / Artikulli mund të ripublikohet vetёm i shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Postimi i mëparshëm

Finalja e Botërorit Spanjë-Argjentinë, 10 rekordet historike që mund të thyhen sonte

Postimi i rradhës

BE ndalon shkatërrimin e rrobave të pashitura, hyjnë në fuqi rregullat e reja kundër mbetjeve të modës

Postimi i rradhës
BE ndalon shkatërrimin e rrobave të pashitura, hyjnë në fuqi rregullat e reja kundër mbetjeve të modës

BE ndalon shkatërrimin e rrobave të pashitura, hyjnë në fuqi rregullat e reja kundër mbetjeve të modës

  • Më të fundit
Andy Burnham bëhet kryeministri i ri i Britanisë: premton një plan 10-vjeçar për vendin

Andy Burnham bëhet kryeministri i ri i Britanisë: premton një plan 10-vjeçar për vendin

20 Korrik, 2026
Trump zbut tonet ndaj Spanjës pas finales së Botërorit: “Nuk kam asnjë tension me Sánchez”

Trump zbut tonet ndaj Spanjës pas finales së Botërorit: “Nuk kam asnjë tension me Sánchez”

20 Korrik, 2026
BE ndalon shkatërrimin e rrobave të pashitura, hyjnë në fuqi rregullat e reja kundër mbetjeve të modës

BE ndalon shkatërrimin e rrobave të pashitura, hyjnë në fuqi rregullat e reja kundër mbetjeve të modës

20 Korrik, 2026
Ishulli i Bankёs sё Shqipёrisё kёrkon njё Kushtetutё

Ishulli i Bankёs sё Shqipёrisё kёrkon njё Kushtetutё

20 Korrik, 2026

Postimet e fundit

Andy Burnham bëhet kryeministri i ri i Britanisë: premton një plan 10-vjeçar për vendin

Andy Burnham bëhet kryeministri i ri i Britanisë: premton një plan 10-vjeçar për vendin

20 Korrik, 2026
Trump zbut tonet ndaj Spanjës pas finales së Botërorit: “Nuk kam asnjë tension me Sánchez”

Trump zbut tonet ndaj Spanjës pas finales së Botërorit: “Nuk kam asnjë tension me Sánchez”

20 Korrik, 2026
BE ndalon shkatërrimin e rrobave të pashitura, hyjnë në fuqi rregullat e reja kundër mbetjeve të modës

BE ndalon shkatërrimin e rrobave të pashitura, hyjnë në fuqi rregullat e reja kundër mbetjeve të modës

20 Korrik, 2026
Ishulli i Bankёs sё Shqipёrisё kёrkon njё Kushtetutё

Ishulli i Bankёs sё Shqipёrisё kёrkon njё Kushtetutё

20 Korrik, 2026

Na ndiqni në

KontrasT.al

KontrasT.al - Është një platformë mediatike që informon dhe argëton ndjekësit në 24/7. Lajmi, ngjarja dhe opinioni vijnë për lexuesit me ngjyra më të qarta - në tablonë e realitetit dhe kontraditave të tij.

Shfleto sipas kategorive

  • Aktualitet
  • Argëtim
  • Bota
  • Destinacione
  • Drejtësi-Ligj
  • Ekonomi-Biznes
  • Foto-Lajm
  • Horoskopi
  • Investigim
  • Kinema
  • Kosova
  • Kronika e zezë
  • Ku të shkojmë
  • Kuriozitete
  • Kursi këmbimit
  • Lajme
  • Lajme rozë
  • Letërsi
  • Misc
  • Modë
  • Moti
  • Muzikë
  • Opinion
  • Politikë
  • Portret
  • Psikologji
  • Rubrika artistike
  • Satirë
  • Shënim
  • Shkencë-Teknologji
  • Showbiz
  • Shqipëria
  • Sport
  • Stil jetese
  • Të tjera
  • Teatër
  • Video

Lajmet më të fundit

Andy Burnham bëhet kryeministri i ri i Britanisë: premton një plan 10-vjeçar për vendin

Andy Burnham bëhet kryeministri i ri i Britanisë: premton një plan 10-vjeçar për vendin

20 Korrik, 2026
Trump zbut tonet ndaj Spanjës pas finales së Botërorit: “Nuk kam asnjë tension me Sánchez”

Trump zbut tonet ndaj Spanjës pas finales së Botërorit: “Nuk kam asnjë tension me Sánchez”

20 Korrik, 2026
  • Rreth nesh
  • Reklamo
  • Politikat e privatësisë
  • Na kontaktoni

© 2025 KontrasT.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Nuk ka të dhëna
Shiko të gjithë rezultatet
  • Kryefaqja
  • Lajme
    • Shqipëria
    • Kosova
    • Bota
  • Aktualitet
    • Drejtësi-Ligj
    • Politikë
    • Ekonomi-Biznes
    • Kronika e zezë
  • Shënim
  • Investigim
  • Rubrika artistike
    • Muzikë
    • Kinema
    • Teatër
    • Letërsi
    • Portret
    • Ku të shkojmë
  • Psikologji
  • Argëtim
    • Satirë
    • Showbiz
    • Lajme rozë
    • Stil jetese
    • Modë
  • Sport
  • Buqetë
    • Video
    • Shkencë-Teknologji
    • Horoskopi
    • Moti
    • Destinacione
    • Foto-Lajm
    • Kursi këmbimit
    • Kuriozitete

© 2025 KontrasT.al - Të gjitha të drejtat e rezervuara.