Nxënësve dhe mësuesve në Irlandën e Veriut u është kërkuar të vishen më trashë nëse kanë ftohtë, në vend që të rrisin temperaturën e ngrohjes, ndërsa shkollat përballen me një rritje të fortë të faturave të energjisë.
Autoriteti i Arsimit u ka dërguar një letër drejtuesve të shkollave, duke u kërkuar të reduktojnë përdorimin e ngrohjes dhe ndriçimit “kudo që është e mundur”. Sipas parashikimeve, vetëm deri në mars 2027, faturat e gazit dhe energjisë elektrike të shkollave pritet të rriten me rreth 8 milionë paund.
Rritja më e fortë pritet te gazi. Shpenzimet totale të shkollave për të parashikohet të kalojnë nga 10.7 milionë në 17 milionë paund, ose rreth 60% më shumë. Ndërkohë, faturat e energjisë elektrike pritet të rriten nga 23.8 milionë në 25.1 milionë paund.
Autoritetet e lidhin rritjen e kostove me zhvillimet e fundit gjeopolitike, ndërsa ndër faktorët që kanë ndikuar në çmimet e energjisë përmendet edhe lufta SHBA-Izrael me Iranin.
Për të kursyer, shkollave u është sugjeruar që të reduktojnë përdorimin e ngrohjes me rreth një orë në ditë, të fikin dritat në klasa kur mund të përdoret ndriçimi natyror dhe, në vend që të rrisin termostatin, nxënësit dhe stafi të veshin më shumë rroba.
Por drejtuesit e shkollave paralajmërojnë se masat nuk janë aq të thjeshta për t’u zbatuar. Shumë institucione funksionojnë në ndërtesa të vjetra dhe me eficiencë të dobët energjetike, ndërsa disa duhet të mbajnë në përdorim dhe të ngrohin një numër të madh ambientesh gjatë gjithë ditës.
Kirsty Logan-Hall, drejtuese e shkollës fillore Tullygally në Craigavon, tha se mundësitë për kursime të mëdha janë të kufizuara, pasi reduktimi i mëtejshëm i energjisë mund të ndikojë te kushtet e punës, cilësia e mësimit dhe mirëqenia e nxënësve, veçanërisht e atyre me nevoja shtesë.
Edhe Claire Robinson, drejtuese e shkollës fillore Holy Evangelists në Dunmurry, tha se kostot e energjisë janë bërë jashtëzakonisht të larta, por ngrohja nuk mund të fiket thjesht për të kursyer. Disa klasa kanë ngrohje nën dysheme dhe duhet të mbahen mbi një temperaturë minimale gjatë ditës së mësimit.
Burimi: BBC






