Një nga ngjarjet më të veçanta dhe më domethënëse në historinë e Hollivudit ndodhi më 27 mars 1973, gjatë ceremonisë së 45-të të ndarjes së çmimeve Oscar.
Aktori i famshëm Marlon Brando, i cili fitoi çmimin Oscar për rolin e paharrueshëm të Don Vito Corleones në filmin ‘The Godfather’ (Kumbari), e refuzoi atë.
Por arsyeja e refuzimit të tij nuk kishte të bënte me pakënaqësi personale, as me ndonjë rivalitet artistik. Ishte një protestë kundër mënyrës se si shoqëria amerikane dhe industria e Hollivudit i kishin trajtuar për dekada popujt autoktonë të Amerikës, të njohur si indianët amerikanë.
Në vend të Brandos, në skenën e ceremonisë u paraqit aktivistja dhe aktorja me prejardhje nga popujt autoktonë, Sacheen Littlefeather. Ajo, pasi refuzoi në emër të fituesit statujën e çmimit, transmetoi shkurt mesazhin e Brandos.
«Unë përfaqësoj Marlon Brandon sonte dhe ai më ka kërkuar t’ju përcjell se me keqardhje të thellë nuk mund ta pranojë këtë çmim. Arsyet kanë të bëjnë me trajtimin e keq të indianëve amerikanë sot nga industria e filmit dhe nga shoqëria amerikane».
Në fakt, Marlon Brando kishte shkruar një letër të gjatë për gjithë aktorët dhe producentët e Hollivudit, letër që u bë publike në një konferencë për shtyp.
Pjesë nga letra e Marlon Brandos
«Për dyqind vjet, ne u kemi thënë amerikanëve autoktonë, të cilët luftonin për tokën, jetën, familjet dhe të drejtën e tyre për të qenë të lirë: Lërini armët, miqtë e mi, dhe ne do të jetojmë së bashku në paqe.
Kur ata i dorëzuan armët, ne i vramë. I gënjyem. I mashtruam dhe ua morëm tokat.
I detyruam të nënshkruanin marrëveshje të cilat vetë nuk i respektuam. I shndërruam në lypës në një kontinent që u kishte dhënë jetë brez pas brezi.
Sipas çdo interpretimi të historisë, sado i shtrembëruar të jetë ai, ne nuk kemi pasur të drejtë. Kemi vepruar në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë.
Nuk duhet të na habisë fakti që, për sa u përket atyre, ne nuk ndiejmë detyrim t’ua kthejmë njerëzit e tyre apo të respektojmë marrëveshjet që kemi bërë me ta.
Ne i kemi dhënë vetes të drejtën të sulmojmë të drejtat e të tjerëve, t’ua marrim pronën dhe t’ua marrim jetën, ndërsa ata vetëm mbrojnë tokën dhe lirinë e tyre.
Ne kemi arritur t’i paraqesim virtytet e tyre si krime dhe veset tona si virtyte.
Megjithatë, ekziston diçka që qëndron mbi gjithë këtë padrejtësi: gjykimi i madh i historisë, i cili një ditë do të na dënojë.»
Këto fjalë ishin pjesë e një mesazhi shumë më të gjatë, përmes të cilit Brando kërkonte që bota të mos i mbyllte sytë para padrejtësive historike dhe diskriminimit që vazhdonin të përjetonin popujt autoktonë të Amerikës, por jo vetëm.
Kjo ishte një protestë që Hollivudi nuk e priste nga ylli i padiskutueshëm i kinematografisë.
Mesazhi dhe refuzimi i Brandos shkaktuan reagime të shumta. Në sallë pati duartrokitje, por edhe fishkëllima e pakënaqësi. Sacheen Littlefeather u përball me reagime të ashpra, madje edhe me kërcënime dhe fyerje pas ceremonisë.
Megjithatë, ajo që ndodhi atë mbrëmje nuk mbeti vetëm një incident në një ceremoni çmimesh. U shndërrua në një moment historik të protestës publike, duke e çuar çështjen e popujve autoktonë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Marlon Brando i tregoi gjithë botës se nuk mund të vlerësonte famën apo një statujë ari përballë të drejtës së një populli për dinjitet, identitet, tokë dhe histori.
Dhe ky çmim i ri që i dha vetes, e bëri të paharrueshëm ‘Godfatherin’ e Hollivudit.






