Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, parashikon se Inteligjenca Artificiale do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si njerëzit punojnë dhe sigurojnë jetesën, duke bërë të mundur shkurtimin e javës së punës në vetëm tri ditë dhe shtimin e familjeve që mbështeten në të ardhurat e një personi të vetëm.
Një javë pune pa të premte, ose një e ardhme ku puna mund të mos jetë më e domosdoshme për të gjithë. Ky është vizioni që miliarderi amerikan Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, ka paraqitur për ndikimin që Inteligjenca Artificiale mund të ketë në tregun e punës dhe në jetën e përditshme.
Sipas një raportimi të revistës amerikane Fortune, Bezos parashikon se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale do të rrisë produktivitetin në nivele të tilla që kompanitë do të mund të prodhojnë më shumë mallra dhe shërbime me më pak punë njerëzore.
Në këtë skenar, java tradicionale e punës me pesë ditë mund t’i lërë vendin një modeli me vetëm tri ditë pune, ndërsa rritja e produktivitetit mund të krijojë kushtet që më shumë familje të përballojnë shpenzimet e jetesës me një pagë të vetme.
Bezos shkon edhe më tej, duke parashikuar se në të ardhmen kompanitë mund të përballen me mungesë të njerëzve të gatshëm për të punuar.
“Do të jetë e vështirë të punësosh njerëz”, është deklarata e tij e cituar nga Fortune, që pasqyron pritshmërinë për një treg pune shumë të ndryshëm nga ai aktual.
Parashikimi vjen në një periudhë kur ndikimi i Inteligjencës Artificiale mbi punësimin është kthyer në një nga temat kryesore të debatit ekonomik. Ndërsa teknologjia premton automatizimin e detyrave dhe rritjen e efikasitetit, zhvillimi i saj ka ngritur njëkohësisht shqetësime për të ardhmen e profesioneve dhe vendeve të punës.
Vetë Amazon ka shkurtuar rreth 30 mijë vende pune, një zhvillim që nxjerr në pah kontrastin mes ndryshimeve që po ndodhin aktualisht në kompanitë e mëdha dhe vizionit të Bezos për një të ardhme ku njerëzit mund të punojnë më pak.






